Në vazhdim të një debati, pro kulturës fetare
Nga Prof. dr. Musa Kraja/Këto ditë, po degjojmë e lexojmë mendime të ndryshme, komente lidhur me diskutimin e kryeministrit Rama, dhe idenë që hodhi për të njohur brezin e ri me fenë përmes institucioneve arsimore siç është shkolla.
Çdo shkollë kudo në botë synon lidhjen e mësimeve të saj me jetën. Pra, edhe me jetën sociale, ku, padyshim objektivisht ka vendin e vet feja.
Ne, nxënësit tanë shohin në media, mijra e miliona njerëz në institucione fetare, shohim Presidentin amerikan, në ditën e lutjeve, Presidentin rus në Kishë, Presidentin turk në xhami, etj. Tek ne shohim drejtues të shtetit që vizitojnë institucione fetare në raste festash, etj.
Komentator të ndryshëm japin mendime, ku jo njëherë tek ne, ngatërrojnë fenë me fondamentalizmin. Bindjet e masës duhen respektuar. Por shkolla nuk mund të bëjë indiferentin, as mund të bëjë rolin e institucioneve fetare.
Së pari duhet njohur historia, e cila është pjesë e pandarë nga feja. Por. Seicila ka këndvështrimin e vet. Ne aktualisht po përgatisim një brez të kufizuar për njohuritë shoqërore dhe historike.
Fëmija duhet ta dijë ç’është feja, pasi ka shumë e shumë prej tyre që nuk e kanë idenë sepse nuk ka në kurrrikulat shkollore informacione. Në kurrikulat tona jepen njohuri të pakta. Në “Njohuri për shoqërinë”, me dy – tre tema në shkollën e mesme të përgjithshme. Në një fakultet jepet sociologjia fetare, ndërsa në degën e filozofisë jepet filozofia fetare, por këto janë të ngushta e të njëanshme.
Le të marrim Mësonjëtoren Shqipe të Korçës, që vazhdon akoma të quhet “Shkolla e parë shqipe” duke na e paraqitur në foshnjet e Ballkanit e të Evropës.
Ajo ka merita të padiskutueshme si shkollë, por nuk ishte e para shqipe. Ne injorojmë veten kështu, kemi shkolla shqipe të hershme që në vitet 1632 – 1638, etj.
Në Shkollën Kombëtare Laike, Demokratike të vërtetë të Korcës kishte një kurrikul të avancuar për kohën. Ishte projekti i Rilindasve, mendimtarë, një model mbi bazën e të cilës të hapeshin shkolla të tjera.
Pandeli Sotiri zhvilloi të gjitha lëndët, por i la vend edhe edukatës fetare.
Hafiz Ali Korça e klerikë ortodoksë kanë zhvilluar mësim feje atje, në Mesonjëtoren e Korçës. Por, nuk kanë qenë drejtues, nuk i ka drejtuar kleri. Këtu është edhe një nga dallimet, sepse shkollat fetare i drejtoJnë klerikët, shkollën laike jo. Kjo vazhdoi edhe në kohën e Zogut, që ai e deklaroi si shkollë laike, duke zhvilluar edhe mësim besimi.Mësimi i fesë ka vazhduar deri në vitin ’45, në vitin e parë të pas çlirimit.Nuk është fjala për të kopjuar shkollat e traditës sonë, po për të ju përgjigjur kërkesave të kohës.
Si kolegë të tjerë, kam njohur shkollën gjermane, zvicerane, kineze, turke edhe shkollën arabe, etj. Atje i zhvillojnë mësimet sipas specifikave të tyre në një mënyrë a një tjetër. Nuk ndërhyjnë në bindjet fetare të nxënësve.
P.sh një nga kantonet eZvicrës jepet një lëndë si dituri natyre, në fakt atje spjegohet Bibla, por duke marrë mendimin e nxënësit dhe të prindit.
Ne nuk themi që mësuesi të predikojë.
Ne jemi i vetmi vend në botë që ekziston realisht tolerance, harmonia fetare dhe ndërfetare. Këtë mund e duhet ta pohojë çdo mësues, është një realitet aktual edhe në zhvillim historik.
