Mustafa Nano: Është fyese dhe qesharake që Rama të investohet kaq shumë në fushatë për zgjedhjet lokale
Mustafa Nano ka bërë një shkrim kritik mbi qasjen ndaj zgjedhjeve lokale.
Ai shkruan se as kryeministri Edi Rama, nuk i ka shpëtuar dot investimit të pakuptimtë për t’u përfshirë dhe investuar fuqishëm në fushatën për zgjedhjet lokale.
Sipas Nanos, është fyese dhe qesharake që kryeministri të lërë për 60 ditë qeverisjen e vendit, për t’u marrë me fushatën për zgjedhjet lokale.
“Është fyese, madje e qesharake, situata në të cilën kryeministri i vendit lë mënjanë drejtimin e vendit për më shumë se gjashtëdhjetë ditë me radhë e vjen vërdallë nëpër Shqipëri në mënyrë të ngeshme me synimin për t’u treguar votuesve se cili ndër kandidatët lokalë është kanakari i tij, e cili është hala e tij në sy.
E vërteta është se Edi Rama po tenton në një numër drejtimesh të realizojë një (sh)këputje me trashëgiminë e këtyre 25 viteve të fundit, por ka drejtime të tjera ku Edi Rama mbetet një zgjatim i përkryer i kësaj tradite.
Të bën ta mendosh këtë gjë edhe ky investim i kotë dhe i shpërpjestimuar i tij (në një kohë që është kryeministër) në fushatën për zgjedhjet lokale dhe sidomos mesazhi që përcillet, prej tij e prej të vetëve, në forma të nënkuptuara e të troçta, se shqiptarët, për t’ia parë hairin zgjedhjes së tyre, nuk kanë rrugë tjetër, veçse të votojnë në favor të kandidatëve që i përkasin qeverisë e mazhorancës.
Kjo është një pesë me hiç", shkruan Nano për “Shqip”.