Mos bëni budallallëqe ekonomike

Nga Jean Pisani-Ferry/Më 20 gusht 2013, Shtetet e Bashkuara ishin gati për të nisur bombardime ajrore në Siri, ku më shumë se një mijë civilë patën vdekur në një sulm me gaz sarin të kryer nga ushtria e Presidentit Bashar al-Assad. Por pak orë para se të fillonin sulmet, Presidenti i SHBA-së Barack Obama i anuloi ato, duke habitur aleatët e Amerikës. Në vend të saj, diplomatët amerikanë inxhinjeruan një marrëveshje me Presidentin e Rusisë Vladimir Putin, në të cilën Rusia mori përgjegjësinë për heqjen e armëve kimike nga Siria. Lufta Civile e Sirisë vijoi, pa e bërë SHBA-në të angazhuar drejtpërsëdrejti në të.

Sipas intervistës së tij të fundit me Jeffrey Goldberg në The Atlantic, Obama “është shumë krenar” për çastin kur ai u mendua, vlerësoi dhe, duke kundërshtuar këshilltarët e tij, vendosi të mos e ndjekë “lojën model të Uashingtonit.” Jo të gjithë e duartrokitën këtë vendim. Sipas Goldberg, Hillary Clinton, në atë kohë Sekretare Shteti, privatisht u ankua se “nëse thua se do të bombardosh, duhet patjetër të bombardosh.” Por Obama refuzoi t’i japë prioritet kredibilitetit: “Të bombardosh dikë vetëm për të vërtetuar se je i gatshëm ta bombardosh,” tha ai, “është arsyeja më e keqe e mundshme për përdorimin e forcës.”

Qëndrimi i Obamës në këtë rast qe në përputhje me politikën e tij tashmë të famshme të jashme dhe të sigurisë: “Mos bëj budallallëqe.” Ky diktum dukshëm aludon për vendimin e gabuar të paraardhësit të tij për të ndërhyrë në Irak; por, në mënyrë më themelore, ajo shprej pëqasjen e Obamës për balancën e rreziqeve që mbartin zgjedhjet madhore në politikë. Dukshëm, ai nuk mendon se shqetësimet për besueshmërinë janë aq të mëdha sa t’ia lidhin duart. Përshtatshmëria e vendimit final ka më shumë rëndësi për të se sa konsistenca me deklaratat e mëparshme. Ruajtja e lirisë së zgjdhjes në trajtimin e një problemi është më e rëndësishme se sa dërgimi i mesazhit të duhur. Gjykimi nuk duhet të errësohet nga ‘parimet’.

Një nga gjërat që politika e sigurisë ka të përbashkët me politikën ekonomike është që ato detyrojnë qeverinë të zgjedhin mes minimizimit të rreziqeve të tanishme përballë ruajtjes së besueshmërisë afatgjatë. Debatet ekonomike shpesh vendosin përballë njëra-tjetrës ata që theksojnë gjykimin sipas rastit me ata që e shohin konsistencën si standardi i artë i një politike të mirë.

Kjo logjikë kosto-përfitim qe e dukshme në verën e vitit 2008, ndërsa kriza financiare botërore u afrua. Pasi qeveria e SHBA-ve vendosi të shpëtojë nga falimenti bankën e investimeve Bear Stearns dhe të mbështesë agjencitë e financimit të kredive për shtëpi

Fannie Mae dhe Freddie Mac, zemërimi nga ana e kongresit e detyroi Presidentin George Ë. Bush dhe administratën e tij të mos financojnë me para publike bankën tjetër të investimeve në telashe, Lehman Brothers. Kur u bë e qartë se asnjë investitor privat nuk do të paraqitej për të blerë Lehman, Thesari i SHBA-ve nuk pati burimet e nevojshme për të shmangur një katastrofë. Dhe katastrofa ndodhi më 15 shtator.

