Ndahet nga jeta në moshë të re Joana Qyli, pjesë e konsullatës shqiptare në Selanik
Një lajm i trishtë vjen nga Selaniku, pasi është ndarë nga jeta në moshë të re Joana Qyli, pjesë e stafit të Konsullatës së Përgjithshme të Republikës së Shqipërisë në këtë qytet. Lajmi u bë i ditur nga vetë Konsullata, përmes një postimi në rrjetet sociale, ku shprehej dhimbje dhe pikëllim për humbjen e papritur të koleges.
“E trishtë përtej dhimbjes të shohësh si shuhen këto sy plot jetë. Joana Qyli ka shembëlltyrën e mirësisë dhe frymëzimit të një vajze plot dashuri për jetën, familjen dhe miqtë e saj. Si pjesë e stafit të Konsullatës, Joana fitoi respektin dhe ngrohtësinë e kolegëve dhe qytetarëve që me aq përkushtim u shërbeu. Edhe pse rrugëtimi i saj me jetën ishte i shkurtër, ajo arriti ta ndërtonte atë bukur, me ngjyrat e shpresës dhe forcën për të mposhtur dhimbjen. Ngushëllimet më të ndjera familjes dhe të afërmve për këtë humbje të pafjalë. Qofsh e Parajsës, Joana Qyli,” – shkruhet në njoftimin e Konsullatës.
Për ndarjen e parakohshme nga jeta të saj ka reaguar edhe kryetari i Kuvendit, Niko Peleshi, i cili ka shprehur ngushëllimet për familjen e mikut të tij, Thoma Qyli.
“Joana, vajza e mikut tim Thoma Qyli, u nda nga jeta në një moshë ku gjithçka duhej të kishte filluar. Një vajzë e mirë, me shpirt të pastër, e talentuar dhe plot jetë. Nuk ka fjalë që mund të ngushëllojnë një prind për humbjen e fëmijës, por mendimet dhe lutjet janë me familjen Qyli në këtë dhimbje të pamatë. U prehtë në paqe Joana, dhe kujtimi i saj qoftë dritë përjetë,” – shkroi Peleshi.
Ndarja nga jeta e Joanës Qyli ka prekur thellë komunitetin shqiptar në Selanik, kolegët e saj në Konsullatë dhe miqtë që e kanë njohur për pozitivitetin, mirësinë dhe profesionalizmin e saj.
KOHA JONË SONDAZH

