Nën hetim lokali në Pogradec, fshehu 300 mijë euro të ardhura në 5 vitet e fundit
Një bar restorant në Pogradec, i cili ushtron aktivitetin e tij prej 16 vitesh është zbuluar se ka fshehur 300,000 euro të ardhura në 5 vitet e fundit, në shkelje flagrante të ligjit.
Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve njoftoi sot se zbulimi u bë nga strukturat e specializuara të hetimit tatimor, të cilët analizuan njësinë kompjuterike të sekuestruar gjatë një kontrolli të ushtruar nga Task Forca e Terrenit në Administratën Tatimore.
Sipas DPT-së tatimpaguesi ishte identifikuar më parë nga analiza e riskut.
“Rasti u analizua më tej nga sektori i analizës, i cili shqyrtoi deklarimet e tatimpaguesit për detyrimet tatimore gjatë viteve të fundit”, njoftoi DPT.
Për të përforcuar dyshimet, sipas DPT-së u krye edhe një monitorim në distancë i aktivitetit të subjektit.
“Më pas Task-Forca e Terrenit verifikoi në terren aktivitetin e subjektit, ku u konstatuan shkelje të rënda të legjislacionit tatimor, si mall pa faturë tatimore, mos lëshim i faturës, mos lëshim fature për klientët, punonjës të padeklaruar”, njoftoi DPT.
Sipas Tatimeve këto shkelje janë tashme objekti hetimi nga autoritete përkatëse, ndërsa priten masa ndëshkuese në përputhje me parashikimet ligjore.
“Përpjekja e Administratës Tatimore për formalizmi të vazhdueshëm të biznesit dhe respektimin e ligjit do të vijojë kudo, me të njëjtin ritëm dhe vendosmëri!”, njoftoi Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve.
KOHA JONË SONDAZH

