Na ishin një herë laboratorët agro-kimike
Dr. Gjovalin Gjeloshi/Toka si planet dhe toka bujqësore në veçanti, është një organizëm i gjallë. Jo në kuptimin e lëvizjes apo të rrotullimit rreth boshtit të vet, etj. Toka bujqësore është një organizëm i gjallë sepse zhvillohet përditë, pasurohet, varfërohet, ushqen bimësinë (vetëm një nënë e gjallë dhe e shëndetshme ushqen fëmijën që rritet si filizi i bimës), mbanë në trupin e saj miliarda mikroorganizma etj. Ajo karakterizohet prej dhjetëra vetive e karakteristikave nga më të ndryshmet, ndoshta më shumë se çdo trup tjetër i gjallë. E quajmë: tokë të mirë e pjellore, tokë të varfër, gëlqerore apo të kripëzuar, toka acide apo të shpëlara, e rëndë apo e mesme, argjilore apo torfike. Vetëm “tokë e keqe” nuk themi kurrë, se në të vërtet nuk ka të tillë. E pra, njerëz të këqij ka.
Toka ka ngjyrë e nëpërmjet saj ne përcaktojmë tipin, shkallën e pjellorisë (të përafërt, në mënyrë empirike) si dhe ndarjen e horizonteve gjenetike të tokës. Toka ka konsistencë, me të cilën duhet të kuptojmë paraqitjen e jashtme të ngjeshmërisë, të shkriftimit apo porozitetit të saj. Prej shkallës së ngjeshmërisë tokat ndajmë në disa shkallë: nga shumë të ngjeshura e deri në poroze të mëdha. Toka ka strukturë, që nënkupton aftësinë e tokës për t’u ndarë në pjesë. Madhësia, format dhe vendosja e granulave të tokës në mes tyre, përbën strukturën, që është një nga cilësitë morfologjike më të rëndësishme që ka toka. Në të vërtet, struktura shpreh shkallën e pjellorisë. Toka ka teksturë e cila e renditë atë nga ranoret e deri te tokat argjilore si dhe klasat e përziera të tyre. Këto të fundit ne i quajmë toka të ekuilibruara dhe që përbëjnë grupin më të madh të tokave në të gjitha vendet dhe më të përshtatshmet për kultivimin e kulturave bujqësore.
Toka ka peshë specifike, ka densitet vëllimor dhe porozitet. Ka lëndën e saj organike që përbën “bërthamën” e pjellorisë së saj. Ashtu siç ka edhe organizmat e gjalla (gjallesat e saj). Toka ka reaksionin e vet kimik: aciditetin dhe alkalinitetin, ndaj të cilit reagojnë në mënyra të dukshme e të ndryshme mikroorganizmat e tokës si dhe bimësia. Kemi një sistem kombëtar të klasifikimit të tipeve të tokave, që i renditë ato nga tokat livadhore malore e deri te të kripura e moçalike. Këtë sistem kombëtar të klasifikimit e kemi “ekuivalentuar” edhe me legjendën që përdorë FAO/UNESCO
Mbi të gjitha, toka mbanë elementët ushqyes jetësorë për bimësinë. Disa prej këtyre elementeve janë thelbësorë, pa të cilët bima nuk do të prodhonte. Këta elementë, për nga sasia që i duhen bimës, quhen makroelementë ose mikroelementë. Ndërkohë që sasia e tyre në masën e tokës bujqësore, nuk mund të dallohet dhe as të vlerësohet me sy dhe as të peshohet me mjete mekanike, për të ditur nëse ekziston sasia e nevojshme në tokë apo jo. Elemente të tilla si: azoti, fosfori, kaliumi apo edhe magnezi e kalciumi ndodhen në tokë në sasi të mëdha, por natyrisht jo e gjithë kjo sasi është e asimilueshme nga bima në mënyrë periodike vjetore. Por edhe mikroelemente të tilla si: hekur, mangan, zink, bakër, molibden, klor etj., vijnë nga toka. Ka edhe elementë të tjerë që mund të jenë të domosdoshëm për grupe të caktuara bimësh.
Të gjitha sa thamë më sipër (edhe pse i ramë larg e larg), e bëmë për të treguar se toka si organizëm i gjallë duhet të trajtohet si e tillë. Siç bëjmë analiza mjekësore-laboratorike për organizmin tonë – ashtu duhet të bëjmë herë pas here edhe për tokën, këtë organizëm të paçmueshëm e të pazëvendësueshëm. Gjatë veprimtarive e përdorimit, tokës bujqësore i janë bërë tradicionalisht dy lloj analizash: agrokimike, një herë në çdo katër vjet, pasi për kaq periudhë mendohet se mund të ndryshojë sasia e elementeve ushqyese në tokë dhe aciditeti i saj; si dhe analiza pedologjike, për të përcaktuar një sërë parametrash e vetish, që fillon me tipin e tokës, strukturën, teksturën e tregues të tjerë që i përmendëm më sipër e që nuk ndryshojnë me vite, por me dekada. Ndaj edhe përsëritja e analizave pedologjike të tokave bëhet një herë në disa dhjetëra vjeçarë.
