Mos e jep votën “…si me le”!
Nga Feti Zeneli
Ndërkohë që na ndajnë vetëm pak orë nga moment i votimit dhe qytetarëve, edhe natën në gjumë u oshëtijnë në veshë thirrjet elektorale: “Votoni partinë tonë!…”, që edhe gomarin e bën me krahë e futuron(!?), më vijnë ndërmend, sa fjalët e James Bovard, që “…demokracia duhet të jetë diçka më shumë se sa vendimi i dy ujqërve dhe i një deleje, se çfarë duhet të hanë për darkë”, aq dhe ato të Elie Wesel, teksa thotë: “Ku duhet të filloj? Bota është aq e madhe!… Do të filloj me vendin tim, që e njoh më së miri. Por vendi im është aq i madh!… Po filloj më mirë me qytetin tim. Por edhe qyteti im është aq i madh!… Më së miri, po filloj me rrugën time. Jo!…, me shtëpinë time. Ah, po filloj me veten time…”.
Dilema e mësipërme filozofike: “Ku duhet të filloj?”, në momente zgjedhjesh, sikundër janë dhe këto të 21 qershorit për pushtetin vendor, merr trajtën: “Për kë duhet të votoj”? Pikërisht këtë dilemë e shfrytëzojnë si karrem liderit politikë të vendeve me demokraci problematike, sikundër është dhe demokracia shqiptare, për të peshkuar sa më shumë “mendje” të tilla me grepin e partisë së tyre, në detin e trazuar të jetës sonë social-ekonomike. Jo më kot, në fushatën më të fundit elektorale, ndryshe nga çdo herë tjetër më parë, në fjalorin elektoral të liderëve kryesor të politikës ka zënë vend shprehja: “Mos i dini budallenjë njerëzit, ju”?!…, që është e njëvlefshme me thënien: -Mos i dini tru-peshk, njerëzit ju?! Dhe këtu, kambanat bien kryesisht për votuesit e “zonës gri”, pasi militantët mbeten “tru-peshq” të përjetshëm (aq sa ua ka caktuar Zoti këtë “përjetësi”). Natyrisht zëdhënës të një zhargoni të tillë, deri-diku fyes për qytetarët, janë ata politikanë, që me këtë mënyrë korrën sukses në zgjedhjet e përgjithëshme të 23 qershorit 2013, ku “tru-peshqit” e zunë, ndonëse me mjetet më amorale të gjuetisë elektorale, kanë për të mbetur “një rekord” i paarritshëm në historinë e demokracisë shqiptare, për nga numri i tyre i lartë. Fatkeqësia e kësaj kategorie votuesish qëndron në faktin, se ndryshimin e “Botës” nuk e fillojnë me “Veten” e tyre, edhe pse në shumicën e rasteve, “karremi” i ofruar është i maskuar me premtime-mashtrime demode, të cilat e bëjnë atë lehtësisht të dallueshëm edhe për sytë më të plakur nga militantizmi.
Problemi në këtë rast qëndron në faktin, që shumica e këtyre votuesve nuk arrijnë të dallojnë, se kush është “Vetja”, pasi ajo mbulohet me flamurin e partisë? “Nuk duam as bukë, as ujë, as drita…”, shkruhet mbi këtë flamur, të kuq si qershi apo ngjyrë mavi. Ndaj duhet hedhur tej ky flamur për të “filluar me veten”. Dhe “Vetja” në këtë rast është ekonomia apo mirëqenia e gjithsecilit, “… o budalla”. Kështu do të thoshte Bill Klinton në fillim të viteve ’90, teksa shihte që ekonomia e amerikanëve kishte marrë tatëpjetë. “Puna është te ekonomia, o budalla!”, nënvizonte atëherë ish-Presidenti Amerikan, i cili do të mbahet mend gjatë për arritjet mbresëlënëse në këtë drejtim gjatë dy mandateve të tij në pushtet. Tek “Vetja”-ekonomi e drejtuan gishtin para 10-15 vitesh edhe politikanët Brazilian, duke e shndërruar shumë shpejt vendin e tyre – një ndër pesë ekonomitë, me rritjen më të lartë në botë. Çdokush prej tyre u morë me “Veten” dhe askush me “të Tjerët”, siç po ndodh aktualisht në Shqipëri. A nuk është marrje me “të Tjerët” shprehja e Kryeministrit, se “Opozita ka ikur në drejtim të paditur”?!… Mbase deri në qershor 2013-ës, ekonomia shqiptare nuk kishte kapur majat, por sot pas dy vitesh nën qeverisjen e tij, po prek fundin. Shifrat, madje ato zyrtare tregojnë, se në vend që situata social-ekonomike të vinte duke u përmirësuar, është përkeqësuar disa herë. Ekonomia po shkon drejt kolapsit të plotë, apo, siç shprehen analistë të ndryshëm të kësaj fushe: -Drejt një krize të ngjashme si në Greqinë fqinje. Problematika në këtë drejtim është komplekse. Varfëria dhe papunësia janë rritur, arbitrariteti qeverisës është shtuar, investimet publike janë pakësuar, shpresa për t’u përmirësuar ka vdekur, dinjiteti dhe personaliteti njerëzor janë zhvleftësuar, e kështu me radhë. Në këto kushte, opozita shqiptare e Lulzim Bashës, ka propozuar një ofertë konkrete për të dalë nga gjendja e krijuar në të cilën ndodhen qytetarët shqiptarë, duke treguar, së pari, shkaktarin e kësaj situate, ashtu siç bëri Bill Klinton në fillim të viteve ’90, kur artikuloi shprehjen brilante: “Puna është te ekonomia, o budalla!” Sepse ekonomia është një “rregull shtëpiak”, siç thonë grekët e lashtë. Mungesa e ekonomisë, pra e mirëqenies, e prish aq keq këtë “rregull”, sa që i detyron njerëzit të flasin me vete, siç po ndodh këto dy vitet e fundit në Shqipërinë e drejtuar prej të majtëve. Madje prishja e një rregulli të tillë ka çorientuar vetë politikën përgjegjëse për ekonominë e rrënuar. Kur kryetari i partisë kryesore të mazhorancës del e bën fushatë duke sharë e mallkuar si në fshat çdo demokrate dhe demokrat, do të thotë se “rregulli” nuk na qenka prishur vetëm në shtëpi, por në të gjithë vendin, në shtet dhe qeveri.
