Mosderdhja e kontributeve, pensioni nuk rrezikohet

250 mijë individëve të punësuar në shtet dhe në privat, ndaj të cilëve nuk janë derdhur rregullisht kontributet e sigurimeve shoqërore nuk do t’u rrezikohet pensioni i pleqërisë. Një fakt i tillë konfirmohet për mediat nga burime pranë ministrisë së Financave, sipas të cilëve, detyrimet në këto raste mbarten nga institucionet e shtetit dhe kompanitë e biznesit, pasi individët në fakt personalisht rezulton se i kanë shlyer detyrimet. Kësisoj, i bie që ata të kenë një llogari individuale në rregull me shtetin dhe ky i fundit është i detyruar t’u japë pension, paçka se eprorët e tyre nuk ua kanë derdhur kontributet e sigurimeve shoqërore. Në çdo rast, ligji detyron biznesin dhe institucionin që të kompensojë shumat të cilat janë vjelë si kontribute, por që nuk janë derdhur si të tilla. Nga ana e saj, ministria e Financave pohon se me verifikimin e shifrave përfundimtare të borxheve do të merret angazhimi për shlyerjen e tyre nga fondi i vënë në dispozicion për shlyerjen e detyrimeve të prapambetura. Teksa Instituti i Sigurimeve bashkë me Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve aktualisht janë në një fazë evidentimi dhe inventarizimi të saktë të këtyre detyrimeve. Kujtojmë se ka qenë vetë ministri i Mirëqenies Sociale, Erion Veliaj, por edhe kryeministri Edi Rama, ata që kanë denoncuar publikisht borxhin prej 109 milionë dollarësh në formën e kontributeve të paderdhura. Sipas tyre, debitorë të sigurimeve rezultojnë 53 mijë subjekte, nga të cilat 1407 institucione publike buxhetore, nuk iu kanë paguar sigurimet shoqërore punëtorëve të tyre të deklaruar gjatë tetë viteve të qeverisë së kaluar. Veliaj ka pohuar se, nga kjo skemë janë prekur 250 mijë punonjës. Teksa thuhet gjithashtu edhe se qeveria thuhet se po merr në konsideratë alternativën e klasifikimit të 109 milionë dollarëve borxh institucional ndaj sigurimeve, si një detyrim të ri të prapambetur. Në praktikë, si një detyrim për t’i shlyer ato.

 

Ministri Veliaj

Në fund të vitit 2014 kemi zbuluar ndoshta piramidën më të madhe që prej vitit 1997. Kemi zbuluar në arkën e sigurimeve 109.5 mln dollarë mangët. Janë deklaruar si punonjës, ju është mbajtur 10% por nuk e kanë derdhur në sigurime. Ka ndodhur në privat por edhe në shtet”, ka deklaruar mbi këtë problematikë ministri i Mirëqënies Sociale dhe Rinisë

 

SHKARKO APP