Në Kurjan, atje ku festohet e bukura, tradita dhe risia.
Reportazh nga Ilirjan Gjika
Është dita e parë e majit dhe sa jemi nisur në drejtim të Kurjanit, në festën më të re të Roskovecit. Për të shkuar atje nuk është e vështirë. Mjafton të futesh në unazën e jashtme të këtij qyteti dhe të marrësh rrugën panoramike që kalon rrëzë kodrave të tij. Kështu vepruam edhe ne. Pasi përshkuam një luginë nga më të bukurat, ku mbizotëron ngjyra e blertë mbërritëm tek diga e liqenit, ku pas një të përpjete të lehtë përpara syve na u hap një panoramë mahnitëse.
I vendosur në jug-lindje të Roskovecit, Kurjani, është i përmendur për njerëzit punëtorë, traditat kulturore, kultivimin e ullinjve, vreshtarinë, liqenin artificial dhe kishën bizantine të Shën Nikollës. Pikërisht këtu, buzë ujërave të kaltra ka nisur të rilindë tradita e vjetër e festimeve. Diku në çdo 1 maj, dhjetëra banorë të Roskovecit dhe fshatrave përreth mblidheshin dhe festonin së bashku. Edhe sot me mbërritjen tonë ambienti na surprizoi. Nën tingujt e fortë të muzikës spektakli sapo kish filluar. Grupe të shumta njerëzish ndiqnin me interes eventin e organizuar nga bashkia për të kaluar së bashku në mënyrë festive një ditë të organizuar pushimi.
2
Për të mësuar diçka rreth Kurjanit nuk është e vështirë. Mjafton ti drejtohesh dikujt që është i pranishëm aty dhe ai ka se ç’të tregojë. Kështu vepruam edhe ne dhe mblodhëm aq shumë të dhëna sa për të bërë një shkrim enciklopedik. Gjithçka nisi rreth origjinës së liqenit të tij, i cili ishte dhe pikënisja e festës së sotme. I ndërtuar në vitin 1954, vetëm gjashtë kilometër në juglindje të Roskovecit, ai është një nga veprat e para të mëdha të ndërtimeve të irrigacionit në Shqipëri. Me një kapacitet prej 32 milionë m3 ujë kjo vepër ujitëse u projektuar nga inxhinieri Farudin Nuri, projektuesi i talentuar i veprave ujore, midis të cilave edhe i liqenit artificial të Tiranës.
Liqeni ka formën e një dore që i ka shtrirë gishtat nga veriu. Dikur ai përdorej intensivisht për ujitjen e tokave të fushës së Roskovecit, për kultivimin e peshkut apo mbarështrimin e rosave. Për kultivimin e peshkut dëshmojnë vaskat e dikurshme të rasatit, të cilat i ndeshëm në hyrje të Kurjanit, poshtë digës së liqenit më të vogël, atij të Çervenit në fushën e sotme të Vidhishtës.
Peshkatarët tregojnë për një prodhim të madh të peshqve të ujërave të ëmbla, si të krapit, amurit, ballgjërit apo karasit. Por në liqen mbarështroheshin edhe shpendët. Dikush që kish punuar me to, na tregoi duke trokitur së bashku nga një gotë verë, se këtu funksiononte dikur një nga fermat më të mëdha të rosave në Shqipëri.
-Ishin rreth 12 000 krerë të tilla të racës “Pekineze” dhe ishin sjellë nga Kina gjatë viteve 1960, tregon për ne ai. 7000 prej tyre përdoreshin për prodhimin e vezëve ndërsa pjesa tjetër për atë të mishit. E bukura ishte se ato dilnin në liqen dhe mblidheshin prej tij me çangë. Imagjinoni një sasi e madhe shpendësh që lëviznin me komandë.
Këtë gjë e vërteton edhe një foto e dikurshme e liqenit që është i mbuluar nga tufat e rosave, të cilën na e tregon nëpërmjet telefonit, Thoma Goga, një nga anëtarët e stafit të bashkisë.
Por liqeni nuk përdoret vetëm për qëllime ekonomike. Janë të shumtë piktorët që vendosin këtu kavaletin dhe hedhin në telajo ngjyrat e të katër stinëve. Një fakt të tillë na e dëshmoi edhe kryetarja e bashkisë znj. Majlinda Bufi, e cila na tregoi se institucioni që ajo drejton po harton projekte edhe për organizimin këtu në këtë “mrekulli të natyrës” të kolonive artistike të piktorëve dhe fotografëve.
Një gjë të tillë e konstatojmë edhe ne dhe instinktivisht e ngremë kokën nga kodra përballë, ku ngrihet mbi një pozitë dominante, kisha monument e Shën Nikollës.
Është monumenti më i vjetër kulturor që ndodhet në bashkinë tonë, ndërhyn kryetarja, e cila e na e ka kuptuar tashmë idenë. Së bashku me liqenin ajo përbën një vlerë të shtuar të turizmit kulturor në këtë zonë, vijon ajo. Kisha e Shën Kollit është një kishë e stilit bizantin e ndërtuar me tulla të kuqe dhe me një arkitekturë të veçantë. E ndërtuar në shekullin e XIII-të kjo kishë është pikturuar nga Nikolla, i biri Onufrit. Për ta kthyer në identitet atë ne kemi projekte ambicioze për të cilat kemi kohë që po punojmë, përfundon ligjëratën znj. Majlinda Bufi.
Por Kujrani është i përmendur edhe si një zonë arsimdashëse, ndërhyn me shumë etikë një qytetarët që natyrshëm është future në bisedën tonë. Shkolla e tij u hap në 18 shtator të vitit 1913 nga patrioti Dervish Mino. Sot ajo është një shkollë e bashkuar nga bankat e së cilës kanë dalë breza të tëra nxënësish dhe shumë figura intelektualësh, përfundon ai.
