Nëpërkëmbja e idealeve të demokracisë
(Polemikë me zotërinjtë Imami e Zogaj)
Nga Hysen Haxhiaj
Zotërinj misionarë të Lëvizjes Studentore të Dhjetorit 1990! Duke ndjekur debatin tuaj televiziv me analistët Artur Zheji e Andi Bushati, me erdhën në mëndje dy sentenca: Njeriu i drejtë, i ndershëm dallohet nga parimi dhe ndërgjegjja dhe Padrejtësia më e madhe ndodh, kur mbulohet apo tjetërsohet e vërteta. Këto gjykime me vlejnë për të vlerësuar dy palë: Shkruesit cinikë të historisë së Luftës Nacional Çlirimtare dhe shkruesit e pasinqertë të lindjes së PD-së e të misionit të saj. Historinë nuk duhet ta shkruajnë politikanët. Por po ndodh tamam e kundërta. Historinë e Luftës Nacionalçlirimtare po përpiqen ta rishkruajnë: Kristo Frashëri (një nga themeluesit e PKSH-së) si dhe politikanët e majtë Paskal Milo e Pëllumb Xhufi. Ata janë të vendosur në gloifikimin e asaj lufte e të rolit të Enver Hoxhës në të, në mohimin e luftës civile, pas shtatorit 1943, dhe në etiketimin si tradhtarë e kolaboracionistë të të gjithë nacionalistëve që luftuan kundër okupatorit.
Këta historianë cinikë që s’kanë respekt për viktimat e komunizmit e për plagët e tyre, nuk përmendin asnjëherë, në bisedat televizive Plenumin e Beratit (23-27/11/1944) ku vetë Enver Hoxha dhe krerët e tjerë të P.K.SH pohojnë hapur se ajo parti është krijuar e dirigjuar nga komisari M.Popoviç e komandanti D.Mugosha. Pranojnë se PKSH ishte kthyer gjatë Luftës në një bandë kriminale që kish ndjekur një vijë terroriste edhe kundër nacionalistëve antifashistë, edhe kundër komunistëve që mendonin ndryshe. Këta pseudo historianë, tani pranojnë ti gjykojnë veçmas luftën me pasluftën, kur u tradhtua ideali i lirisë e të demokracisë së të rinjve që dhanë jetën me nder e lavdi. Por pemët njihen nga frutat. Prandaj ish-gjenerali i Luftës Rahman Parllaku, i vetmi që arrin të shprehet, duke kërkuar një farë ndjese në emisionin e Rudina Xhungës, thotë: “Ne premtuam lirinë, sollëm skllavërinë, premtuam mirëqenie, sollëm varfërinë ekstreme, pasi e nisëm me triska dhe e përfunduam me tollona”. Tashmë nuk ka Institute të Studimeve ML, ku manipuloheshin e falsifikoheshin fakte historike, dokumente dhe fotot origjinale. Arkivat e Perëndimit janë hapur, do të hapen edhe ato të Athinës dhe Beogradit. Historinë nuk do ta shkruajnë më ata që e falsifikuan. Në burg jam njohur me një ushtarak që kashërbyer si roje, kur erdhi postieri, i cili i dorëzoi Enver Hoxhës Marrëveshjen e Mukjes. Pasi e lexoi E.Hoxha ia dha Miladinit dhe ky i fundit ia pasoi Dushanit, i cili e grisi copa-copa dhe i tha Hoxhës: “Të q…. Shqipërinë e Madhe.”
Ia hodhi copat e letrave në fytyrë dhe i dha urdhër për një luftë të papajtueshme me nacionalistët e Ballit. Personi që ma tregoi ndodhinë ishte kolonel Shyqyri Selami (Pepja) nga Berati. Kish studiuar në Itali. U kalb në burg për 23 vjet. Aksioni i parë nisi me Mullirin e Ismail Muharrem Haxhiajt (babait tim), i cili i mblodhi çetën territoriale dhe ndaloi kriminelët e Idriz Seitit që të vrisnin Nexhiu nga Vlora, për të mos plasur ajo Luftë Civile që të parët tuaj e zhvilluan me egërsi, nga gusht 1943 deri në Çlirim. Fakte të gjalla kokëforta. U vranë 4 000 djem nënash që i merrnin nga krevati dhe bashkë me gra e fëmijë i vrisnin nëpër kanale, përrenj e lumenj. E varret e tyre ende s’janë gjetur. Ishin intelektualë me ëndrra lirie, ishin patriotë të ndritur. I latë pa varre me guerilasit e Dushanit e të Enverit.
