Mos prisni që Irani të ndryshojë shpejt

 

Nga Fareed Zakaria, The Washington Post

 

Në shpjegimin e marrëveshjes bërthamore me Iranin, administrata e Obamës ka qenë e kujdesshme të theksojë se është vetëm një marrëveshje mbi çështjet bërthamore. “Marrëveshja zgjidh një problem të posaçëm”, shpjegoi presidenti Obama në konferencën e tij për shtyp të mërkurën. Dhe përkrahësit, por sidomos kritikët rendën të thonë se kjo lëvizje është mjaft ndryshe nga hapja që i bëri Richard Nixon Kinës, duke i shndërruar Kinën dhe marrëdhëniet e saj me botën. Irani, tekefundit, është një regjim i egër që thërret “Vdekje Amerikës” dhe financon terroristët anti-amerikanë anembanë Lindjes së Mesme.

Por le të kujtojmë se si dukej Kina në kohën kur Henry Kissinger shkoi me udhëtim të fshehtë në Pekin në korrik 1971. Mao Zedong ishte, padyshim, lideri anti-amerikan më radikal në botë, që mbështeste grupe të dhunshme guerilase rretheqark Azisë dhe më tej. Edhe pse nuk thërriste “Vdekje Amerikës”, Pekini ishte mbështetësi kryesor i vietnamezo-veriorëve, duke iu dërguar trupa, furnizime dhe fonde për të luftuar dhe vrarë ushtarët amerikanë çdo ditë. Vendi qe gjithashtu në mes të Revolucionit Kulturor, një prej periudhave më barbare të historisë moderne të Kinës.

Fillimisht, hapja ndaj Kinës nuk ndryshoi asgjë prej këtyre. Gjatë bisedimeve ku u përfshinë Nixon, Kissinger, Mao dhe kryeministri kinez Zhou Enlai, kinezët refuzuan që t’i jepnin fund mbështetjes së tyre për regjimin veietnamezo-verior apo qoftë edhe që ta nxisnin Hanoin që të negocionte seriozisht me Uashingtonin. Në fakt, teksa Nixon dhe Kissinger po bisedonin me kinezët, paketimet kineze me armë për Vietnamin e Veriut po vinin në rritje. Historiani Qiang Zhai, libri i të cilit për përfshirjen e Kinës në Luftën e Vietnamit mbështetet tek arkivat kineze, dokumenton se ndërmjet 1971 dhe 1972, furnizimet e Kinës me pushkë, artileri, transmetues radio dhe automjete u shtua ndjeshëm. Dhe tamam sikurse na thuhet sot se kishte një marrëveshje mitike më të mirë që mund të arrihej me Iranin, konservatorët e kritikuan Nixon-in se la pas dore Tajvanin, duke e qortuar që në vend që t’i kërkonte Pekinit një karrige për Tajvanin në Kombet e Bashkuara, Uashingtoni mund të kishte bërë më shumë për të negociuar një marrëveshje dypalëshe.

Por me kalimin e kohës, Kina e uli mbështetjen e saj për lëvizjet revolucionare në vende si Indonezia, Malajzia dhe Tailanda. Dhe marrëdhëniet me Vietnamin u përkeqësuan – për shumë arsye, por sigurisht hapja ndaj Shteteve të Bashkuara qe njëra prej tyre. Këto ndryshime më në fund çuan drejt një rishikimi të politikës së jashtme të Kinës – por kjo shtatë vjet pas takimeve të Kissinger-it dhe nën një udhëheqës të ri kinez, Deng Xiaoping, i cili fillimisht konsolidoi pushtetin dhe më pas i dha fund botëvështrimit revolucionar të Maos.

Për Iranin, le të bëjmë disa paralajmërime. Lëvizja e Kinës drejt Perëndimit u nxit nga përçarja me Bashkimin Sovjetik dhe ndoshta nga izolimi i saj i plotë. Irani nuk përballet nga ndonjë kërcënim kaq i rreptë, si një vend prodhues i naftës, i cili, edhe nën sanksione, nxjerr me miliarda dollarë të ardhura dhe nuk ka qenë asnjëherë plotësisht i izoluar apo i varfëruar. Nga ana tjetër, Irani ndihet qartësisht i fyer që trajtohet si një shtet i dorës së dytë në botë. Dhe një brez i ri liderësh – që kanë njëfarë influence edhe pse jo kontroll të plotë – duan ta rikthejnë Iranin drejt një statusi më normal.

A do të thotë kjo se politikat e jashtme të Iranit do të moderohen? Historia tregon se sa më shumë të integrohet një vend në ekonominë globale të botës, aq më pak stimuj ka ai të jetë plangprishës dhe synon më tepër që të ruajë stabilitetin. Kjo është qartësisht arsyeja se përse shumë njerëz të vijës së hekurt në Iran e kundërshtuan marrëveshjen bërthamore. Ata besojnë se ajo do ta çojë Iranin në drejtimin e gabuar, atë që mund të zbusë valën revolucionare të regjimit.

Sigurisht, Irani do të ndjekë interesat e tij kombëtare dhe ndonjëherë ato mund të përplasen fort me politikën e Shteteve të Bashkuara. Por për sfidat më delikate në Lindjen e Mesme aktualisht – Irani dhe Shtetet e Bashkuara kanë interesa të përbashkëta. Lufta sektare në Lindjen e Mesme do të vazhdojë. Por më në fund Uashingtoni dhe të tjerët mund t’iu flasin të dy krahëve të ndryshëm në përpjekje për t’i reduktuar tensionet.

Asnjë ndryshim domethënës nuk do të ndodhë në Iran në muajt e ardhshëm. As në Kinë nuk ndodhi. Nuk ka ndodhur as në Kubë apo Burmë. Por në 10 vitet e ardhshme, nëse do të ketë më shumë kontakt, komunikim, tregti dhe kapitalizëm ndërmjet Iranit dhe pjesës tjetër të botës, sigurisht kjo do t’i fuqizojë gradualisht ata iranianë që e shohin të ardhmen e vendit të tyre si një pjesë e botës moderne dhe jo në kundërshtim me të.

SHKARKO APP