Ndërhyrje e avancuar në Spitalin Memorial, Rama: Për herë të parë realizohet me sukses procedura TEVAR
Kryeministri Edi Rama ka bërë të ditur realizimin për herë të parë në një strukturë spitalore publike të procedurës TEVAR, një ndërhyrje endovaskulare për trajtimin e disekacionit akut të aortës, tip B.
Përmes një njoftimi, Rama ka ndarë rastin e një pacienteje 68-vjeçare, e cila iu nënshtrua procedurës në Spitalin Memorial. Sipas kryeministrit, pacientja është në gjendje të stabilizuar, pa komplikacione dhe me ecuri të mirë klinike. “Për herë të parë në një strukturë spitalore publike u realizua me sukses procedura TEVAR, për trajtimin endovaskular të disekacionit akut të aortës tip B”, shkruan Rama.
Kryeministri e ka cilësuar ndërhyrjen si një hap të rëndësishëm për trajtimin e patologjive komplekse të aortës në sistemin publik shëndetësor. Procedura TEVAR është një teknikë endovaskulare që përdoret për trajtimin e sëmundjeve të aortës torakale dhe, në rastet e përshtatshme, mund të shmangë nevojën për kirurgji të hapur. Rama ka theksuar se realizimi i kësaj ndërhyrjeje në Spitalin Memorial zgjeron kapacitetet e sistemit publik për trajtimin e patologjive të ndërlikuara kardiovaskulare.
”Për herë të parë në një strukturë spitalore publike u realizua me sukses procedura TEVAR, për trajtimin endovaskular të disekacionit akut të aortës tip B. Pacientja 68-vjeçare është në gjendje të stabilizuar, pa komplikacione dhe me ecuri të mirë klinike. Një hap i rëndësishëm për trajtimin e patologjive komplekse të aortës në sistemin publik shëndetësor”,-shkruan Rama.