Disa personalitete të klerit, janë nderuar me të drejtë “Nderi i kombit”, siç është Gjergj Fishta, siç është Vexhi Buharaja studiues, përkthyes, besimtar “Nderi i kombit”, Hasan Tahsini “Mësues i popullit” dhe “Nderi i kombit”, Hafiz Ali Uqinaku “Mësues i popullit”, Hafiz Golemi “Mësues i popullit”,, At Gjecovi “Mësues i popullit” e të tjerë.
Ishin të vendosur për gjuhën shqipe për çështjen kombëtare.
Gjergj Fishta e drejtoi shkollën që kur u hap në vitin 1903 e derisa ndërroi jetë ishte drejtor I shkollës Franceskane dhe u nderua “Nderi i kombit”, sepse vepra e tij ishte me karakter të theksuar kombëtar, kjo s’do të thotë që ai nuk ka ushtruar edhe detyrën e tij fetare.
Le t’i hedhim sërish një vështrim më të thellë të traditës sonë, edhe jashtë hapësirës shqiptare.
Leke Matrenga tek arbëreshët, para 4-5 shekujsh donte të zhvillonte mësimin e katekizmit por ai ishte Shqiptar (arbëresh) që, fëmijët ishin Shqiptar (arbëreshë), atëherë ua mësoi katekizmin shqip, pra ata e ruajtën gjuhën shqipe, e vazhduan deri në kulmin me Jeronim De Radën, që edhe krijoi katedrën e gjuhës shqipe.
Edhe sot arbëreshët kanë ruajtur kulturën e tyre, traditën e tyre, ruajnë gjuhën, zakonet sepse nuk i ka cënuar njeri, nuk kanë patur genocid siç kishin bërëserbët e të tjerë në kufijtë tanë.
Kjo traditë duhet shfrytëzuar në mënyrë të drejtë pa i bërë hije njëri tjetrit sepse shqiptarët nuk kanë rënë në kurthet, në grackat që u kanë servirur armiqtë e tyre dhe në problemet e fesë, p.sh në Shkodër, në kohën e Zogut kanë futur një derr në xhami ditën e bajramit dhe sa e mësuan ngjarjenqytetarët, përnjëherë kanë deklaruar që nuk e kanë bërë katolikët këtë punë, ishte dora serbe.
Petro Ninin e helmuan, ai nuk ishte klerik por ishte mësues i kohës por nuk ka qenë ateist, dhe Pandeli Sotiri nuk ka qenë ateist, rilindasit nuk kanë qenë ateistë.
Hasan Tahsini, përkundrazi ka qenë hoxhë, hoxhë do të thotë profesor, në emërtimin e tyre ligjërues, rektor i parë iUnviversitetit të Stambollit, por kur erdhi në Shqipëri, pasi e shkarkoi krahu konservator si rektor, erdhi dhe punoi në mënyrë individuale për t’u mësuar edhe gjuhën shqipe.
E arrestuan, “Po ti mor jezit”, i tha hetuesi, çfarë ke bërë? Hodha e mbolla farën – iu përgjigj Tahsini. Ajo farë e tij vazhdoi më tutje në Shqipërinë e Jugut, në Çamëri e më tej. I kanë patur të qarta nocionet e fesë dhe atdheut, seicila në vendin e vet.
Rilindasit ishin edhe myslimanë Naimi, Samiu etj përpara tyre Hasan Tahsini, po Jani Vreto, Koto Hoxhi, etj, ishin ortodoksë, Pashko Vasa katolik e të tjerë, pra, pa dallim feje krijuan organizma në funksion të kombit.
Ishin një model i harmonisë fetare. Tani brezi duhet të njohë disa aspekte, sepse ai dëgjon në media, dëgjon në rrugë, nuk duhet të marrë vetëm mësimet e rrugës, shkolla duhet ta orientojë drejt, zhvillimin historik.
Të ketë njohuri për kulturën fetare si pjesë e rëndësishme e kulturës sonë kombëtare dhe botërore.
Bashkimi Evropian ka specifika të veçanta për liritë e të drejtave të njeriut edhe në çështjen e besimit. Kështu që vihet në rrugë jo për të predikuar, por për t’i dhënë një vizion të qartë historik, pastaj seicili ka mendimet e veta, ka familjen e vet, ka dëshirat e veta e mbi atë bazë i mbyllen shtigjet ekstremizmave të rrezikshëm që janë një vetvrasje , që janë iluzion për terrorizmin.
