Në protestën e 106-të kundër qeverisë, qytetarët përcjellin mesazhet e tyre edhe përmes pankartave

Në protestën e 106-të kundër qeverisë, përveç thirrjeve dhe fjalimeve, qytetarët kanë zgjedhur t’i përcjellin qëndrimet e tyre edhe përmes pankartave, duke artikuluar me pak fjalë kritika politike, sociale dhe ekonomike, si dhe kërkesa për transparencë dhe përgjegjshmëri institucionale.

Mesazhet e shkruara në pankarta variojnë nga kritikat ndaj mënyrës së qeverisjes dhe përdorimit të taksave publike, te çështje konkrete që kanë tërhequr vëmendjen e opinionit publik dhe institucioneve të drejtësisë.

“106, Shqipëria nuk është pronë private” dhe “Taksat tona, Përgjegjshmëria juaj” janë disa prej mesazheve që bien në sy, duke shprehur pakënaqësinë e protestuesve ndaj qeverisjes dhe duke kërkuar llogaridhënie për mënyrën se si administrohen paratë publike.

Swiss Digital Desktop Reklama

Një tjetër pankartë i referohet anulimit të një tenderi me vlerë 50 milionë për shërbimin e hemodializës, duke e lidhur çështjen drejtpërdrejt me kërkesën për hetim nga Strukturat e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, SPAK.

Swiss Digital Mobile Reklama

“U anulua tenderi 50 milionë – u dëgjua ky shesh, por drejtësisë, sado të ikësh, nuk i shpëton lehtë. SPAK, mos ndalo – anulimi s’është dënim, përgjegjësit e dializës duan gjykim!”, shkruhet në pankartë.

Mesazhi përcjell idenë se anulimi i një procedure tenderimi, në vetvete, nuk konsiderohet nga protestuesit si përfundim i çështjes, por si një rrethanë që, sipas tyre, duhet të pasohet nga verifikimi i përgjegjësive dhe, nëse konstatohen shkelje, nga ndjekja penale e personave përgjegjës.

Në një tjetër pankartë, protesta merr edhe një ton ironik, duke iu referuar ndryshimeve në përbërjen e qeverisë dhe rolit të SPAK-ut në hetimin e çështjeve të korrupsionit.

“Rama trajner, ministrat në rotacion – SPAK-u sheh nga VAR-i: ‘Ekip me korrupsion!’”, thuhet në pankartë.

Përtej sloganeve, këto mesazhe pasqyrojnë mënyrën se si protestuesit po përpiqen ta artikulojnë pakënaqësinë e tyre publike: përmes kritikës ndaj qeverisjes, kërkesës për transparencë mbi fondet publike dhe thirrjes për përgjegjësi institucionale.

Protesta e 106-të shfaqet kështu jo vetëm si një tubim politik, por edhe si një hapësirë ku qytetarët zgjedhin të shprehin publikisht shqetësimet, akuzat dhe kërkesat e tyre, duke i përmbledhur në mesazhe të drejtpërdrejta, ironike dhe shpeshherë të ashpra.

AV/KJ

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

A duhet liruar Erion Veliaj të drejtojë bashkinë nga zyra?