Muzeu Hebraik në Vlorë, Gonxhja sqaron debatin: Nuk ndërtohet te “Labëria”, por në godinën ngjitur
Punimet për Muzeun Hebraik në Vlorë kanë nisur, ndërsa debati për godinën ku do të vendoset muzeu ka sjellë reagimin e ministrit të Kulturës, Blendi Gonxhja.
Ai sqaroi se muzeu nuk do të ngrihet në godinën historike ku në vitin 1908 u themelua Klubi “Labëria”, por në ndërtesën ngjitur me të. Sipas Gonxhes, bëhet fjalë për dy pasuri të ndryshme kulturore dhe dy projekte të veçanta.
Ministri theksoi se godina e Klubit “Labëria”, ku ndodhet Muzeu Etnografik, nuk do të ndryshojë destinacion, por do të restaurohet dhe muzealizohet. “Godina e Klubit ‘Labëria’ jo vetëm nuk preket, por do të restaurohet dhe rijetëzohet”, deklaroi Gonxhja.
Sqarimi i plotë i ministrit të Kulturës, Blendi Gonxhja
Ka një ndryshim të madh mes mbrojtjes së historisë dhe përdorimit të historisë për të prodhuar frikë, ndasi dhe dezinformim. Tymnajat e ngritura këto ditë rreth Muzeut Hebraik në Vlorë nuk kanë asnjë lidhje me faktet. Përkundrazi, ndërtohen mbi një të pavërtetë lehtësisht të verifikueshme: pretendimin se Muzeu Hebraik po ngrihet në godinën e Klubit Patriotik “Labëria”, gjë që nuk është e vërtetë.
De facto dhe de jure, bëhet fjalë për dy godina të ndryshme, dy pasuri kulturore të regjistruara veçmas dhe dy projekte të ndryshme. Godina e Muzeut Etnografik të Vlorës, është monument kulture dhe mban zyrtarisht emërtimin “Banesa ku në vitin 1908 u ngrit Klubi Patriotik ‘Labëria’”. Muzeu Hebraik po realizohet në një tjetër godinë, monument kulture, e regjistruar si “Banesa pranë Klubit Labëria”. Dhe këto nuk janë fakte që po i bëjmë publike sot, si përgjigje ndaj tymnajës së radhës. Janë fakte të dokumentuara, të komunikuara dhe publike prej kohësh.
Madje, që më 13 mars 2024, në mbledhjen e Këshillit Bashkiak të Vlorës ku është diskutuar projekti i Muzeut Hebraik, kjo çështje është ngritur dhe sqaruar shprehimisht. Në procesverbalin zyrtar të asaj mbledhjeje evidentohet qartë se Muzeu Etnografik nuk do të preket, se ndërhyrja i përket banesës ngjitur dhe se “vetë Klubi Labëria, nuk do të preket”.
Pra, ky sqarim është bërë publik institucionalisht më shumë se dy vjet më parë, pikërisht në Këshillin Bashkiak të Vlorës. Dokumentet kanë qenë aty, faktet kanë qenë aty dhe dallimi mes dy godinave ka qenë i qartë që në procesin e vendimmarrjes. Ndaj këtu nuk kemi dy versione të së njëjtës histori. Kemi fakte të dokumentuara dhe publike prej kohësh, përballë një përpjekjeje të sotme për t’i shtrembëruar ato.
Por ka edhe një fakt tjetër që ata që sot shpallin rrezikun e “fshirjes së historisë së Vlorës” zgjedhin të mos e thonë: godina e Klubit “Labëria” jo vetëm nuk preket, por do të restaurohet dhe rijetëzohet.
Faktet janë të qarta: Muzeu Etnografik nuk po tjetërsohet, nuk po ndryshon destinacion dhe nuk po i hiqet Bashkisë Vlorë. Bordi i AADF ka miratuar fondin për hartimin e projektit të plotë të restaurimit dhe muzealizimit të Muzeut Etnografik të Vlorës. Një projekt që do të ruajë historinë dhe simbolikën patriotike të godinës, do të restaurojë monumentin dhe do të rijetëzojë muzeun sipas standardeve bashkëkohore.
Ky është dallimi mes zhurmës dhe punës. Mes atyre që prodhojnë tymnaja dhe atyre që investojnë për ta ruajtur historinë. Muzeu Etnografik i Vlorës, në godinën historike të Klubit Patriotik “Labëria”, do të restaurohet dhe do të ketë një jetë të re, duke ruajtur e përcjellë historinë dhe simbolikën e tij të çmuar.
Muzeu Hebraik po realizohet në një godinë tjetër, pranë tij, duke krijuar së bashku një pol të ri muzeal e kulturor në zemër të Qendrës Historike të Vlorës, që pasuron ofertën shpirtëore të qytetit, fuqizon kujtesën dhe identitetin e tij dhe i jep një tjetër shtysë zhvillimit turistik, kulturor dhe ekonomik për tërë komunitetin.
KOHA JONË SONDAZH