Terrorizmi ska fe, terrorristi është terrorist. Feja nuk pranon vrasjen, asnjë fe në Shqipëri, nuk pranon vjedhjen, narkotizmin, nuk pranon prostitucionin, mbrojnë familjen, moralin e shëndoshë.
Të gjitha fetë predikojnë ndihmën ndaj njerëzve në nevojë, në mënyrën e tyre, besimi mysliman e ka të përcaktuar për të dhënë “zekatin”, por, edhe krishterimi e ka të rekomanduar ndihmën e njerëzve në nevojë.
Ka disa parime morali islam. Këto parime ndërthuren së bashku kundër së keqes.Asnjë nga këto parime nuk përputhet me terrorizmin. Terrorizmi nuk ka asgjë të përbashkët me asnjë nga fetë. Atëherë ska pse të imponohet tjetri o fenë time ose të mora jetën ty e të familjes ose të shkatërrova qytetin. Terrori nuk ka fe.
Na vjen ne ndihmë duke ndriçuar mendjen, iluminizmi, me anë të arsimit, me anë të shkollës, ështëiluminizëm perëndimor dhe iluminizëm islamik në lindje.
Kjo është filozofia e kohës edhe sot, me tingëllim aktual, me specifikat e kohës dhe autorët që punojnë në kurrikul duhet ti kenë parasysh.
Këto ditë po botohen mjaft artikuj për problemin e fesë, ose më saktë të kulturës fetare. Mes të tjerash vërehen edhe paqartësi deri edhe në mendime të pavërteta që “klerikët kanë luftuar egërsisht kundër gjuhës shqipe”.
Por, edhe tani, ka elementë që ngatërrojnë terrorizmin me islamin. Kjo, diku bëhet edhe e qëllimshme. Kjo shpreh zbrastësirëtë theksuar në njohuritë historike dhe sociale.Ju kujtoj veprën “Vdekje dhe dëbim”, mbi spastrimin etnik të myslimanëve në vitet 1821 – 1922 të autorit amerikan Justin Mc Carthy, e cila i çjerr maskën shpifjeve të sajuara deri vonë.
Pikërisht duke zhvilluar kulturën fetare në shkollë, si pjesë e zgjeruar e kurrikulës së sotme, sqarohen nxënësit, dhe për të vërtetat historike.
Shumëklerikë kanë kontribuar për gjuhën shqipe, kanë sakrifikuar edhe jetën, e kanë ushtruar, e kanë përkthyer, e kanë ligjëruar shqip.
Ne na karakterizon harmonia, respekti i ndërsjelltë për njëri tjetrin dhe ajo që u bë në Paris ishte simbolike, por ishte e goditur, grup 4-5 klerikë shqiptarë të feve kryesore, krah për krah, parakaluan dhe krijuan një gjëndje emocionale shumë të veçantë. Ishte një domethënie e natyrshme normale.
Po jap dy – tre shembuj, AtGjergj Fishta ka qenë një klerik i madh atdhetar me peshë, aq sa u nderua nga Presidenti “Nder i kombit”. Dhe Hafiz Ibrahim Dalliu “Mësues i popullit” ka qenë hoxhë, mësues njëkohësisht, një nga bashkëthemeluesit e Normales së Elbasanit, i cili përkrahu Luigj Gruakuqin, Aleksandër Xhuvanin, Simon Shuteriqin, duke patur një mbështetje edhe nga Hasan Prishtina, sepse sponsorizoi një grup djemsh nga Kosova me shpenzimet e tij. Ka zhvilluar edukaten morale. Ai ka zhvilluar mësim në shkollën shqipe në Tiranë dhe ka pergatitur mësuese të gjuhës shqipe, Servete Maçin, emrin e së cilës mban një shkollë në Tiranë.
Dalliu ka botuar libra në gjuhën shqipe, botuar poezi, studime, ai ka punuar për gjuhën shqipe. Kënga për Avni Rustemin është me tekstin e Hafiz Ibrahim Dalliut.
