Ndryshimet në Kodin Penal, Ministri Gogu: Asnjë cenim i luftës kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar
Ministri i Drejtësisë, Toni Gogu, deklaroi sot se ndryshimet e propozuara në Kodin e Procedurës Penale nuk cenojnë luftën kundër korrupsionit, krimit të organizuar dhe veprave të rënda penale.
“Asnjë ndryshim në Kodin e Procedurës Penale nuk cenon luftën kundër korrupsionit, krimit të organizuar dhe veprave të rënda penale. Kjo luftë mbetet e panegociueshme. Rishikimi synon të forcojë garancitë e qytetarëve, pa dobësuar në asnjë mënyrë goditjen ndaj kriminalitetit të rëndë”, u shpreh ministri.
Lidhur me këtë çështje, është shprehur edhe Theo Byl, gjyqtar në Gjykatën e Apelit në Antwerp dhe ekspert i Këshillit të Evropës, i cili tha se gjatë diskutimeve për ndryshimet në Kod janë lënë mënjanë propozime që mund ta vështirësonin hetimin e çështjeve të korrupsionit dhe krimit të organizuar të nivelit të lartë.
“Jam gjyqtar në Gjykatën e Apelit në Antwerp duke trajtuar çështje të nivelit të lartë të korrupsionit. Gjatë diskutimeve shumë ndryshime dhe shumë ide që do ta bënin më të vështirë hetimin në çështjet e korrupsionit dhe në çështjet e krimit të organizuar të nivelit të lartë u lanë mënjanë.
Mendoj se legjislacioni dhe procedura shqiptare po sillen në përputhje me standardet ndërkombëtare. Në këtë pikë jam vërtet në favor të zbatimit të këtij sistemi shumë të mirë, në të gjithë Kodin tuaj të Procedurës Penale”, tha ai.

