Në qeveri nuk ka më legalë
Nga Frrok Çupi
Ku janë ilegalët?
Përderisa nuk shikohen legalë në shumicë, me siguri ilegalët do të jenë sheshit.
Pak vite më parë, ilegaliteti ishte në modë; jo veç si modë, por edhe si një heroizëm dhe si lirikë. Ilegalë kishin qenë "trimat komunistë", por ilegale ishte shpallur edhe vetë puthja- sipas një poeti komunist. Si ilegale zbukuroheshin edhe vajzat. "Shoqet tona ilegale", titullohej një nga këngët më të preferuara në periudhën e diktaturës komuniste.
Ilegaliteti është kthyer prapë mes nesh.
Nuk shikoni si po hyn në Kuvend një ligj "ilegal" mbi lirinë e shprehjes?! Qeveria bëri gati projektin dhe e dërgoi dje në Kuvend. Ligji përcakton dënim me burgim për cilindo që guxon të flasë kundër qeverisë dhe politikanëve. Në radhë të parë ndëshkohen gazetarët dhe liria e mediave… pastaj liria e të gjithëve. Gjatë diktaturës komuniste ky ligj, i nënshkruar në nenin 55 të Kodit Penal, ishte legal. Tani e sollën ilegalisht. Pa pyetur gazetarë, pa pyetur opozitë, pa pyetur ekspertë të Perëndimit.
Ilegaliteti është një nga arsyet pse shoqëria po kërcet me nervozizëm. Ja shikojeni:
Pasi u paguan spiunë për të spiunuar taksat, për të vëzhguar kuponin tatimor, për të kallëzuar vëllain që kishte lidhur dritat vjedhurazi, për të fotografuar makinën e tjetrit të parkuar keq… Pas kësaj ilegaliteti hyri brenda qeverisë.
Po tronditet shumica e njerëzve.
Thuajse shumica e njerëzve që merren me “sportin” e politikës, tani i kanë kthyer sytë andej nga goditjet brenda qeverisë.
Fillimisht goditi një ide e grupimit qeveritar të LSI se në qeveri duhen impulse të reja Gjysma e qeverisë kërkoi ndryshime bash në “hundë” të ultimatumit të kryeministrit se “nuk do të ketë ndryshime në qeveri”.
Akoma pa rënë përdhè deklarata e ashpër e “burrërore” e kryeministrit, gjysma politike e qeverisë që është LSI, e rrëzoi atë. LSI kërkoi menjëherë ndryshime. Ky u lexua si një fillim i goditjes mbi qeverinë e majtë. Goditja erdhi papritur, gati fshehurazi, ilegalisht, edhe pse nga përbrenda.
Ata që e kuptojnë më mirë mekanizmin politik të bërjes së shtetit, e lexuan edhe pak si më të avancuar. U kuptua se brenda përbrenda qeverisë ndodhen dy grupime te kundërta. Njëri prej grupimeve, pa dyshim, është “ilegal”, dmth., jashtë sistemit legal të instaluar si koalicion.
Pyetja shtrohet:
Valle cili grupim është në anën e principit?
Në aspektin më të thellë del se brenda principit ndodhet pjesa më e vogël e qeverisë, që është LSI. Në këtë rast, ky grupim ndodhet, të paktën në krah të principit demokratik se në një shoqëri të lirë bëhen ndryshime qeveritare sa herë kërkohet më shumë shkathtësi administrimi dhe shërbim më i mirë për zgjedhësit. Asnjëherë nuk mund të thuhet se "nuk bëjmë ndryshime". Këtu shkelet principi i shoqërisë demokratike.
Sinjali se njëra pjesë qeverisë, aq me shumë kur kjo është pjesa më e madhe, mbetet jashtë principit, krijon një alarm të madh për humbjen e demokracisë dhe të legalitetit qeveritar. Del se qeveria nuk është ajo që u zgjodh me votë.
Momenti tjetër i dytë dhe dëshmues për daljen e qeverisë prej legalitetit: Goditjen e dha përsëri LSI, duke e kthyer në realitet dorëheqjen dhe ndryshimin në qeveri. LSI tërhoqi Ministrin e Drejtësisë. Me këtë sinjal i tregoi kryeministrit se dorëheqja është për ministrat më të rëndësishëm dhe më me peshë në punët publike. Edhe ky një princip tjetër i fortë.
Veprimi politik i LSI tregon se ministrat socialistë, të përfolur aq shumë për afera krimi korruptiv, janë e janë jashtë principit. Të paktën dy herë në jetën e një qeverie nënshkruhet kodi principial nga çdo ministër: Të mos kryejë krim shtetëror dhe t'u qëndrohet besnik parimeve mbi të cilat ndërtohet koalicioni qeverisës.
Tërheqja e ministrit të Drejtësisë kishte edhe këtë vlerë: Nxori zbuluar shkeljen e të dyja principeve brenda qeverise. Përsëri qeveria u dëshmua si jolegale.
Një forcë tjetër, jo brenda principit, e tërheq për hunde qeverinë e majtë. Ja kjo po ndodh në thelb.
Ilegaliteti i qeverisë Rama është manifestuar që në fillim të saj.
Në fillim, qeveria u krijuar nga njerëz jo brenda grupimit politik socialist. Një pjesë e ministrave u etiketuan ose si klientë personalë e jashtë-politik te kryeministrit, ose si te imponuar nga faktorë te jashtëm si Fondacioni Sorros, organizata Mjaft ose edhe Masoneri, etj. Ky perceptim është bërë përherë e më konkret edhe nga vetë socialistët e vjetër dhe militantët e shumtë të PS.
Edhe vetë angazhimi personal i disa ministrave në luftë kundër opozitës, në devijimin e programit politik të qeverisë si psh., për një shëndetësi të shëndetshme e falas, angazhimi i ministrave dhe zyrtarëve të lartë në transportin e lëndëve narkotike jashtë vendit, me mjetet e shtetit dhe nga aeroportet e vendit… Të gjitha këto kanë krijuar skenën tragjike të një qeverie jashtë mitrës së politikës dhe principit të përcaktuar në Kushtetutën e vendit.
Aq më tepër, që siç tashmë dihet, paratë e fituara me korrupsionin qeveritar, me aferën qeveritare të drogës dhe përfitime të paligjshme, do të përdoren për të blerë votat për një qeveri tjetër. Atëherë qeveria e ardhshme do të jetë që në themel ilegale. Do të jetë e pavotuar, por e blerë.
… Keni vënë re se kjo qeveri bën çfarë i do qejfi dhe çfarë i kap oreksi?! Të gjithë e shikojnë këtë. Ja ku e ka bazën e keqja: Qeveria ndjen ilegalitet dhe punon mbi ilegalitet. Në ilegalitet asnjëherë nuk jepet llogari.
Ndërsa shtypja mbi individin është e tmerrshme kur qeveria mban ilegalitet.
Në ilegalitet të dhunojnë në errësirë. Kjo është çështja.