Ai ishte mik me Fishtën. Kur shkroi një vëllim me poezi iaçon Fishtës për ta parë,
– Ç’mendim ke për këto poezi? Punimin secili ia çon një mikut të vet që ka besim. Fishta i përgjigjet: – I dashur Hafiz, e pashë me vëmendje, e më pëlqeu. Për një çështje ti paske dalë fare hapur edhe unë kam dalë si nën rrogoz, por ti ke dalë fare me shpatë.
Fishta flet në varrimin e Avni Rustemit, një fjalim brilant, madje krahu konservator e ka kritikuar, se pse“ke folur në varrimin e një personi që ka vrarë dikë tjetër”.
Ai e ka justifikuar që “kam folur si person, nuk kam përfaqësuar klerin”.
Kur vdiq Fishta, Hafiz Ali Kraja, hoxhë myfti i Shkodrës ishte nga folësit mes të tjerëve, në varrimin e Fishtës. Shiko tani një hoxhë flet në varrimin e fratit.
Hafiz Ibrahim Dalliu kishte miqësi me Fan Nolin, Fan Noli ishte prift ortodoks. Pra, kjo harmoni mes tyre, sigurisht i ka krijuar hapësirë bashkëpunimi e zhvillimi harmonisë mes qytetarëve, seicili në linjën e vet, besimin e vet, dhe njëkohësisht ka ndikuar pozitivisht tek masa, me idenë: “fe e Atdhe”.
Hafiz Ali Ulqinaku ka qenë mësues ligjërues fetar në Ulqin, por ka qenë luftëtar me armë në krah, në mbrojtjen e Ulqinit. NëShkodër ka qenë mësues në shkollë shtetërore, në Lezhë ka qenë mësues pastaj edhe Myfti. Ka përkthyer në gjuhën shqipe tekste dhe sidomos Mevludin, që këndohej në mënyrë masive nga besimtarët, në shqip, e të tjerë kanë qenë me kontribute që kanë rrezatuar pozitivisht.
Ish kryetari i Bashkisë së Lezhës, katolik, organizoi një simpozium të shkëlqyer para tre viteve për Hafizin Ali Ulqinaku.
Këto specifika i kemi ne, atëherë s’duhet ti hedhim në baltë, pa i njohur që klerikët kanë punuar për gjuhën shqipe.
Jo se kanë mohuar Atdheun, përkundrazi “fe e Atdhe”, i kanë patur në të dy krahët. Janë bashkuar, janë bashkuar në mbrojtje të qytetit, pa dallime feje në mbrojtjen e Shqipërisë.
Në të gjitha situatat, edhe gjatë luftës së Dytë Botërore, dëshmorët kanë rënë pa dallime feje krahine e ideje, kjo është një vazhdë e traditës.
Në qoftë se njeriu nuk ka shkollë, as kulturë, as besim, ai është më i predispozuar për tu kapur tek negativja, tek vjedhja, te narkotikët, te krimi.
Kam ndjekur edhe shkollat shqipe me program plotësues, të diasporës, janë shkolla, që funksionojnë në përgjithësi një ditë në javë, për gjuhën shqipe dhe kanë një vision të përgjithshëm, për formimin gjuhësor, për formimin bilingual, për kulturën shqiptare njohuri elementare për etnokulturën, etnopsiqikën, në viset shqiptare.
Kam konstatuar që, në SHBA disanga këto shkolla zhvillohen në mjedise të favorshme, për mësimin në gjuhën shqipe. Hoxhallarë, priftërinj, i ndihmojnë edhe në këtë fushë. Kanë bërë thirrje, për të frekuentuar nxënësit këto shkolla, pra janë bërë dhe një mbështetje përkrahmësuesve që punojnë për gjuhën shqipe.
Thirrjet e tyre kanë peshë te prindërit për ti frekuentuar këto shkolla. Disa kanë krijuar lehtësime në drejtim të plotësimit të infrastrukturës së domosdoshme minimale për vazhdimin e saj, madje edhe duke u siguruar nxënësve edhe drekën,një herë në javë, siç mbildhen.Edhe këtu duhet hap pas hapi.
Lënda e filozofisë në shkollat e mesme mendoj se është mirë të vihet, port ë hartohet nga autorë Shqiptar, sepse pasqyrojnë specifikat tona.