Ne jetojmë me “Numrin zero” si në kohën e Çajupit
Nga Kastriot Kotoni
Bursa e së vërtetës në mediat shqiptare gati po puthte qiellin këto tre javët e fundit të historisë së Shqipërisë, por si gjithmonë ajo, “E Vërteta”, iku bashkë me retë dhe u kuotua jo më shumë se 3 ditë nga mediat serioze shqiptare. Thesi i të vërtetave ishte jo shumë i madh, se sa i qenësishëm për nga pesha specifike e tyre e padyshim do të rikonfirmonte të ardhmen e koalicionit qeverisës. Nuk është nevoja t’i renditësh të vërtetat, sepse ata që kanë sy e veshë e mbi të gjitha ata që i kanë lexuar të vërtetat me moton të kesh apo të jesh sipas filozofit Shopenhauer, ndihen të lavdishëm e krenarë në gardhin e të qenurit e jo e të pasurit të diçkaje që nuk e meritojnë.
Në një libër për qytetërimin me autor Klark Keneth, thuhet sipas një historiani Ruskin-i, cili thoshte: “Kombet e mëdha i shkruajnë autobiografitë e tyre në tre dorëshkrime, në librin e veprave të tyre, në librin e fjalëve të tyre, në librin e artit të tyre. Asnjërin prej këtyre librave nuk do ta kuptonim po të mos lexojmë dy të tjerët, por prej të treve i vetmi që do të meritonte besimin është i fundit”. Në përgjithësi, mendoj që kjo është e vërtetë. Shkrimtarët dhe politikanët mund të shfaqin lloj-lloj deklaratash e mendimesh mësimdhënëse, por ato janë deklarata për qëllimet e së ardhmes. Për ne nuk do kish rëndësi kush ka qenë ministri ndërtimit të x apo y kohe me fjalimet e tij, për ne ka rëndësi bindëse e do t’u besonim ndërtesave të asaj kohe. Atëherë që t’i shpëtojmë të vërtetat e mësipërme po përdorim artin si tek romani “Numri zero” i shkrimtarit Umberto Eco. Tek ky roman, i ndryshëm për nga lloji nga librat e mëparshëm të këtij autori, gjejmë një autoironi të pazokontë të medias italiane e cila vuan nga krizat për të thënë të vërtetën e mbi të gjitha ka sajuar një histori pa identitet moral dhe etik jashtë fuksionit e të qenit pushtet i katërt në një shoqëri demokratike. Mjeshtërisht kauza e shkrimtarit për të zgjedhur një histori fiction me përmasa botërore me habitat median italiane dhe sakrificën e gazetarëve për të gjurmuar fakte të vërteta dhe kundërvenia e presionit të një drejtuesi për të dal jashtë realitetit Italian, duke i bishtnuar rrjedhës së ngjarjeve akçish të vërteta, janë akuza që ngre autori kundër disa të ashtuquajtura media serioze dhe të pavarura e me sponsorizime të dyshimta nga lobime politike e mafioze. Intensiteti i ngjarjeve për një gazetë që nuk doli kurrë në treg tregon në fakt se për bosin e një media nuk kish rëndësi e vërteta por ishte e vërteta që duhet të sajojnë gazetarët për ta mbajtur opinonin publik sipas karemit të medias së tij. Surealizmi i Umberto Ecos përçon shumë kuptimësi për historinë e Italisë dhe medias së saj e cila këtë histori e ka trilluar sikur gazeta “Nesër” e cila ishte modeli i medias italiane, tek e cila fatkeqësia e tjetrit ishte triumfi magjik i saj. Mjeshtri i sarkazmës italiane ndryshe nga autorët e tjerë italianë krijon një personazh posedues dhe alkimist të së vërtetës si Bragadoçoja, për t’i dhënë shpresë shoqërisë italiane, se nuk do të humbasin kurrë njerëzit për t’i thënë gjërat troç me çdo çmim. Ka një element universal për median në këtë roman, ku e vërteta më e harruar është edhe më e lodhshme, por edhe më e lavdishme për tu zbardhur nga gazetarët, ajo është si një trofe lufte për ta.
