Ndëshkimi, një element edukues apo diktatorial?
Nga Irfan Rama
Ka kohë që po bëhet një debat publik në lidhje me masat ndëshkimore që ka ndërmarrë shteti me institucionet e tij kundër moszbatimit shumë të shpeshtë të ligjit nga qytetarët. Moszbatimi i ligjit është një kundër rrjedhë që i ka rrënjët e rrënjëzat në hershmërinë e krijesës njerëzore dhe shtetit. E drejta romake ka në themel konceptin e normës dhe sanksionit- ose ndëshkimit- dhe të dyja së bashku përbëjnë atë që quhet normë juridike. Në normë përfuten rregulla të caktuara, që duhet të zbatojnë njerëzit në një shoqëri të një shteti x apo y, në një fushë të caktuar dhe sipas shkallës së rrezikshmërisë që paraqet për qytetarët dhe shtetin, ruajtjen të pacenuar të tyre, popujt nëpërmjet përfaqësuesve të tyre kanë vendosur edhe sanksionet e ndryshme ose ndëshkimet. Sanksionet më të “egra” janë ato penale dhe ato më “trembëset” për këdo, por sidomos për ne shqiptarët janë ndëshkimet me burg, që përnisin nga disa muaj deri në burgun përjetik. Deputetë të veçantë të pozitës dhe shumë deputetë të opozitës në Shqipëri, e quajnë burgosjen e personave ose shtetasve, për çështjet e ditës, të cilët shkelin rregullat dhe abuzojnë si diçka diktative, si diçka diktatoriale, si një atavizmë të regjimeve fashiste e policeske. Shkohet deri aty sa nga një analist i njohur përdoret pyetja apo hipoteza pikëpyetsore: burg për sistemin apo burg për njerëzit?! Le të përligjërojmë pyetjen apo hipotezën mendimtare e deri diku filozofike: Rendet shoqërore tashmë dihen që kur kanë përnisur ose më herët për tu gërmëzuar në drurë apo roke ujore pa nisur e shkrojtura në celuloid sipas trashësive. Tashmë dy sisteme ka: ai kapitalist dhe tjetri komunist. Kapitalisti shumë konglomeratësh ku përfshihen: kapitalisti amerikan dhe europiano-perëndimor ku të drejtat, liritë, detyrimet dhe trysnitë ligjore kanë arritur nivele të larta; formate shtetesh kapitaliste diktatoriale, ku liritë e të drejtat e njeriut shkelen gijotinisht edhe për një fjalë goje kundra regjimore, si në disa vende islamike e vende të tjera dhe nobelistët e Stokholmit japin Nobel edhe për një adoleshente të epërme të tipit, Malala, që çuditi botën për bëmat e saj liridashëse. Dhe komunisti i tipit Fidel Kastro dhe që SHBA e Obama nëpërmjet infiltrimeve alla basketbollistësh të mëdhenj, aktorësh të përthithur nga masat kubaneze, për të mësuarit dhe të trajnuarit të fëmijëve, po negocojnë tashmë për tu afruar pas 50 vitesh kontradiktore sistemesh (kontradiksioni antagonist mund të kthehej në luftë nukleare pesëkontinentëshe në fillim vitet 60, midis SHBA-së së Xhon Kenedit, super demokrat e lirik dhe “duetit “ Kubë – BRSS, shtete që udhëhiqeshin nga lidershipët Kastro-Hrushov). Kemi edhe shtete të tipit groelandik komunist si ai i Koresë së Veriut, me një udhëheqës liliput, por që ka trashëguar nga babai dhe gjyshi genet më radikale dhe primitive, sa kërkon të sfidojë të gjithë botën me sistemin nuklear dhe me përgatitjet e ethshme deri të fëmijëve, me internetizimin dhe programimet kompjuterike Kundër Rendit Kapitalist. Udhëheqësi koreano-verior ka arritur deri aty sa nëpërmjet luftës kibernetike dhe hakerët të errësojë hakërisht kompani të Hollivudit për një film kundër udhëheqësit korean e regjimit të tij. Obama e quan së fundi gijotimin kompjuterik të kompanisë hollivudiane, si një shqetësim serioz për SHBA, që do të marrë përgjigje. Ka edhe shembuj të tjerë shtetesh të mëdha gjysëmshtetëror socialist e komunist dhe pronë private, që për një grup të madh qytetarësh, të cilët u kapën me drogë kohë më parë, u pushkatuan me një gjyq të shkurtër – pa volumizma letrash – nga revolshkrehës ushtarakë pesë centimetër pranë kokës. E shtete të tillë vendosin veton në Këshillin e Sigurimit të OKB-së. Një sistem tjetër i ri shoqëror akoma nuk është shpikur që do ta kishte idealin e drejtësisë dhe ndershmërisë hyjnore. Në Shqipëri sistemi kapitalist kërkon revolucionarizim dhe luftë ndaj korrupsionit dhe parazitizmit shumëplanësh që gërryen shtetin. Sistemi ynë i drejtësisë që është i infiltruar gati totalisht nga politika dhe oligarkia financiare nuk jep shpesh herë e shumë herë drejtësi. Se po të jepej drejtësi sipas peshoreve me nivel e krahë të barabartë, Shqipëria nuk do të ishte prej kohësh në këtë sort derexheje të zbatimit të ligjit. Në SHBA ka sythëzuar një debat i madh pas vrasjes së një amerikani me ngjyrë, si rezultat i tejkalimit të kompetencave të disa policëve amerikanë dhe ka patur protesta ndaj dhunës policore nga shumë amerikanë