“Nderet dhe degradimi i shoqërisë”

 

Nga Dorjan Tozaj

Cili është kuptimi i vërtetë i fjalës ‘[n]der’? Të mbes në derë, ta lashë në derë, apo të dyja njëkohësisht? Të mbes në derë për të më ndihmuar në hallin që kam. Dhe në të njëjtën kohë ta lashë në derë sepse pasi të kam ndihmuar pres të bësh të njëjtën gjë.

Që të bësh ndere qoftë për përfitim të menjëhershëm apo me shpresën se do të kthehet në të njëjtën formë në të ardhmen, është vetëm një tregues i pasigurisë që ndjen qenia njerëzore. Eshte frikë. Dhe sa më e friguar shoqëria, aq më të përhapura nderet. Është paradoksale kur mendon që origjina e fjalës ka domethënien e kundërt, me atë të guximit. Aq shumë i kemi keqpërdorur nderet saqë e kemi transformuar plotësisht kutpimin e vet fjalës dhe të veprimit.

Nderet zakonisht shoqërohen me ‘rryshfete’. Dhe ndërsa mund të praktikohen nga shtresat elitare në shoqëritë e ndryshme Europiane, në territoret e ish-perandorisë otomane ato shtrihen në pothuajse të gjitha shtresat e shoqërisë.  Dhe askund më shumë se në Shqipëri, aty ku kjo perandori zgjati më shumë se kudo tjetër në Europë, ky fenomen nuk është më i përhapur dhe më i dëmshëm për ndërtimin e demokracisë.

Është vetidentifikues fakti që në Shqipërinë tonë nderet janë bërë zakon shoqëror dhe është bërë kaq pjesë e pandashme e jetës së saj të përditshme, saqë nëse nuk e zbaton merr një ndëshkim shoqëror edhe më të rëndë se sa për shkelje të ligjit.

Në asnjë situatë kjo nuk kërkohet më shumë se sa në abuzimin me pozicionin zyrtar. Fillon me “më bëj një nder” më gjej një krevat të rehatshëm të porsalindurit, vazhdon me jepi një notë apo disa nota më shumë të paaftit, e përfundon me kërkesën për një vend të përshtatshëm për t’u prehur dikush që largohet nga kjo botë. Jeta në Shqipëri fillon e ngryset me ndere. Por sa i dobishëm apo i demshëm është nderi?

Nderet janë në shkolla, në spitale, në gjykata, në sport, madje edhe për vendet në stadium. Dhe janë këto ndere mbi të cilën ecën shoqëria jonë, që kanë bërë që shumica e atyre që ne shkojmë t’i ndjekim e mbështesim në stadium, të jenë bërë sportistë të aftë jashtë territorit të Shqipërisë. Janë po të njëjtët shqiptar, me po të njëjtat aftësi fizike e mendore, që gjejnë veten jashtë, por humbasin dhe demoralizohen në Shqipëri.

Mirëpo ndërsa futbollistët i shtojnë krenarinë vendit, profesione të tjera mbajnë gjallë shtetin. Ndaj nderi kthehet në problem kombëtar kur të gjitha fushat e shoqërisë preken prej tij. Aq i madh është ky problem, saqë gradualisht e pa kuptuar, kjo dukuri e urryer ka çuar në atë që unë do ta quaja mirëmbajtja e ‘gjenocidid të inteligjencës’ brenda kufijve të Shqipërisë. Çfarë është gjenocidi i inteligjencës dhe si promovohet nga nderi?   

Së pari, pa dashur të largohem nga diskutimi kryesor i këtij dorëshkrimi, dua të theksoj që problemet aq të dukshme të shoqërisë shqiptare dhe për të cilat ankohemi e qahemi përditë, paaftësia, korrupsioni, politika e keqe e të tjera, rrjedhin nga një burim i vetëm. Mungesa e kapaciteteve njerëzore. Kjo mungesë kapacitetesh ka shkaqe të vjetra historike. Ajo nis që me largimin e elitës shqiptare të pas vdekjes së heroit kombëtar Skënderbeut, kur pjesa më e mirë e elitës së atëhershme, përfshirë edhe vet familjen e heroit, emigruan në jug të Italisë.