Rreziku përballë bosëve të medias ndoshta e ka bërë median dhe gazetarinë italiane që të anashkalojë shumë ngjarje historike dhe episodeve tragjike si në vrasjen e Falkones, apo përkrahjen e procesit Di Pietro. Makineria e baltosjes së tjetrit është punë krejt normale për drejtuesit e medias. Për një njeri si Umberto Eco i cili ka potencën e kurajos intelektuale dhe reputacionin e një filozofi, por edhe të njeriut që kurrë nuk e shpërdoroi lirinë e medias, por në shumë raste e ka refuzuar atë edhe për arsye politike, çështja e shkrimit të historisë del edhe më në pah. Nëse do të ishte ndërtesa, media, siç e shkruaj edhe më lart, a do të kishim një histori të vërtetë qoftë edhe të një shteti si Italia? Do të përdoreshin si burime faktike ngjarje dhe fakte nga kjo lloj media e shpërfytyruar që s’do të donim ta besonim, por që në romanin e Umberto Ecos, ky do të ishte manuali i një media se si nuk duhet të ishte apo është? Varet nga këndvështrimi i lexuesit nga del gjithmonë shprehja, por për fenomenin as i bëhet vonë kujt. Rene De Kart dhe Mishel Fucho për kriterin e së vërtetës është mëshiruar më së miri në këtë roman me pyetjen që shtron shkrimtari për gazetarinë: -”Është lajmi që e bën gazetën apo është gazeta dhe gazetari që e bën lajmin?” Dhe vërtetimi i një loje fjalësh mes drejtuesit të gazetës dhe gazetarëve ka frytshmërinë e zgjidhjes së dilemës mediatike, nëse e përgatisim lexuesin me produktin tonë edhe e edukojmë keq e mos më keq, fajin e kanë gazetarët që bëjnë siç u thonë drejtuesit e tyre. Të përgatisësh një lexues si në botën e frikës e të territ, i ke bërë shoqërisë të njëjtin krim sikur t’i ngjallësh viktimës xhelatin e saj, ky është një nga mesazhet e kësaj vepre. Agora e rikthimit tek historitë me Duçen është një rikthim si në botën greko-romake, ku kishte shumë bestytni dhe mizori të mëdha. Njeriut të sotëm i duhet të dalë përtej realitetit të përditshëm e frikës për të nesërmen e të ndjejë nevojën që të zhvillojë ato cilësi të menduari për një ideal përsosmërie të arsyes, drejtësisë, bukurisë fizike në drejtëpeshim dhe harmoni të plotë midis tyre, sepse ky ka qenë ideali i Evropës Perëndimore qysh në shekullin e V-të para Krishtit. Misoni i gazetarit natyrisht nuk është si në thëniet e Balzakut apo Hygoit e Tuenit, por edhe kaq i thjeshtë sa të ketë një kamera të fshehtë a një diktofon gazetari e të futet mes prostitutave e të mësojë për pagesën e tyre e kush fshihen pas tyre e të mos i përmendë fare emrat e ta trajtojë këtë temë si një preteks për hapjen e shtëpive publike, e gjejmë rëndomë këtë lloj gazetarie edhe në Shqipëri për fat keq. Apo të mos shkojmë larg, me tema historike të paqena sa për të futur një debat alla-shqiptarçe e në fund të dy palët kishin të drejtë, por drejtuesi i emisionit si gjithmonë e ka qejf sherrin, se edhe për këtë paguan të ftuarit në debat. Po që janë shtuar mitomanët e së vërtetës në Shqipëri e duan të jenë të gjithë Bragadoço. Prite kur të na nxjerrin se Partinë Komuniste e krijuan balilat fashistë nga një krushqi me katër veta nga e njëjta familje.