Por, si e kemi sot gjendjen? A e dimë ne fermerët, pronarët e tokave bujqësore, se sa pjellore e kemi tokën që kemi në dizpozicion dhe se, si duhet ta ushqejmë që të na ushqejë edhe ajo ne? Siç e përmendim shpesh edhe për raste të tjera kur vjen fjala te bujqësia, pas vitit 1990, ashtu siç u shkatërrua edhe infrastruktura tjetër e bujqësisë e shumë punë u lanë pas dore, edhe me analizat agrokimike të tokave nuk u mor askush. Megjithëse, u trashëgua një bazë shumë e mirë laboratorike, pajisjet e këtyre laboratorëve zunë “ndryshk” derisa u zhdukën fare. Në të 26 rrethet e Shqipërisë kishte nga një stacion bujqësor, që në fakt thirrej “laboratori i tokave”. Aty kryheshin rregullisht, me një periodicitet të caktuar, analizat kimike e pedologjike të tokave të të gjithë vendit. Instituti i Studimit të Tokave në Tiranë e udhëhiqte këtë punë, por të gjitha rrethet patën nga një “miniinstitut” të tillë dhe një staf profesionalisht të kualifikuar, që përgatitnin hartën agrokimike të tokave në mënyrë periodike. Mbi bazën e këtij studimi e të këtyre analizave, hartohej bilanci i plehërimit, preventivoheshin punimet në bujqësi, planifikoheshin rendimentet, bëhej rajonizimi i kulturave bujqësore, bëheshin investimet për rritjen e pjellorisë së tokës bujqësore apo nxirrej kostoja e prodhimeve.
Ka minimumi 25 vjet që nuk e dimë se sa pjellore apo të varfëruar e kemi tokën. Sa plehra organike apo kimike duhet të përdorim për të marrë maksimumin e rendimentit me një përdorim minimal të tyre. Ka kaq vjet që nuk dimë se cila bimë shkon më mirë-ku, dhe si duhet të investojmë në mënyrë të qëndrueshme mbi tokën bujqësore. Shumica dërmuese e fermerëve ecin kuturu në këtë drejtim. Jo vetëm kur mbjellim bimë një apo dyvjeçare, por edhe kur investojmë në bimë me cikël disa dhjetëra vjeçarësh si pemëtore, ullinj apo vreshta, kurrkush nuk shqetësohet se në cilën tokë duhet të mbjellin. Ç’përbërje kimike e pedologjike ka dhe a mundet që këtë tokë ta përmirësojmë, nëse ashtu siç është nuk u përshtatet bimëve që dëshirojmë të mbjellim. Dhe kjo nuk vjen më shumë nga pakujdesja, por nga mospasja e mundësive teknike për t’i kryer tokës analizat kimike.
Është për të ardhur keq që në të gjithë Shqipërinë, sot ka vetëm një laborator tokash që mund ta konsiderosh “të mirë” në kuptimin e vërtet të fjalës. Para disa kohësh dëgjoja lutjen e një shefeje sektori në ministrinë e bujqësisë që u thoshte fermerëve, “të bënin analizat e tokës kur duan të investojnë”. Dhe si zgjidhje të vetme jepte laboratorin e tokave në QTTB të Fushë-Krujës. “Është një përgjegjësi shumë serioze”- porosiste specialistja e ministrisë. Shumë e drejtë, për këtë po flasim, por çfarë mund të bëjë një laborator i vetëm me disa laborante për të gjithë tokat që ka Shqipëria. Jo vetëm në rrethet e dikurshme (në bashkitë e sotme as që bëhet fjalë), por as në qendrat rajonale të vendit nuk ekziston asnjë laborator. Për ekzistencën e laboratorëve agrokimike mund të bësh “be” vetëm për pesë Qendrat e Transferimit të Teknologjive Bujqësore: Shkodër, Lushnjë, Vlorë, Korçë e Fushë-Krujë dhe në Universitetin Bujqësor të Tiranës. Madje vetëm në Fushë-Krujë mund të bëhen analiza të plota e gjithëpërfshirëse: analiza agrokimike e pedologjike të tokave, humus e aciditet, gjurmë të elementeve kimike në prodhimet bujqësore, analizë e përqindjes lëndëve aktive në plehrat kimike etj. Nuk mund të kryesh analiza qoftë edhe për të gjithë makro-elementet, as në Shkodër, as në Lushnjë dhe as në Korçë apo Vlorë.
Nuk po mendoj që, “shoqin” e laboratorit të Fushë-Krujës ta kenë të gjitha bashkitë e vendit dhe as që të gjitha bashkitë të kenë nga një laborator të thjeshtë tokash për të kryer analizat kryesore: azot, fosfor, potas e ph. Këto laboratorë që nuk kushtojnë shumë, le t’i investojë qeveria në bashkitë më kryesore të vendit (nga Shkodra e deri në Vlorë, bashkë me Korçën e Maliqin), të cilat kanë bujqësi intensive. Krahas investimeve të tjera për tokën bujqësore (që po e nënvleftësojmë përditë), pajisja me laboratorë agrokimike e drejtorive të bujqësisë të disa prej bashkive të zonës së sipërpërmendur, do të ndikonte së tepërmi në intensifikimin e punës me tokën bujqësore. Këtë tokë gjatë këtyre dy dekadave e gjysmë, vetëm e kemi mjelë, pa i vënë gjë në grazhd dhe po e shpiem drejt anoreksisë.