të bardhë, me ngjyrë, espanikë, etj. Këtu tek ne disa shoqata as nuk dënojnë të ngrihen për shkeljet e të drejtave njeriut, por mjaftohen me ca shkresa e seminare të mbyllura . Ndërkohë vrasja e dy oficerëve të policisë ditët e fundit, njëri me origjinë kineze dhe tjetri hispanike ka ngritur në këmbë mbarë opinionin amerikan. Kryebashkiaku i Nju Jorkut, Bill de Blasio, ish- kryebashkiaku Xhyliani, ish-kandidati Republikan për president gjashtë vjet më parë Xhon Mekej, turma policësh dhe drejtuesish të tyre të bardhë e me ngjyrë kanë bërë apel për të mbrojtur “Protecters of Low” (mbrojtësit e ligjit) dhe jetës së qytetarëve amerikan. Një oficer problematik me ngjyrë ka vrarë dy njerëz të devotshëm të policisë tejatlantikase. Në USA të paktën në 40 shtete ekziston dënimi me vdekje dhe pavarësisht nga përzgjatja e gjyqit dhe ankimimeve, në fund inxheksioni vepron për t’i dërguar në botën tjetër vrasësit, pavarësisht trysnisë së shoqatave për mbrojtjen e të drejtave të njeriut. Në Shqipëri janë vrarë shumë, policë, oficerë, drejtues komisariatesh etj dhe drejtësia shqiptare, në një vend kandidat i BE, ku dënimi kapital është hequr, ka hipur mbi Breshkë dhe ka nisur dremitjen e pandalshme!!! Dhe vetëgjyqësia e gjakmarrja shumë, e tepër shpesh zëvendëson shtetin. Kryeministri shqiptar, tok me organet kompetente kanë ndërmarrë nisma ligjore dhe nisma zbatuese të ligjit, për vjedhjet e energjisë elektrike, mospagimin e energjisë elektrike, ndërtimet pa leje, kundërvajtjet në prerjen hapta
s e pa kriter të pyjeve, mbylljen e oxhaqeve të tymnajave gëlqerore në Krujë e gjetkë që atrofizojnë oksigjenin për njerëzit etj. Dhe natyrisht kanë artikuluar sanksionin e qelisë-vendet europiane kanë shekuj që nëpërmjet këtij sanksioni kanë ndërgjegjësuar popujt e breznitë e reja për zbatim të këtyre ligjeve e rregullave të mbrujtura në to-që për mua e shumë shqiptarë është një normalitet që nuk na përcjell aspak frikëri. Unë jam përkrahës i “Lucidus ordo”, i një rregulli të qartë e të dukshëm, që është një frazë që përdoret në përgjithësi për të kërkuar rregull. Dhe kur cenohet ky rregull dhe ky ligj keqësisht atëherë vlen edhe burgu. Madje vlen shumë për të përfituar të gjithë shqiptarët. Shkruesi i këtyre radhëve nuk është aspak pro konceptit osmotik të selektivitetit të shkelësve të ligjit, pavarësisht nga ngjyresa e porcioneve apo formacioneve politike shqiptare. Kundroni pak dukurinë e liderëve apo përfaqësuesve të grupimeve politike nëse reaguan për disa kryebashkiakë që u vendosën para ligjit dhe kur gjykatat shqiptare i liruan nga akuzat pakkush ose askush nuk reagoi qoftë majtas ashtu edhe djathtas. Kush ka bërë korrupsion ose ka shkelur ligjet e shtetit dhe e bën edhe sot, nga më i thjeshti deri tek ministrat, deputetët e kryeministrat e mëparshëm apo të sotëm, duhet të shkojnë para drejtësisë. Kush kuis apo këlthet, për të mbrojtur abuzues të tmerrshëm me paratë e popullit shqiptar, ai apo ato i bëjnë shumë dëm popullit të vet, duke shtrirë tranzicionin dhe mjerimin shqiptar drejt pambarimit. Klani shqiptar i marrëzisë, i korrupsionit shumëplanësh madje edhe mediatik duhet shkulur nga rrënjët. Këtë duhet ta bëjë drejtësia shqiptare… Vini re sportelet e pagimit të energjisë elektrike në kryeqytet apo në qyteteve të ndryshme të Shqipërisë si qëndrojnë në radhë për të paguar të mbeturat deri natën vonë. Në Korçë si në fshat ashtu edhe në qytet 100% është paguar energjia elektrike. Në një qytet verior të Shqipërisë nga 1.5 milion lekë të reja që janë paguar më parë në një njësi pagimi të CHEZ në gjithë këto ditë që shërbimi funksionon deri në orën 22 të natës, shifra e paguar në ditë, ka vajtur në 10 milion! Vini re në Tiranë për ndërtimet pa leje, pastrimin e trotuareve apo lagjeve nga INUK- sepse Bashkia bën sehir, nuk dëshiron ta “prish” me qytetarët- nuk ka fillesa të reja “bjeri t’i biem” ndërtimesh pa leje. Në një zonë të bukur në Dajt, para 2 muajsh pashë një gërryerje të madhe dheu, prerje drugjethorësh të hedhur sa në një krah në tjetrin, materiale të mbledhura për ndërtim, por që i kishin zënë myqet. Kishte heshtje njerëzish por rifilluese flore dhe faune. Zbatimi i ligjit ka progres dhe ka nisur edukimi i njerëzve për ta zbatuar atë, që për 23 vjet ishin llastuar nga shteti për ta brejtur atë në kurriz të të drejtëve e të ndershmëve. Le të bëjnë një sondazh të ndershëm në lidhje me ndëshkimin e fajësinë e shkelësve të ligjit shoqata apo përfaqësues të përbashkët pozitë-opozitë dhe të shikojnë trendin lëvizës. Edhe për burgun.