Nderim për Dëshmorin e Atdheut, drejtori Hita i dorëzon familjes Mekolli medaljen e mirënjohjes. Djali fiton status të veçantë
Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Skënder Hita, i dorëzoi familjes së Dëshmorit të Atdheut, Enea Mekolli, medaljen e mirënjohjes të akorduar pas vdekjes për aktin e tij sublim në krye të detyrës, gjatë një vizite të zhvilluar me rastin e ditëlindjes së parë të djalit të efektivit të ndjerë.
Gjatë vizitës, Hita i dorëzoi familjes edhe dokumentacionin që njeh djalin e Dëshmorit me statusin “Fëmijë në përkujdesje të Republikës” si dhe një çek simbolik me vlerën 7 milionë lekë të rinj, shumë e transferuar në llogarinë bankare të familjes si kontribut solidariteti nga punonjësit e Policisë së Shtetit.
Hita u shpreh se asnjë mbështetje nuk mund ta zëvendësojë humbjen e Enea Mekollit, por siguroi familjen se Policia e Shtetit, Ministria e Brendshme dhe institucionet shtetërore do të jenë pranë saj në çdo moment. Sipas tij, djali i Dëshmorit, i cili mbushi një vjeç, do të përfitojë të gjitha të drejtat që parashikon ligji për fëmijët në përkujdesje të Republikës, përfshirë pagën e plotë të babait deri në përfundimin e arsimit të lartë, arsim dhe shërbim shëndetësor falas, si dhe përfitime të tjera ligjore.
Hita theksoi gjithashtu se fondi prej 7 milionë lekësh është mbledhur nga punonjësit e Policisë së Shtetit si shenjë respekti, mirënjohjeje dhe solidariteti për sakrificën e Inspektorit Mekolli dhe mbështetje për familjen e tij. Nga ana e tyre, familjarët e Dëshmorit falënderuan Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Shtetit dhe të gjithë punonjësit e policisë për mbështetjen e vazhdueshme dhe solidaritetin e treguar që prej ditës kur Enea Mekolli humbi jetën në krye të detyrës.
KOHA JONË SONDAZH

