Monika Kryemadhi: Prokuroria nuk gjeti gjë nga “minierat e floririt”, por u mor me mi*rën time!

Ish-kryetarja e LSI-së akuzon prokurorinë për dërgimin e parakohshëm të dosjes në gjykatë: “Sepse do të dilte Ilir Meta nga burgu”.

Ish-deputetja dhe ish-kryetarja e Lëvizjes Socialiste për Integrim (tashmë Partia e Lirisë), Monika Kryemadhi, reagoi sot ashpër ndaj vendimit të Prokurorisë për dërgimin në gjykatë të dosjes që përfshin edhe ish-presidentin Ilir Meta, duke deklaruar se do të kërkojë kthimin e saj në SPAK për rishqyrtim.

Në një deklaratë për mediat, Kryemadhi akuzoi organin e akuzës për shkelje të procedurës ligjore, duke theksuar se hetimet nuk janë mbyllur dhe se veprimi është bërë për motive politike.

Swiss Digital Desktop Reklama

“Prokuroria e çoi në gjykatë për të mos dalë Ilir Meta nga burgu”

Swiss Digital Mobile Reklama

“Prokuroria ka shkelur procedurën duke çuar dosjen në gjykim pa mbyllur hetimet, për të vetmin shkak – sepse i binte të dilte Ilir Meta nga burgu,” deklaroi Kryemadhi, duke shtuar se do të kërkojë zyrtarisht kthimin e dosjes në SPAK.

Sipas saj, nuk ka asnjë provë të re, përveç kthimit të përgjigjes së letërporosisë nga SHBA, e cila kishte mbërritur më 1 tetor, ndërsa kërkesa e SPAK datonte në nëntor 2024.

Nga “minierat e floririt” te “heqja e mitrës”

Kryemadhi ironizoi mënyrën si, sipas saj, hetimi ka devijuar nga qëllimi fillestar:

“Hetimi për mua dhe Ilir Metën filloi për minierat e floririt, gradaçelat në Angli e Amerikë dhe milionat në offshore, por po rezultojmë që kemi ngelur te heqja e mitrës së Monika Kryemadhit në vitin 2019.”

Ajo theksoi se asnjë nga akuzat financiare nuk është provuar dhe se llogaritë bankare të kompanisë “GSIS” – që është në qendër të hetimeve për kontratat e konsulencës së LSI-së – dëshmojnë pagesa të rregullta dhe të deklaruara.

“Letërporosia nga SHBA zbardh të vërtetën për GSIS”

Sipas Kryemadhit, përgjigjja e ardhur nga SHBA “ka sjellë informacionin e saktë dhe zbardh përfundimisht çfarë ka ndodhur me GSIS”.

“Llogaritë bankare tregojnë se janë paguar aq para sa ka deklaruar LSI. Ose kemi të bëjmë me paaftësi në leximin financiar të SPAK, ose me keqdashësi ndaj nesh,” tha ajo.

Ish-kryetarja e LSI-së shtoi se avokati i saj ka kundërshtuar mënyrën e dorëzimit të letërporosisë, pasi sipas saj, “është keqinterpretuar për opinionin publik” dhe “është përdorur për të krijuar perceptim të rremë”.

“Do të dalin në pah keqdashësit dhe sabotuesit”

Në deklaratën e saj, Kryemadhi u shpreh se materialet e reja që do paraqiten në proces do të nxjerrin në pah ‘keqdashësit dhe sabotuesit’ që kanë ndikuar në hetim:

“Nuk po i quaj falsifikatorë, por do dalë kush ka dashur të manipulojë dosjen. Ka thagma dhe të pavërteta që do zbulohen një e nga një.”

Ajo theksoi se nuk do të lejojë manipulime politike me drejtësinë, duke kërkuar transparencë të plotë mbi rolin e SPAK dhe burimin e të dhënave financiare të përfshira në dosje.

Konteksti: hetimi për financimet e LSI-së dhe kontratat me GSIS

SPAK ka hetuar që prej vitit 2023 financimet e LSI-së dhe kontratat e konsulencës me kompaninë amerikane “Global Security and Intelligence Services (GSIS)”, për të cilat është ngritur dyshimi se mund të kenë shërbyer për pastrim parash dhe financime të fshehta politike.

Sipas hetimeve paraprake, disa pagesa të dyshimta janë bërë përmes kompanive ndërmjetëse jashtë Shqipërisë, ndërsa janë kërkuar informacione nga autoritetet amerikane dhe britanike.

Megjithatë, pala mbrojtëse e Kryemadhit dhe Metës ka këmbëngulur se çdo pagesë është e dokumentuar dhe e deklaruar sipas ligjit, duke e cilësuar dosjen si të motivuar politikisht.

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

A e liron Gjykata Kushtetuese nga burgu, Erion Veliajn?