Muharrem Xhafa: Komunizmi nuk bëri krime, dënoi ata që shkelën ligjin
Intervistoi: Sidorela Lepuri
Kohët e fundit, veçanërisht para 70-vjetorit të Çlirimit, është rikthyer sërish në fokus të diskutimeve figura e diktatorit Enver Hoxha. Cili është mendimi juaj lidhur me këtë?
Po, edhe unë i kam ndjekur debatet e bëra në televizione e në shtyp, deri në Kuvendin e Shqipërisë për Enver Hoxhën dhe veprën e tij. Në fakt, kështu ndodh sa herë që vjen 29 nëntori- dita e Çlirimit të Shqipërisë. Po, në veçanti sivjet, në 70-vjetorin e Çlirimit, sulmet e anatemat kundër LANÇ-it dhe Enver Hoxhës, të bëra nga partitë e borgjezisë dhe shteti i saj, kanë qenë më të egrat e me banalet. Përse kështu? Sepse 29 nëntori 1944 shënon ditën e përmbysjes së pushtetit të borgjezisë me anë të Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare. Sikurse thatë dhe ju, në këtë përvjetor të lavdishëm, si asnjëherë tjetër, është rikthyer në fokus të debateve figura dhe vepra e Enver Hoxhës. Saktë, po për çfarë arsyesh sulmohet e denigrohet kaq egër figura e tij?! Kjo ndodh, sepse Enver Hoxha ishte udhëheqësi i PKSH dhe Komandanti i Përgjithshëm i LANÇ-it, është figura kryesore politike e ushtarake e saj. Se duke sulmuar me qëllim, për të zbehur e për të zhbërë personalitetin e veprën e Enver Hoxhës, kështu zhbëhet e zhbëhet dhe LANÇ-i, lufta që çliroi Shqipërinë nga pushtuesit e huaj dhe tradhtarët e vendit, lufta që përmbysi pushtetin e bejlerëve e kujslingëve, lufta që i riktheu popullit pavarësinë, lufta që i dha popullit lirinë dhe pushtetin e tij, lufta që e rreshtoi popullin shqiptar me fituesit e Luftës së Dytë Botërore dhe e futi vendin në rrugën e socializmit. Pa Enver Hoxhën nuk do të ishte arritur asnjë nga këto fitore historike.
Si i vlerësoni ceremonitë e deritanishme për Çlirimin. Ceremonitë kryesore duhet të jenë në datën 28 apo 29 Nëntor?
Ky është një jubile i lavdishëm dhe do të dëshironim të përkujtohej me nderime të larta shtetërore, siç dhe e meriton. Por, siç është vënë re, për gjatë një viti të tërë s'kemi parë të jetë realizuar asnjë angazhim serioz i shpallur nga Komisioni Shtetëror i ngritur për 70-vjetorin e Çlirimit të atdheut, madje as rikonstruksioni i Varrezave të Dëshmorëve të Kombit. Një paradoks i madh ky kur mendon se në krye të punëve të vendit është një qeveri socialiste, e cila vazhdon të vuajë nga kompleksi i një date të shenjtë si kjo e çlirimit të atdheut, duke dëshmuar një predispozicion të djathtë, për ta lënë atë në hije. Por ndonëse larg përkujtimit me madhështi të jubileve të viteve të socializmit, 29 nëntori, dita e çlirimit, kurrë nuk e humb shkëlqimin dhe vlerat e saj. Padyshim, ceremonitë kryesore duhet të bëhen më 29 nëntor, t'i kushtohen29 nëntorit 1944, 70- vjetorit të Çlirimit, sepse 29 nëntori 2014 është jubile. Po të ishte jubileu i Pavarësisë, ceremonitë kryesore duheshin bërë me 28 nëntor. Doemos duhet përkujtuar me këtë rast dhe dita e Pavarësisë, sepse janë dy ngjarje të mëdha të lidhura me njëra-tjetrën. Po në rastin konkret, duhet përkujtuar me madhështi 29 nëntori.
Është folur shumë për rishkrimin e disa periudhave të historisë sonë kombëtare dhe ndër to edhe për periudhën e regjimit komunist. Sipas këndvështrimit tuaj, çfarë duhet ndryshuar në historinë e kësaj periudhe?
