Neurologët studiojnë ecjen e presidentit Putin (ka aftësi të shkëlqyera motorike)

 

Një ekip neurologësh evropianë kanë marrë në shqyrtim ecjen e presidentit rus, Vladimir Putin. Ata thonë se Putin ka një ecje me aktivitet të reduktuar në krahun e djathtë, ecje kjo që ndryshe njihet si “Gunslinger's Gait”.

Sipas tyre, kjo mund të jetë pasojë e trajnimeve me armët që Vladimir Putin ka bërë kur ka qenë pjesë e shërbimit sekret rus, KGB. Studiuesit thonë se lëvizja asimetrike e krahut, mund të jetë shenjë e hershme e sëmundjes së Parkinsonit, por shtojnë se Putin nuk ka shfaqur shenja të tjera të kësaj sëmundjeje dhe për më tepër, ata nuk kanë pasur qasje në të dhënat mjekësore të presidentit rus për të mbështetur një fakt të tillë.

Studimi është publikuar më 14 dhjetor në gazetën mjekësore britanike “The BMJ”.

Studiuesit shkruajnë se Putin ka “aftësi të shkëlqyera motorike”, siç dëshmohet edhe në videot ku presidenti rus shihet teksa shijon aktivitete sportive të notit dhe xhudos, një komponent kryesor i imazhit të tij publik që është servirur prej kohësh nga mediat shtetërore të Rusisë.

Duke iu referuar një manuali të KGB-së, studiuesit shpjegojnë se stili i ecjes së Putinit është i lidhur me trajnimet që ka mbajtur ai në shërbimin sekret. “Sipas këtij manuali, operativët e KGB-së janë udhëzuar që armën e tyre ta mbajnë në anën e djathtë në afërsi të gjoksit dhe të lëvizin përpara me një anë, zakonisht nga e majta, me sa duket për t’u bërë të mundur atyre që kur të përballen me ndonjë armik, ta nxjerrin armën sa më shpejt që të jetë e mundur”, shkruajnë studiuesit.

Por përpjekja për të testuar tezën e tyre, duke analizuar videot në “Youtube”, ka nxjerrë një tjetër fakt interesant. E njëjta mënyrë të ecuri është konstatuar edhe te kryeministri Dmitry Medvedev, te ish-ministri i Mbrojtjes, Anatoly Serdyukov, e te Sergei Ivanov, por edhe te komandanti i lartë ushtarak rus, Anatoly Sidorov.

Të gjithë, me përjashtim të kryeministrit Medvedev, janë trajnuar ushtarakisht. Kryeministri Medvedev është avokat  në profesion dhe si i tillë nuk ka lidhje të qarta me KGB-në dhe nuk i ka shërbyer ndonjë ushtrie, edhe pse është trajnuar shkurtimisht si rezervist gjatë kohës kur ka qenë në universitet.

Që nga koha kur Putin e kishte zgjedhur me kujdes Medvedevin që të shërbente si president në vitet 2008-2012, gjuha e trupit të Medvedev shpesh ngjante me atë të mentorit të tij.

Duke cituar raportet e mediave perëndimore, studiuesit shkruajnë se “provat thelbësore sugjerojnë se Medvedev po përgatitet të tingëllojë, duket, e çka është më e rëndësishmja, të ecë si president”.

Studimi tregon se ecja asimetrike e Putinit “është një përshtatje e sjelljes së tij që rezulton nga trajnimet ushtarake apo ato të inteligjencës”.

SHKARKO APP