“Cila është qeveria më e mirë?, -do pyesnim në një rast të tillë duke perifrazuar Gëten. Dhe po duke iu referuar shkrimtarit të madh do përgjigjeshim: -Ajo që na mëson si të qeverisim vetveten”. Por qeveria jonë në vend që t’na mësoj si të qeverisim veten, na instrukton e zhantazhon si t’u shërbejmë të tjerëve me në krye “Idealin Partiak”. Qeverisja aktuale e trashëgon këtë zakon nga monizmi politik, ku njerëzit “mësoheshin” dhe miqësoheshin aq shumë me varfërinë, sa ishin gati të jepnin edhe jetën për partinë; kur njerëzit luteshin që udhëheqësi të merrte nga ditët tona të përbashkëta, të cilat Perëndia na i kishte dhënë t’i jetonim gjithsecili më vete. Edhe sot e njëjta gjë po ndodh, me rikthimin në pushtet të bijëve dhe bijave të ish-punistëve. Varfëria, papunësia, pasiguria, çmimet e shtrenjta, falimentimi i biznesit, taksat e larta, shkatërrimi i pronës, rrugët e emigrimit, pushimet politike nga puna, diferencimet sociale, mungesa reale e demokracisë, cinizmi qeveritar, karshillëku pasuror i pushtetarit, shpërfillja, presioni për të blerë votën dhe shumë e shumë fenomene të tjera negative të kësaj natyre, që po përjetojnë shumica e shqiptarëve përgjatë dy viteve të fundit, veç e veç ose të gjitha bashkë tek një individ, janë para së gjithash “Ditë”, që nuk i kemi jetuar njerëzisht, por i kemi falur politikisht. Janë “Ditë”, që ia kemi falur Partisë, që kur ia japim asaj Votën “…si me le”.
Ndodh kështu, sepse ne nuk arrijmë të kuptojmë që Vota duket thjeshtë një copë fletë, por ajo është jetë social-ekonomike, të paktën për katër vjetë, kur ne zgjedhim “x” apo “y” pushtet. Si mund t’ia japim votën atij udhëheqësi, që na e kërkon si hatër politik; që na e shkëmben me një thes miell, me një vend pune në administratë, me njëqind mijë lekë të vjetra, me një një aparat celulari; që na fyen e poshtëron në dinjitet, etj., etj.?! Si mund t’ia falim sërish votën atij politikani, që na mashtroi njëherë, pavarësisht se e kemi patur të vështirë ta dallojmë, pasi, siç thotë Shekspiri: “Gënjeshtra ka shtatë variante, kurse e vërteta ka vetëm një”?! Si mund t’i besojmë ende atij “Gënjeshtari”, i cili do t’na gënjejë për herë të dytë? Po, si mund t’i besojmë atij politikani, që na thotë fjalë të përgjithshme, përballë një politikani tjetër, i cili na shpalos para syve një alternativë e ofertë konkrete për ndryshimin e situatës, dhe mbi të gjitha, na flet me një gjuhë të moderuar e fjalë të nxjerra nga thellësitë e shpirtit? Po, si mund të vazhdojmë të votojmë ende atë forcë politike, që përgjatë dy viteve në qeverisje po i zhyt shqiptarët në borxhe pa fund, varfëri ekstreme, papunësi, azil politik, pasiguri, po na zë frymën me taksa e çmime të larta, etj?!…
“Është një trishtim i madh të mendosh që natyra (realiteti) flet, ndërkohë që qënia njerëzore nuk dëgjon”, thotë Viktor Hygo. Dhe veshët për të dëgjuar tani, janë Votat!? Shumëkush nuk e vlerëson si duhet këtë moment të rëndësishëm demokratik, por po qe se Vota hidhet pa përgjegjësi në kuti, fajin e ke vetëm ti, o i mjeri njeri! Vota është si “Delja”, që po u hodh në “gojën e Ujkut”, e ka flijuar jetën për budallallëkun e saj, e jo për “mënçurinë” e egërsirës. Në fund të fundit, Vota është element i demokracisë dhe jo tesër e Partisë. Megjithëse janë momentet e fundit të zgjedhjeve ka ende kohë për të reflektuar, që të mos mbetemi ende si “Dele të bindura të Partisë”, pasi nesër mund të jetë shumë vonë, për të koregjuar marrëzinë tonë të radhës. “Miqtë dhe shokët e mi janë dakort që taksat janë të larta, – rrëfen për një ilustrim filozofik Benjamin Franklin. -Por, ne jemi të taksuar dy herë më shumë nga dembelizmi jonë, tre herë më shumë nga krenaria dhe katër herë më shumë nga marrëzia jonë”…
fetizeneli@yahoo.com