Problemi kryesor është të ndryshohet, të zhbëhet e të mohohet historia e LANÇ-it dhe e ndërtimit të socializmit. Gjërat e tjera thuhen për të fshehur qëllimin, për të glorifikuar regjimin e mbretit Zog, bëmat antishqiptare e krimet e tij. Sipas nesh, historisë së LANÇ-it nuk ke se çfarë t'i ndryshosh, se ajo histori është shkruar me gjak, atë e kanë vendosur ata që e bënë dhe e drejtuan luftën, ata që e çuan LANÇ-in në fitore. Sot historianët borgjezë, "historianët"- bij e bija, pinjollë të fashizmit, të kujslingëve, synojnë që të rishkruajnë historinë e viteve të LANÇ-it e të socializmit, jo për ta vlerësuar atë po për të shmangur, për të zhbërë e për të mohuar rolin udhëheqës të PKSH e të Enver Hoxhës, për të minimizuar përmasat, sakrificat e heroizmat e saj, për ta paraqitur atë si një luftë civile, për të glorifikuar organizatat tradhtare të Ballit e Legalitetit, duke i prezantuar ato në sytë e popullit si udhëheqëse e forca ushtarake të barabarta e po të ishte e mundur, edhe më të organizuara e më të fuqishme se Partia Komuniste dhe Ushtria Nacionalçlirimtare, për të fshehur bashkëpunimin me pushtuesit italianë e gjermanë, për të shmangur dëmet që forcat kuislinge i sollën LANÇ-it dhe çlirimit të vendit dhe për të thënë, po e hëngri kush, se Komandant i Përgjithshëm dhe udhëheqës i LANÇ-it nuk ka qenë Enver Hoxha, po ndonjë ballist. Në vlerësimin tonë, nuk ka turp më të madh për një qeveri, të djathtë a të majtë, borgjeze, që sot mban qëndrim ndryshe ndaj kuislingëve, bashkëpunëtorëve të fashizmit e forcave të tjera reaksionare, nga qëndrimi që është mbajtur ndaj tyre në vitet e LANÇ-it prej aleatëve të mëdhenj antifashiste anglo-sovjeto-amerikane gjatë Luftës së Dytë Botërore. Po kështu, s'ka poshtërim më të madh që i bën vetes një qeveri borgjeze, e djathtë a e majtë, kur kërkon ''hua" një historian ordiner për vendin e tij, për t'i shkruar historinë, marria e të cilit shkon deri atje sa të thotë se data e çlirimit të Shqipërisë është jo më 29 nëntor 1944, por më 4 dhjetor 1944, sepse kështu i paskësh thënë një ushtarak gjerman, apo e paskësh gjetur zotëria në fjalë këtë "xhevahir" në një dokument në arkivat gjermane. Siç duket, ky Fisheri bën lojën e fashistëve dhe duhet përzënë si i tillë nga vendi ynë.
Vendosja e portreteve të Enver Hoxhës gjatë festimeve në Tiranë, solli dhe një reagim të pazakontë të Ambasadorit të SHBA në Tiranë z. Aleksandër Arvizu, i cili e cilësoi si mostër Hoxhën. Si e vlerësoni këtë qëndrim?
Më parë duhet thënë se komunistët me portretin e Enver Hoxhës kanë dalë gjithnjë, po borgjezia e partitë e saj nuk kanë reaguar kaq poshtërsisht si në vitin jubilar të 70-vjetorit të Çlirimit, përjashtuar rastin kur regjimi fashist i Berishës e nxori Partinë Komuniste jashtë ligjit. Po, siç ka qenë i egër sulmi i borgjezisë kundër Enverit, ashtu i ashpër ka qenë edhe reagimi i komunistëvei simpatizantëve dhe i njerëzve të thjeshtë në mbrojtje të Enver Hoxhës e të veprës së tij, këtu në Shqipëri, në Kosovë, në Maqedoni, në Mal të Zi, në Çamëri e në radhët e emigrantëve. Shihni Facebook-un dhe do të bindeni. Reagimi i ambasadorit Arvizu, meqë më pyetët, për ne është qëndrim i rëndë për një ambasador amerikan. Ai ka mbi katër vjet në Shqipëri si ambasador i SHBA, por nuk ka folur asnjëherë kështu për Enver Hoxhën? Kush ndryshoi me këtë rast, Enveri apo Arvizu?
Keni deklaruar shpeshherë së duhet një rivlerësim i figurës së Enver Hoxhës. Nuk e cilësoni të mjaftueshme vlerësimin që i është bërë gjatë 45 viteve deri në vitet ‘90?
Kjo që thoni ju nuk është e vërtetë. Kurrë ndonjëherë Partia e Punës e Shqipërise nuk ka kërkuar të rivlerësohet figura e shokut Enver Hoxha. Se Enver Hoxha është i vlerësuar e nuk ka nevojë të rivlerësohet për asgjë nga komunistët, nga punëtorët dhe fshatarët e varfër, nga veteranët, intelektualët e ushtarakët patriotë e të ndershëm. Po, figurën e veprën e Enver Hoxhës duhet t'i rivlerësojnë ata që i kanë mohuar e anatemuar vlerat e tij e të veprës gjigande që ka bërë e lënë Enveri në shërbim të popullit e të vendit të vet për gati 50 vjet. Aq sa mund të tërhiqen, të korrigjohen e të "lahen" kritikët borgjezë e fashistë të Enver Hoxhës, 70-vjetori i Çlirimit të atdheut është një rast i mirë.