Balanca të tilla kosto-përfitime u shfaqën gjatë zhvillimit të krizës në eurozonë. Praktikisht të gjitha episodet e mëdha përfshinë zgjedhjen mes qëndrimit besnik ndaj parimeve të para dhe gjetjes së mënyrës për të zgjidhur një krizë që zhvillohet me shpejtësi. Por mantra e vetë Kancelares së Gjermanisë Angela Merkel nuk qe e njëjtë me atë të Obamës. Për të, veprimi jokonvencional mund të justifikohet vetëm në kushtet e një krize ekzistenciale për stabilitetin e eurozonës. Kjo e ashtuquajtura doktrinë ultima ratio u përdor në mënyrë të përsëritur për të shtyrë për më vonë vendimet apo për të hedhur poshtë zgjidhjet e shpejta.

Është e vështirë të mbivlerësosh rëndësinë e kësaj dileme mes zgjidhjes së problemeve të tanishme dhe shmangies së gabimeve morale. Kjo dilemë është e gjithëpërhapur në financë dhe shfaqet shpesh në vendimet politike dhe monetare.

Një shkollë vendimi, mishëruar nga qeveria e SHBA-së, vlerëson rrezikun e shkeljes morale një shqetësim të vlefshëm por mendon se ajo nuk duhet të mbivlerësohet: “Zjarrfikëset nuk shkaktojnë zjarr,” deklaroi ish sekretari i Thesarit Tim Geithner (ose në fjalët e zëvendëskryetarit të Rezervës Federale Stan Fischer, “kondomët nuk shkaktojnë seks”). Gjermania është mishërimi i këndvështrimit tjetër: Pasojat afatgjata të çdo vendimi duhet të jenë përcaktuese në zgjedhjen e politikës dhe pritshmëria për garanci nuk duhet të shkaktojë sjellje të pakujdesshme.

Ekzistenca e një diference të tillë në sjellje nuk ka pse të na habisë: kosto-përfitimi është real në këtë rast dhe politikëbërësit mund të kenë këndvështrime të ndryshme në varësi të eksperiencës dhe parapëlqimeve të gjithësecilit. Shkolla gjermane e mendimit, për shembull, i jep rëndësi sistemit politik të rregullave të përhershme të lojës dhe ka tendencën t’i neglizhojë kostot afatshkurtra. Një arsye tjetër, ndoshta më e madhe, është fuqia. Për shtatë dekada, qeveria e SHBA-ve ka qenë zjarrfikësi themelor i sistemit botëror. Përgjatë kësaj periudhe, SHBA-të janë marrë me një mori krizash në të gjithë botën dhe kanë mësuar vlerën e lirisë së veprimit si alternativë ndaj konsistencës së politikave.

Pra çfarë mund të bëhet për të shmangur politikëbërjen ekonomike idiote? Ajo që ka më shumë rëndësi është transparenca gjatë procesit vendimmarrës dhe pas procesit. Shmangia nga rregullat e prera nuk duhet të sjellë arbitraritet. Një shkëmbim i shëndoshë i argumenteve dhe – veçanërisht kur urgjenca nuk lejon kohë për diskutime të gjata – nevojitet vetëdija që çdo vendim do të duhet të shpjegohet dhe justifikohet ex post. Transparenca është antidoti ndaj abuzimit me pushtetin diskrecionar. Debati dhe llogaridhënia mund të shërbejnë për të vrarë idetë e këqija.

Argumentohet se është më e lehtë të zbatohen politikat ekonomike se sa të veprohet në fushëbetejë. Por edhe vendimet ekonomike e financiare mund të kërkojnë shpejtësi dhe sekret. Kjo nuk është arsye që institucionet e rëndësishme të mos organizojnë proces efektiv të brendshëm që të sigurohen që kontrolli i duhur ex post do të kryhet. Në këtë drejtim, ka ende shumë gjëra për t’u bërë.

SHKARKO APP