Dënimi i krimeve të komunizmit përbën një akt kulture, një akt civilizues. Dosjet janë kutia e zezë e diktaturës. Mos hapja e dosjeve përbaltë edhe viktimat me baltën e spiunëve, ndot dhe poshtëron shoqërinë shqiptare. Transparenca e së kaluarës është akt drejtësie, që do të sjellë katarasisin moral të politikës dhe paqen sociale. Prandaj, parlamenti ka në përbërje ish-bashkëpuntorë të Sigurimit dhe nuk ka ish të përndjekur, të cilët politika vetëm i ka përçarë e i ka përdorur për qëllimet dhe interesat e veta, duke goditur kështu të djathtën reale. Ashtu si historianët e diktaturës, që nuk mund ti hedhin poshtë gjithë ato faqe me gënjeshtra, edhe ju misionarë të dhjetorit nuk keni kurajën të pohoni të vërtetën e ndryshme nga ç’keni pohuar e mbrojtur në pothuaj një çerek shekulli. Ju themeluesit gjithë këto vite keni ndërruar ngjyrë disa herë, e tani si djem plangprishës jeni kthyer të Berisha. Nuk po ju njohim më se cilët jeni ju zotërinj. Mos u tallni me me dramat dhe historinë e hidhur të këtij populli.
Unë po jetoj që të dëshmoj e të mbroj të vërtetën e vetëm të vërtetën, o njerëz me pardesytë e bardha demokratike, që me gjithë mend ju mëshiroj. E kujt ia mbante që të shkruante kundër Partisë së Punës në “Zërin e popullit”, përveç Ylli Popës e Sali Berishës, edhe ky me pardesy të bardhë. Pse i veshën ato pardesy të bardha e nga kush ruheshin? Po tanku në 97-ën? Po Neritan Cekën kush e autorizoi të ndalte turmën e revoltuar, që të mos lëndoheshin bllokmenët?
Ju zotërinj jeni eksponentë të komunizmit në demokomunizëm. Analistët Zheji e Bushati jua përplasën të vërtetën, që ju ende s’doni ta pranoni. Nuk keni ju moralin të mbroni faktin që ndryshimet demokratike (jo pjesëmarrësit idealistë të protestave) si dhe mjaft udhëheqës të lëvizjes demokratike u caktuan e u dirigjuan nga Ramiz Alia, nga udhëheqësin asaj partie që kish drejtuar luftën civile, si dhe luftën e përbindshme të klasave. Mungesa e sinqeritetit do të rëndojë mbi ndërgjegjen tuaj të njollosur. Politika është matematika më e saktë, nuk është përrallë. Flisni një herë me zemër në dorë para këtij populli, që ka përjetuat sa e sa drama e tragjedi.
Ju nuk e doni dekomunisitizimin. Ju nuk doni t’i hapni dosjet. Ju nuk doni t’ua ktheni pronarëve, por t’i merrni për vete pronat. Ju zbatuat reformën e dytë agrare me ligjin famëkeq, kriminal e antikombëtar, ligj që ua dha tokën shqiptare emigrantëve grekë. Ju lejuat grabitjen, zënien me forcë të tokave shtetërore e private e sot të kompensohen me paratë tona, pronarët e pronave të zëna. Legalizohen grabitësit e pronës, nuk kompensohen ish-pronarët. E ç’të numërosh më parë?! Dhe ju vazhdoni të gënjeni e të mashtroni.
S’ju mjaftuan 7650 burra e gra shqiptare, gen i pastër patriotizmi dhe intelektualizmi, të vrarë e të masakruar nga të parët tuaj? Po 25 mijë të burgosur e dhjetëra mijëra të tjerë të internuar, të cilëve iu nxi jeta, iu shuan në mënyrë kriminale ëndrrat për të jetuar të lirë, për t’u shkolluar e për të qenë qytetarë të denjë? Dhe sot e kësaj dite ata trajtohen si njerëz të dorës së dytë. Përfaqësues të familjeve të dëshmorëve që në vitet e luftës ishin 10-12 vjeç, përfitojnë pension si dhe rimbursim falas të krejt listës së barnave, ndërsa ata që janë torturuar dhjetëra vite në burgje s’i kanë këto të drejta. Lejuat në këtë demokraci anarkike prostituimin e vajzave shqiptare në Evropë si edhe kultivimin e drogës etj., për shkak të varfërisë e papunësisë, aq të theksuar ende. Ndërsa ju vetë pasuroheni. Zoti ju mëshiroftë!
*Kryetar i Shoqatës së të Burgosurve Politikë Shqiptarë