Për këtë bindemi edhe ne. Mjafton të bisedosh me roskovecarët dhe vë re se ata janë njerëz të ngrohtë, të sinqertë të drejtpërdrejtë dhe mikpritës. Natyra i ka bërë njerëz bujarë dhe të dhënë pas punës, familjes dhe vlerave. kjo duket tek pjesëmarrësit në festë ku shumica janë familjarë. Këto janë disa nga cilësitë e këtij komuniteti që përpiqet dhe punon çdo ditë për të arritur gjithçka në sajë të punës, normave dhe vlerave shoqërore.
Bisedën e vazhdojmë përsëri me të kudondodhurën, kryetaren e bashkisë. Ajo na tregon se roskovecarët e duan punën, të bukurën dhe jetën, prandaj nuk lënë rast për të festuar dhe argëtuar. Në mënyrë të natyrshme edhe pushteti vendor ka shpallur disa data si festa vendore. Të tilla janë 24 korriku, dita e “Festës së Bashkisë”; “Festa e Ullirit”, që përkujtohet javën e fundit të muajit tetor; si dhe “Festa e Njeriut të Vitit”, ku bashkia nderon të gjithë individët e suksesshëm. Të gjitha këto evente jemi përpjekur ti organizojmë dhe festojmë në mënyrë masive, me të gjithë. Në këtë kontekst edhe festimi i ditës së sotme ishte iniciativa më e re e bashkisë, që këtu buzë liqenit të Kurjanit pas 25 vitesh ndërprerje të ripërtërinin traditën e festimit.
Qëllimi, vijon Majlinda Bufi, nuk është të kujtojmë një festë që ka qenë reminishencë e së kaluarës por të harrojmë për disa momente problemet e përditshme, të zgjojmë jetën e qytetit dhe ta kthejmë atë në identitet.
Ndërkohë shkëputemi nga grupi dhe takojmë disa të njohur të vjetër, midis tyre edhe poetin Flamur Çepele. ‘’Në 1 maj të çdo viti, ne të rinjtë e Roskovecit mblidheshim spontanisht tek ky vend, dhe ja shtronim nën hijen e akacieve. Atëherë ishim më shumë dhe të lirshëm. Të gjithë këndonim e vallëzonim, bashkë e shtroheshim në ”sofrën” e tokës dhe hanim me ç’na gjendeshin. Një dyzinë të rinjsh dhe të rejash shtriheshim mbi bar dhe lexonim libra’’, tregon edhe ai rreth festimeve të dikurshme
4
Është e disata herë që vetëm gjatë këtij viti vijmë për të ndjekur festat në Roskovec. Natyrisht që ato kanë qenë vërtet të bukura dhe plot surpriza. Por pas të bukurës fshihet gjithmonë një anë e fshehtë që ka të bëjë me organizimin. Ai nuk është gjë tjetër veçse një angazhim i madh që kërkon jo vetëm mjete monetare por edhe shumë punë, kohë, energji dhe përkushtim, të cilat Bashkia Roskovec dhe stafi i saj i ka shndërruar në një prioritet tashmë.
Kështu dhe këtë 1 maj ashtu si dikur në bazë të traditës, roskovecarët u mblodhën përsëri, këtu buzë të njëjtit liqen, për tu takuar me njëri-tjetrin, për të festuar gëzimin e jetës, të fëmijëve të tyre, që nën rrezet e diellit të kësaj dite pranverë luanin, vallëzonin dhe vraponin të gëzuar.
Një meritë e bashkisë dhe e kryetares, të palodhurës dhe energjikes Majlinda Bufi, e cila në fund kur u ndamë, u shpreh se: “Ne do të vijojmë përsëri të punojmë dhe të festojmë. Në këtë 24 korrik, ditën e Festës së Qytetit, do të përurojmë një tjetër vepër arti në rotondon e re, atë po ndërtohet në dalje të qytetit. Ejani përsëri dhe do të kënaqeni njëlloj si sot”, përfundon duke na përshëndetur ajo. Gjatë rrugës së kthimit biseda jonë vijoi përsëri tek e njëjta temë. Ideja e saj ishte se komunitetit tona vendore nuk kanë nevojë vetëm për investime publike në infrastrukturë, rrugë, vepra ndërtuese, rikonstruksione objektesh apo kanale ujitëse. Po aq të nevojshme janë edhe investimet kulturore dhe shpirtërore, të cilat janë një nga treguesit e rritjes së cilësisë së jetës që e bëjnë një qytet dhe rajonin e tij të banueshëm. Dhe një fakt i tillë në Roskovec është i prekshëm. Përveç kampionateve sportive, prezantimit të librave, shfaqjeve teatrale, aktiviteteve përkujtimore edhe këto festa janë shumë kuptimplote. Ato i shërbejnë mbi të gjitha edhe integrimit të komunitetin vendor, por dëshmojnë edhe vlerat e mëdha që ky rajon disponon.
Me traditat historike, monumentet natyrore dhe kulturore, njerëzit e dashur dhe mikpritës, Roskoveci, përbën një rajon që është edhe një atraksion i lakmueshëm turistik. Me pozitën gjeografik, arteriet e komunikimit, nivelin e zhvillimit ekonomik, mikpritjen, kuzhinën apo prodhimet ai ka ç’të ofrojë. Pikërisht edhe dita e sotme festive në këtë 1 maj dëshmoj se roskovecarët dinë t’i shijojnë dhe vlerësojnë të mirat dhe dobitë e turizmit rajonal dhe, pse jo edhe t’i ndajnë me të tjerët ato.