Nesër Kushtetuesja vendos për Terrirorialen, PD-ja: Do bllokojmë zgjedhjet

Kjo fundjavë është vendimtare për të ardhmen e zgjedhjeve lokale, nëse ato do të zhvillohen sipas ndarjes së re territoriale apo ligji i ri i qeverisë do të shfuqizohet, siç e kërkon Partia Demokratike dhe numri i njësive vendore realisht nuk do të ndryshojë. Sakaq, paralel me debatet në Gjykatën Kushtetuese, në Partinë Demokratike është zhvilluar një konsultë mes kryetarit të opozitës, Lulzim Basha dhe grupit të ekspertëve demokratë, sipas llogarive të të cilëve, ndarja me 61 bashki i jep fitoren në tavolinë koalicionit qeveritar. Dhe për këtë arsye ata paraqiten kundër kësaj ndarje të re territoriale në rang vendi, për t’u aplikuar gjatë zgjedhjeve të afërta për krerët e pushtetit vendor. Pikërisht, burime zyrtare nga Partia Demokratike kanë konfirmuar për mediat se bazuar mbi këto llogaritje, opozita nuk do të pranojë atë që e quan "kapje të pushtetit lokal në tavolinë" nëpërmjet ndarjes së vendit sipas interesit politik të Edi Ramës dhe Ilir Metës. Të njëjtat burime pohojnë se duke e konsideruar miratimin pa konsensus të ndarjes territoriale si "asgjësim të bashkëjetesës demokratike" opozita është e vendosur jo vetëm të mos e njohë atë, por ajo do të përdorë të gjithë instrumentat për të mos lejuar zhvillimin e zgjedhjeve lokale me hartën e re administrative-territoriale në rang vendi. Por a do të thotë kjo mospjesëmarrje në zgjedhje? Burimet nga Partia Demokratike nuk konfirmojnë se është diskutuar për bojkot, por ato pohojnë gjithsesi faktin se në konsultën e kreut të opozitës janë diskutuar instrumentet për bllokimin e zgjedhjeve lokale, që sipas afatit ligjor duhet të zhvillohen në fund të qershorit. Ndërkaq, kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, i cili ka nisur një tur të ri kombëtar për takime me qytetarët, e ka cilësuar më herët ndarjen e re territoriale si një akt të njëanshëm që provokon konflikt civil dhe politik, i cili, siç thotë ai, mund të shmanget vetëm duke rikthyer konsensusin dhe dialogun mes palëve. Dhe shansi i fundit për ta bërë këtë, sipas demokratëve, është vendimi i Gjykatës Kushtetuese.

 

61

Bashki në rang vendi është numri i atyre që përcakton ndarja e re administrative-territoriale e vendit, shifër kjo me të cilën Partia Demokratike nuk paraqitet aspak dakord

 

SHKARKO APP