Dy halla u martuan me dy vllezër italianë, të cilët ishin dy vllezër të cilët e kishin shtëpinë ngjitur me shtëpinë ku u themelua Partia Komuniste. E nga që këta ishin martuar me gra shqiptare, jo vetëm që nuk i spiunuan komunistët, por edhe u çonin ndihma çetës së babë Myslymit. Fakti është që baba i ka dalë dëshmitar italianit fashist, se ndryshe i ziu italian do ish pushkatuar. Ja si na doli edhe tema e kolaboracionistëve për shtetin italian si do të quheshim këta vllezër që ndihmonin komunistët kundër bashkëkombasve të tyre? Po lexojeni Umberto Econ o shqiptar se ai ndryshe nga Blushi që i gjuan të majtës me grushtin e majtë e do ta tërheqi zvarrë kolaboracionistin Nosi, bënë romane inteligjente e shumë ndërgjegjësuese për shoqërinë italiane. Le të ngrihej qoftë edhe një familje dëshmori, apo ish partizani e të mos e lejonte pushtetin e Sali Berishës që të vendoste buste sipas mides së tij politike, po ashtu edhe një libohovit nga ta të fismit që e kanë sa një njeri fotografinë e Avni Rustemit, apo ndonjë tropojan që i këndon këngë me cifteli bacë Bajram Currit, të dilte e të lidhej me zinxhirë për të mos e lejuar vendosjen e bustit të Ahmet Zogut. Por edhe një shkrimtar fiction si Blushi, pse nuk gjeti një fabul ku në Shqipërinë e Partisë Demokratike rehabilitoheshin lloj-lloj kriminelësh e kolaboracionistësh dhe t’i shtonte ato buste për t’i thënë lexuesit se po ringjallet fantazma fashiste siç edhe e ka bërë me plot art Umberto Eco? Vetëm një fill i hollë e ndan momentin historik dhe të vërtetën nga dëshmori i atdheut tek tradhtari i atdheut, nga gazetari i cili ka pronë veç të vërtetën tek gazetari manipulator i saj, nga shkrimtari dhe jo-shkrimtari, nga intelektuali dhe pseudointelektuali e ky fill është dëshira për shpresën tek e ardhmja dhe mposhtja egos në shërbim të kombit dhe të vërtetës sado e dhimshme e kosto të ketë ajo.
Ky është ai fill i padukshëm që e pasuron panteonin e kombit me simbolin e heroit. Kërthiza e romanit ”Numri zero” fillon gati në mes të faqeve të tij, kur do të bëheshin nekrologjitë e njerëzve të shquar të Italisë, pa as më të voglin dyshim analogji si tek vepra e Çajupit “Pas vdekjes”, kur shërbëtori i beut përgatiste nekrologjitë para vdekjes së njerëzve të shquar si për Haxhi Aliun edhe për Zonjushën Lulu. E ndërsa e ndëshkon veten lexuesi shqiptar me fenomene të njëjta si hakërim i kohës, tek të duket vetja se Shqipëria jeton numrin zero të Çajupit, tek sa e lexon këtë paragraf dhe ka fatin se rifreskon memorien për të ridimensionuar poetin e madh kombëtar. Si bëheshin dhe ende bëhen shkrimet dhe emisionet apo filmat me porosi në median shqiptare të ngjashme me nekrologjit e “Numrit zero” të Ecos pse jo dhe të Çajupit. Po thurja e mençur nga autori italian e fenomenit sozie e shton padyshim trillin e këtij romani. Me po të njëjtin fenomen ndeshemi ne lexuesit shqiptar tek romani i Ismail Kadares “Darka e gabuar” sozia e kolonelit Shvabe, ish shoku i shkollës së doktor Gurametos së madh, dhe kjo e bën që vepra të qëndrojë shumë lart, sepse në këtë roman si edhe tek “Numri zero” i Umberto Ecos përfshihen personazhe historike mbarëbotërorë si Duçja, Hitleri dhe Stalini. Për çudi të mëdhenjtë ngjasin shumë.