Vazhdoi me shtypjen që aplikoi perandoria osmane nga ku ne dolëm të pa-arsimuar dhe më të prapambeturit krahasuar me botën që na rrethonte. U pasua nga politika satrape e Zogut. Megjithëse kjo periudhë mundësoi formimin një grupi të arsimuar në vendet e tjera si Austri e Itali. Por kjo shkëndij e shpresë mendore u shuajt në mënyrën më të ashpër nga regjimi komunist, i cili jo vetëm nuk i lejoji që aftësitë e tyre t’i vinin në shërbim të vendit, por i eleminoi, në shumicën e rasteve fizikisht. Dhe tani në çerekshekullin e paskomunizmit, hileja e trashëguar ballkanike e rafinuar në mënyrën shqiptare, po vazhdon dhe po e mirëmban këtë gjenocid inteligjence, me një formë më të butë, por që efektet i ka të njëjta.

Sot kjo fillon me nderet nëpër shkolla. Në dy shokë ku njëri është inteligjent dhe studioz, ndersa tjetri me pak i tillë, por me aksese dhe financa të shëndosha. I pari kërkon dhe studion, i dyti lodron e rehaton. I pari merr nota pak më poshtë se maksimumi, sepse nota maksimale është rezervuar për të dytin që ka aksese dhe normalisht mësuesja/profesori ka interesa tek këto aksese. Kur mbarojnë shkollën e në të njëjtën mënyrë universitetin, i pari me aksese ndihmuar edhe nga fiktiviteti akademik që e ka siguruar, gjen punë shpejt e në vend të mirë. I dyti ngelet në shtëpi, apo ngushëllohet me miqtë bashkëvuajtës duke u zhytur përditë e më shumë në humbje të vetbesimit. Derisa vendos të largohet, apo të pranojë realitetin që nuk mundet ta ndryshojë.

Mirëpo humbësi më i madh në këto kushte është Shqipëria. Sepse puna, ndershmëria dhe aftësia e të parit do të jepte atë kontributin e vogël që duke e bashkuar me të tjerë si ai do krijonte atë energji që i mungon vendit. Ndërsa i dyti do të vazhdoi ashtu siç është mësuar, duke marrë ato që nuk meriton, e duke e dhënë ato që nuk janë të tijat. E duke na sjellë në situatën ku të gjithë marrin atë që nuk meritojnë dhe të tjerët presin në radhë të bëjnë të njëjtën gjë sapo t’ju jepet mundësia.

Kur raste të tilla shumëzohen me mijra dhe kjo nuk është aspak e tepëruar për realitetin shqiptar, ato rezultojnë në gjenocidin e inteligjencës totale të shoqërisë, që e shkakëton dhe e miremban ‘butësisht’ nderi. Inteligjentin dhe punëtorin e zëvendëson mediokri dhe pazarliu. Të gjithë shpresojnë në ndere, të gjithë humbasin prej tij. Dhe këtu më kujtohet shprehja e një diplomati në Shqipëri, ish-Ambasadori i Danimarkës, që me sa duket e shihte realitetin më mirë se politikanët tanë të verbuar nga interesa të vogla. Kur tha se ‘nuk keni luksin të humbisni qoftë edhe një person të aftë nga administrata publike’. Kjo demonstron gjendjen e dëshpëruar që ajo ka për njerëz të aftë.

Është e domosdoshme të kuptohet dhe të fillohet të veprohet duke u distancuar nga nderet në sistemin e arsimit. Të paktën aty duhet të funksionojë meritokracia. Sepse aty filtrohet dhe pastaj shpërndahet në të gjithë trupin e saj ‘gjaku’ që mban gjallë shoqërinë shqiptare. Nëse nuk ndahemi nga të ashtuquajturat ndere, do të vazhdojmë të infektojme shoqërinë me të diplomuar me mastera e doktoratura, por që në fakt janë të paedukuar e për rrjedhojë të rrezikshëm për vendin. Dhe me këtë degradim të vazhdueshëm, Zoti e di se ku përfundon?!

        

Ish Zv-Rektor dhe Pedagog i Drejtësisë në Universitetin e Vlorës. Drejtor i Tony Blair Faith Foundation. Konsulent Ligjor në EEC, London

SHKARKO APP