Ndërtimet pa leje, numër i papërfillshëm denoncimesh

E pikërisht për këtë arsye, qeveria ka menduar ta amendojë ligjin ekzistues për inspektimin e ndërtimit dhe INUK-un, duke garantuar në këtë mënyrë një efikasitet më të mirë në luftën kundër ndërtimeve të tilla në rang vendi. Këto fakte pohohen në relacionin përkatës që shoqëron këtë projektligj, duke shtuar se aktualisht sot ndërtohet në mënyrë të kundërligjshme në çdo komunë/bashki dhe rastet e ndalimit të tyre janë të papërfillshme, në krahasim me dëmin që i shkaktohet territorit. “Të dhëna të tilla negative imponojnë dhe domosdoshmërinë e ndryshimeve në ligjin në fjalë duke synuar bërjen e tij sa më efektiv, me qëllim final parandalimin në maksimum të fenomenit të ndërtimeve pa leje, fenomen ky i cili u kundërvihet të gjitha atyre parimeve, që sanksionojnë qartë kornizën e planifikimit dhe zhvillimit të territorit”, sqarojnë ekspertët e qeverisë lidhur me një fakt të tillë. Për të vijuar më tej me faktin se me ndryshimet e propozuara kërkohet: –  Sigurimi i ndërhyrjes së menjëhershme dhe të pakufizuar të IKMT-së në zonat/çështjet/objektet me rëndësi kombëtare dhe në territor. – Legjitimimi i IKMT-së për të paraqitur padi në gjykatë në rastet e një lejeje ndërtimi të dhënë në kundërshtim me ligjin. – Rritja e bashkëpunimit ndërmjet IKMT-së dhe inspektorateve vendore si dhe llogaridhënies së këtyre të fundit ndaj IKMT-së duke i detyruar vendorët të japin informacionin e kërkuar nga IKMT-ja brenda një afati të arsyeshëm, si dhe duke i dhënë kësaj të fundit të drejtën të ndërhyjë dhe në zona që nuk

përfshihen në ato me rëndësi kombëtare. Gjithashtu, krahas ndryshimeve në këtë projektligj, janë propozuar ndryshime dhe në Kodin Penal, në dispozitën që parashikon veprën penale të ndërtimeve të paligjshme, (neni 119 i Kodit Penal), me qëllim përputhjen e përkufizimit të kësaj vepre me mënyrën, mjetet e kryerjes së saj në praktikë, me nocionin aktual të termit “ndërtim” si dhe me nevojën për të rritur rolin aktiv të Policisë së Shtetit në ushtrimin e atributeve të Policisë Gjyqësore në ndjekjen dhe procedimin penal të autorëve të kësaj vepre penale.

“Në projektligj propozohet të ndryshojë emërtimi nga “Inspektorati Ndërtimor e Urbanistik Kombëtar” në “Inspektorati i Mbrojtjes së Territorit”. Një ndër risitë që sjell ky projektligj është edhe eliminimi i kufizimeve të IKMT-së për të vepruar dhe mbushja e hapësirave ligjore të ligjit aktual, i cili ka mundësuar, njëkohësisht, si lejimin e ndërtimeve/ punimeve/ zhvillimeve të kundërligjshme në territor, ashtu edhe pengimin e INUK-ut që të veprojë në rastet e mosveprimit të INU vendor, pikërisht për shkak të procedurës të papërcaktuar qartë”, citon relacioni në fjalë.

Periudha 2009-2014

 

Ndërtime pa leje dhe denoncime nëpër rrethe:

– Në bashkinë e Tiranës janë mbajtur 5823 ndërtime pa leje, lidhur me të cilat nuk jepet asnjë informacion për numrin e kallëzimeve penale të depozituara.

– Në bashkinë e Durrësit janë konstatuar 722 ndërtime pa leje, për të cilat janë paraqitur vetëm 12 kallëzime penale

– Në bashkinë e Vlorës janë konstatuar 376 ndërtime pa leje, për të cilat janë paraqitur vetëm 88 kallëzime penale.

– Në bashkinë e Korçës janë konstatuar 280 ndërtime pa leje, për të cilat janë paraqitur vetëm 20 kallëzime penale.

– Bashkia Bajram Curri, në të cilën, për periudhën 2012-2014, rezulton të jenë konstatuar 138 ndërtime pa leje, për të cilat nuk është paraqitur asnjë kallëzim penal.

– Bashkia Belsh, në të cilën, për periudhën 2009-2014, janë konstatuar 138 ndërtime pa leje, për të cilat rezulton të mos ketë informacion për numrin e kallëzimeve penale të depozituara.                                                Etj.

LISTA

Kallëzimet e kryera prej INUK:

– Për periudhën shtator 2009 – shtator 2013, INUK-u ka bërë gjithsej 18 kallëzime penale, kurse për periudhën shtator 2013-2014, INUK-u ka bërë 3 kallëzime penale, për ndërtime të kundërligjshme.

– Për vitin 2013, INUK-u ka marrë 233 vendime për pezullimin e punimeve të kundërligjshme dhe 102 vendime për prishje të objekteve pa leje, ndërkohë që për vitin 2014 janë marrë 146 vendime pezullimi dhe 479 vendime për prishje

SHKARKO APP