Nevoja për klube debati
Nga Entela Binjaku
Të shprehurit është një domosdoshmëri për individin si qenie shoqërore. Kur kryhet rreth çështjeve me impakt të gjerë, ai bëhet kontribuues i rëndësishëm për zhvillimet e vetë shoqërisë. Kur të shprehurit i bashkëngjitet një debati të kultivuar, të organizuar në grupe formale apo informale, atëherë ai e ndihmon individin të ndërtojë një ndërgjegje komunitare, mbi bazën e së cilës ai vepron dhe mund të sjellë ndryshimin e status-quo-s. Në cilëndo shoqëri, rinia është pjesa më jetësore dhe më pranë dëshirës për ndryshim; në shoqërinë tonë veçantia qëndron në faktin se vetë popullsia jonë është me moshë relativisht të re. Nga vëzhgimet, intervistat, takimet që kam zhvilluar në zona të ndryshme të vendit, nevoja e të rinjve shqiptarë për t’u shprehur, për të debatuar është e madhe. Për shkak se ata edhe nuk kanë se ku të organizohen në klube sado të vogla debati, ose sepse nuk kanë besim të organizimet e kësaj natyre, në mënyrë që t’i ndërmarrin vetë përsipër; për shkak se ata nuk besojnë se këto organizime sjellin ndikim, ata edhe i neglizhojnë këto forma të kultivuara të sjelljes civile.
Por edhe sepse hapësira për të kultivuar debatin nuk kanë, për shkak të papunësisë e në mungesë të të ardhurave personale, preferojnë të rrinë të mbyllur në shtëpi apo të izoluar nga pjesa tjetër e shoqërisë. Kështu humbasin edhe ato aftësi analitike që mund t’i kenë ushtruar apo mësuar me kohën.Klubet e debatit duhen nxitur mbi të gjitha për të shërbyer si strehëza të reflektimeve mbi çështje që kanë rëndësi për vetë fazën në të cilën gjendet shoqëria jonë: një tranzicion i pambarimtë. Dhuna ndaj gruas është një ndër këto çështje.
Për të mos mbetur vetëm si “temë për gra” apo për shoqatat që “merren me çështjet e grave”, kjo dukuri ishte zanafilla e diskutimit e një grupi të rinjsh, një pjesë të diplomuar ose jo, që ndjekin studimet e larta në degë të ndryshme të Universiteteve tona, të cilët ju bashkuan një takimi kulturor të ndërmarrë në kryeqytet nga lëvizja intelektuale e titulluar “ShqipOn” gjatë të enjtes së tretë të janarit. Të mbledhur në një strehëz me të njëjtin emër, synimi i takimit ishte të hidhej dritë mbi disa shqetësime që fillonin me dhunën ndaj gruas, por që siç rezultoi prej diskutimeve, reflektonin një dhunë që shfaqej e buronte nga shumë aspekte të jetës sonë. Që kjo dukuri të mos mbetej një temë për të cilën flitet “vetëm dy javë fushate në vit”, ose që trajtohet vetëm në rastet kur shoqëria mëson për ndonjë grua që dhunohet etj. në këtë takim që mori formën e klubit të debatit, u hodhën linja diskutimi të ndërtuara mbi disa pyetje. Konkretisht: a jemi ne shoqëri e dhunshme? Si është e mundur që çdo ditë kemi raste të dhunës? Nëse ligji ynë është i standardeve evropiane si ka mundësi që edhe pse kemi ligje që mbrojnë gruan, ajo është pre e formave të ndryshme të saj: fizike, emocionale, seksuale, ekonomike? Çfarë bën ligji ynë për të mbrojtur gruan në punë nga punëdhënësi që e ngacmon atë seksualisht?? Mbi këto pyetje pjesëmarrësit u angazhuan me ide, me mendimet e tyre, me përvojat që njihnin, sollën shembuj që kishin hasur, etj. Prania e një sociologu, prania e një mësueseje që punon çdo ditë me fëmijët, prania e një përfaqësueseje që drejton një organizatë me në qendër gruan e bëri edhe me interesant këtë mozaik qëndrimesh dhe përvojash. Shfaqja e disa videove ku pasqyroheshin të dhëna mbi praninë e dhunës tek ne, e cila është përqendruar si trajtim vetëm brenda familjes, si dhe paraqitja e shembujve që vijnë nga bota ku ajo trajtohej në një aspekt më të gjerë jashtëfamiljar, ju dha të gjithëve mundësinë të ndërtonin një analizë krahasuese. Roli i medias në portretizimin e gruas si objekt seksi, ligjet në letër e dhuna në praktikë, modelet e suksesit dhe maskulizimi i gruas, drama e një shoqërie të ngritur mbi padrejtësitë, nga njëra anë, dhe mungesa e informimit mbi çështjet ligjore, ishin disa nga elementët mbi të cilët u ndërtua ky takim i një formati kulturor, por që realizoi një debat ku secili dëgjonte me durim mendimin e tjetrit dhe priste me durim radhën e vetë. Ajo që secili përcolli ishte e vlefshme për t’u përcjellë më tej, për t’u përhapur si përvojë edhe nëpër zona të tjera të vendit, ku të tilla klube mungojnë thuajse tërësisht pavarësisht nevojës që ndjejnë të rinjtë kudo ku jetojnë në Shqipëri, apo pavarësisht nevojës që ka vetë shoqëria për energjinë mendore të gjithsecilit.
Sipas koordinatores së Lëvizjes “ShqipOn”, Majlinda Kola kjo lëvizje del me disa propozime si të vlefshme për të ndryshuar situatën, në të cilën gjendet shoqëria të tilla si: ngritja e një institucioni për mbrojtjen e të drejtave të gruas, ngritja e komisionerit për mbrojtjen e të drejtave të gruas, ndërtimi i një bazë të dhënash me emrat e të gjithë dhunuesve të grave etj. Me synimin për të ndërtuar një rrjet klubesh të tilla, ku cdo i ri të ndjehet I dëgjuar dhe i përfshirë jo vetëm për cështje politike në prag nevojash elektorale, për të ndihmuar kulturën e debatit në të gjithë vendin e jo vetëm në kryeqytet, do të ishte e udhës që klube të tilla të ndërtoheshin të nxitur nga vetë nevoja që ka shoqëria mbarë për ngritjen e kapaciteteve kulturore të të rinjve. Përmes modelit të këtyre takimeve, ndoshta do të mund të arrijmë të përfshijmë sa më shumë të rinj kudo në të gjithë vendin që “ju myket diploma në dollap”, dhe jo vetëm e “bachelorit”, por edhe e masterit.