Ju mbroni disa teza të komunizmit. Unë i përkas një brezi që ka lindur pas komunizmit. Teksa ju dëgjoj të flisni me superlativa për ato vite, kam parasysh dhe mijëra njerëz që ende nuk gjejnë dot varret e të afërmve të tyre të vrarë nga diktatura. Apo mijëra jetë që u shkatërruan nga ideologjia komuniste. A nuk mendoni se fjalët tuaja për Enverin dhe Partinë Komuniste i lëndojnë dhe një herë ata që kanë vuajtur?
Për të qenë të qartë, të gjithë ata që nuk janë të qartë për qëndrimin tonë, po e përsëris se komunistët mbrojnë jo disa teza, siç thoni ju, po të gjitha parimet e komunizmit. Kjo së pari. Së dyti, ju nuk jeni e saktë kur i stërzmadhoni gjërat! Sepse nuk ka mijëra njerëz të vrarë nga "diktatura" dhe që nuk u gjendet varri. Unë, sigurisht nuk marr përsipër të gjykoj për rastet e veçanta të njerëzve të vrarë, që nuk u dihej apo nuk u dihet varri, por them me bindje se ata janë dënuar (mbase ndonjë jo) me vendim të gjykatave popullore, në përputhje me ligjet e kohës së socializmit, jo si sot që shteti e agjentët e tij të ekzekutojnë ditën për diell në rrugë e në mes të kryeqytetit dhe po këta të varrosin me nderime e dekorata. Së treti, nuk ka as mijëra e as qindra jetë njerëzish që të jenë shkatërruar nga komunizmi. Por ka miliona njerëz që kanë përfituar nga socializmi punë, arsim falas, shëndetësi falas, shtëpi falas, pushime falas, kurim në spitale falas etj. Duke qenë se nuk përmendët ndonjë kategori njerëzish të veçantë, unë po ju them se bie fjala, të burgosurit janë dënuar me burgim me vendim të gjykatave popullore, jo për inat të njërit a tjetrit, po për fajet a krimet e bëra nga ata vetë. Ndërsa të internuarit kanë jetuar si të tjerët atje ku kanë qenë dërguar, përjashtuar kufizime të veçanta të parashikuara nga ligjet e pushtetit popullor. Po të bësh krahasime sa të burgosur e sa jetë njerëzish të varfër të shkatërruara nga ideologjia e diktatura e borgjezisë ka sot, bilanci është në favor të socializmit. A keni dëgjuar sa njerëz të burgosur ka sot, sa burgje të reja janë hapur e janë parashikuar të hapen, sa njerëz vrasin veten nga stresi, nga varfëria, sa njerëz flasin rrugës me veten, sa jetë njerëzish ka marrë gjakmarrja e sa të tjerë ngujohen për këtë shkak, sa mijëra njerëz vdesin nga aksidentet, sa lypsa kërkojne mëshirë, sa mijëra njerëz marrin bukën e ushqimet me listë në dyqanet e privatëve zemërgjerë, sa mijëra prostituta shqiptare shesin trupin për bukën e gojës në djemtë e BE-së, sa shqiptarë të varfër ndodhen para dilemës "të rroj a të vras veten"? Dëgjo, shteti po dhe shoqëria duhet t'i vënë gishtin kokës. Se me këtë pabarazi shoqërore që është krijuar, me këtë hendek klasor që sa vjen e thellohet për ditë midis të pasurve e të varfërve e tejet te varfërve, vendi ynë do të shpërthejë në katastrofë. Së fundi, socializmi si faza e parë e komunizmit, edhe ky nuk është i përkryer, edhe ky ka të meta, kufizime. Dhe në vitet e socializmit janë bërë gabime, ka pasur teprime, dikush në pushtet edhe ka abuzuar me detyrën, prandaj ata janë ndëshkuar ose dënuar me burg e me masa më të rënda. Nuk përjashtohet që ndaj dikujt të jenë bërë dhe padrejtësi. Po një gjë nuk mund të mohohet dhe në këto raste: Njerëzit kishin një dere ku të trokisnin për të qarë një hall, jo si sot që kriminelët shëtisin rrugës, ndërsa lypësi që vjedh një bukë për të mos vdekur nga uria, kapet e dënohet deri me burgim! Nejse, komunistët kanë çfarë të shohin për të shmangur nga gabimet e bëra dhe duhet të thellohen për çfarë nuk është bërë mirë. Pse flasin komunistët për Enver Hoxhën kjo, siç thoni ju i lëndoka ata që sipas jush kanë vuajtur?! Jo, kjo nuk duhet t'i lëndojë aspak. Ata sot janë në pushtet dhe pushteti është i tyre, jo i popullit. Le të punojnë e t'i japin edhe ata popullit, aq sa pushteti i popullit u ka dhënë atyre. Por a ia japin dot?!
Ditët e fundit u hap muzeu bunker në zonën e Shish-Tufinës në Tiranë. Avokati Spartak Ngjela thotë se ky muze është në njëlloj mënyre dhe muze për Enverin i hapur nga PS-ja. Si e shihni ju?
Mos vini re se çfarë flet Ngjela. Se kur Ngjelën e përfshijnë mllefet kundër Enver Hoxhës, nuk di se ç'flet!