Muri i Kubës rrëzon të fortët
OPINION
Nga Frrok Çupi
Edhe Muri i Kubës ra.
Gazetarët simbolistë ose gazetarët e të skupit sipërfaqësor, do të gjenin këtu një lidhje mitike: Muri mes Amerikës dhe Kubës nisi të ngrihet më 1 janar 1959… dhe bash në 1 janar 2015 do të përurohet si i rënë. Bota hyn në vitin 2015 e liruar edhe nga një mur tjetër; por një mur shumë i rëndë. Të gjithë e përshëndetën, që nga Para Fransis i Vatikanit (i cili luajti rol kyç) e deri te një vogëlushe italiane ministre e Punëve të Jashtme të Bashkimit Europian.
Dje dhe pardje u mbajtën fjalime të zjarrta para popujve.
I pari presidenti i Shteteve të Bashkuara, Barack Obama e pastaj presidenti Kastro i Kubës. Të dy thanë se "fituan popujt". Ndërsa më parë gjatë acarit të Luftës (herë të Ftohtë e herë të zjarrtë), vallë kush kishte fituar?!… Diskutimi mes analistëve dhe filozofëve ka nisur. Por tashmë mes Amerikës dhe Kubës nuk ka më akull nga Lufta e Ftohtë, nuk ka më armiqësi, nuk ka më spiunë të ndërsjellët (edhe ata që mbaheshin në burgje u liruan me pompozitet të madh), nuk ka më klandestinë as anije të fshehura netëve në ujërat në mes. Mes dy shteteve, brenda pak ditësh do të vendosen marrëdhëniet diplomatike; ambasadorët e ndërsjellët janë projektuar.
Çfarë fitoi dhe çfarë humbi Bota?
Ose le të mos shkojmë në këtë rrugë kaq të gjatë sa ç'është rrethi i Botës…. Çfarë humbi e çfarë fitoi njeriu, individi, kudo që të jetë?! Kjo është pyetja. Çfarë humbe dhe çfarë fitove ti njeriu që po lexon këtë gazetë, ose miku yt që po pi kafen e mëngjesit, ose ata të tjerët që lëvizin në rrugë me ose pa ndonjë përcaktim!? Këtu në Tiranë… Kaq e zakonshme dhe kaq njerëzore vjen tashmë edhe ngjarja e madhe botërore; edhe më e madhja vjen njerëzisht…
Ti që ke humbur pas rënies së Murit të Kubës…
Besoj se edhe kjo kategori njerëzore ekziston. Përderisa ka ekzistuar kaq gjatë një mur përbindësh mes Kubës dhe Amerikës (i cili ishte Muri mes Lindjes dhe Perëndimit, në fakt), do të thotë se në Glob rronte një kategori njerëzore që pajtohej me Luftën; një kategori që i kishte vënë shpatullat Murit dhe nuk e linte të binte. Ose këta njerëz edhe e dashuronin Heroizmin ashtu si kot. Këtu mes nesh, në Shqipëri, ka një kategori të tërë që e dashuron forcën e verbër të diktaturës komuniste. Ka një kategori që thotë se në "diktaturë kishim më shumë liri", se në diktaturë "kishim qetësi", në diktaturë "kishim bukë njësoj". Edhe sot shfaqen të mallëngjyer për diktatorin; të mallëngjyer njerëz që nga të varfrit e deri te ministrat. Vetë ambasadori i SHBA tha dje se "në Shqipëri shikoj shenja të komunizmit". D.m.th., dje kur po binte Muri i Kubës mu në kufi me Amerikën.
Ja pra, ti që ke humbur diçka nga rënia e Murit, të duket se ke humbur figurat mitike të forcës. Të humbi simboli i 1 Janarit të vitit 1959 kur diktatori i Kubës, Fulgencio Batista u ndihmua nga Amerika të arratisej ndërsa revolucionari Fidel Kastro kishte marrë në dorë kontrollin e vendit. Komunistët gjithë jetën e shanë Amerikën. Sot iu humbi argumenti i sharjes… Humbi heroizmi i Kastros në Gjirin e Derrave me 16 prill 1961 kur Amerika tentoi pushtimin e Kubës, por nuk e arriti… Humbi heroizmi sovjetik i vitit 1962 kur shteti komunist i Lindjes vendosi bazat e raketave bërthamore në Kubë…. Ja këto humbën për një kategori.
Domethënë humbi simboli i forcës.
Ti që ke fituar me rënien e Murit të Kubës…
Kjo kategori njerëzore është shumë më e gjerë.
Këta kanë humbur atë që nuk e donin dhe kurrë nuk e duan. Kanë humbur hijen e të fortit. Nuk ka më të fortë në këtë botë. Sigurisht që në një pjesë të pazhvilluar të botës, diktatorët dhe të dhunshmit jetojnë gjatë. Këta quhen të fortë dhe fitojnë simpatinë e viktimave… Por spektakli i forcës mes Lindjes dhe Perëndimit, mu në kufi të Amerikës, tashmë nuk është. Vetë presidentët e dy shteteve e pranuan sfidën. I pari Obama, i cili i përket një modeli shtetëror që e ka të braktisur simbolin e udhëheqësit të fortë para individit. I dyti Kastro, i cili ndodhej në majë të atij lloji udhëheqësi që rri më këmbë veç për shkak të ushtrimit të hijes së të fortit. Gjithë Lindja komuniste ishte e pushtuar nga kjo hije. Me rënien e Murit të Kubës ra përfundimisht modeli i "udhëheqësit të fortë".
Ti që ke fituar me rënien e Murit të të Fortit, mund të jesh këtu në Tiranë. Këtu nuk ka Kubë, por ka të fortë. Të gjithë njerëzit me pushtet shfaqen si kategori kubaneze e të fortit. A do të ulet forca e këtyre njerëzve tani pas rënies së Murit të Kubës?…
Kjo është pyetja jonë.
Përshembull a do të dëgjojmë përditë nga qeveria fjalën "burg", "në burg", "nga burgu", "për burgun", "i burgut", etj? Burgu ka hyrë këtu në të gjitha trajtat: Trajtë e egër, trajtë shtëpie, trajtë qejfi, trajtë dritash, trajtë hakmarrjeje… Për të dobëtin kjo është e rëndë; për të fortët kjo është e thjeshtë. Njësoj siç ishte në Kubë ku tanimë sapo ra forca.
Kjo është pyetja jonë…
Përshembull a do të shërbejë apo do të frikësojë shteti? Shteti është makinë me hije të rëndë, të frikëson pa pasur nevojë të të kërcënojë. Por po të kërcënojë (a me tritol, a me kod penal, a me shumicë parlamentare), atëherë dridhet fëmija në bark të nënës. Por ne e kemi këtë shtet të "fortë" që frikëson. Njësoj siç ishte deri dje në Kubë.
Kjo është pyetja jonë…
Përshembull, a kemi qeveritarë të fortë? Kohët e fundit treguan se në Serbi dhe në Shqipëri ndodhen dy kryeministra "të fortë" që bëjnë rolin e trimit e të të fortit para popujve të tyre me histori konflikti. Në Kubë kishte qeveritarë të fortë, madje presidentë të fortë, madje militantë të fortë… Por vetëm deri dje. Vetëm deri dje….
Muri i Kubës nuk do të mund të ketë gjithë vlerën sikur të mos rrëzonte edhe të fortët e Ballkanit e më në Lindje.