Nga ish-rivalë në hetues: Shabani mbron Lapajn përmes institucionit
Ish-aleanca politike mes Endri Shabanit, drejtues i Nismës, dhe Adriatik Lapajt, kryetar i partisë “Shqipëria Bëhet”, e cila u formua për zgjedhjet e 11 majit, përfundoi në mënyrë të papritur. Shkaku i shpërbërjes së këtij bashkëpunimi ishte një mosmarrëveshje e ashpër mbi ndarjen e një mandati deputeti, duke çuar në prishjen e marrëdhënieve mes dy figurave politike.
Aktualisht, Endri Shabani mban postin e Avokatit të Popullit, një pozicion që e mori me mbështetjen e opozitës dhe votat e mazhorancës parlamentare. Ndërkohë, Adriatik Lapaj vazhdon prej disa javësh një protestë të pandërprerë përpara zyrës së Kryeministrit. Megjithatë, me marrjen e detyrës së re, Shabani duket se ka lënë pas krahëve përplasjen e dikurshme me Lapajn, duke ndërmarrë një veprim mbështetës ndaj tij.
Një nga urdhrat e parë të firmosur nga Endri Shabani si Avokat i Popullit lidhet pikërisht me hetimin e ngjarjeve të ndodhura gjatë protestës së fundit të organizuar nga Lapaj. Kjo protestë u shënua nga ndërhyrja e policisë, e cila hoqi çadrën e protestuesve, duke shkaktuar lëndimin e Adriatik Lapajt, i cili më pas u dërgua në spital. Burime pranë Top Channel bëjnë me dije se institucioni i Avokatit të Popullit ka nisur një hetim të thelluar mbi këtë incident.
Besnik Deda, komisioner i Avokatit të Popullit, konfirmoi nisjen e hetimit në një përgjigje me postë elektronike për gazetarin e Top Channel, Muhamed Veliu. Ai theksoi se, në zbatim të udhëzimeve të Avokatit të Popullit, një grup ekspertësh ka nisur menjëherë një hetim kryesisht për sjelljen e forcave policore. Hetimi fokusohet në ngjarjet pas protestës së zhvilluar më 4 janar 2025 nga Partia “Shqipëria Bëhet” përpara Kryeministrisë. Pjesë e procesit është inspektimi i ambienteve të privimit të lirisë në Komisariatin e Policisë nr. 1 dhe në Bllokun e Sigurisë, si dhe verifikimi i gjendjes shëndetësore të protestuesve të shtruar në Spitalin Universitar të Traumës në Tiranë. Deda shtoi se hetimi i deritanishëm ka përfshirë intervistimin e personave të ndaluar nga policia si në komisariat ashtu edhe në spital.
Nga deklarimet e marra si nga protestuesit, ashtu edhe nga punonjësit e policisë, u konstatua se Policia e Shtetit nuk kishte marrë masat e nevojshme për vendosjen e ambulancave në vendngjarje. Ambulancat mbërritën me vonesë të theksuar, vetëm pasi ishin lajmëruar nga policia, duke rënduar më tej gjendjen shëndetësore të të lënduarve. Një punonjës policie dëshmoi se kishte thyer kaviljen në dy vende gjatë një rrëzimi në mes të turmës, si pasojë e kaosit, dhe do t’i nënshtrohej një operacioni. Edhe ky punonjës theksoi se ambulanca kishte mbërritur rreth 40 minuta ose më shumë me vonesë, pritje e cila e kishte bërë atë të humbiste ndjenjat.
Përfundimet paraprake të komisionerit Deda theksojnë se Policia e Shtetit nuk kishte siguruar praninë e ambulancave në vendngjarje. Gjithashtu, nuk u konstatua mbipopullim në ambientet e shoqërimit. Megjithatë, u evidentuan shkelje të procedurave dhe rregullave kombëtare e ndërkombëtare lidhur me mbarëvajtjen dhe sigurimin e protestës nga Policia e Shtetit. Kjo pasi forcat e rendit nuk kishin përdorur mjete të komunikimit masiv, si megafonë, për të udhëzuar protestuesit drejt vetëpërmbajtjes apo shpërndarjes, por kishin ndërhyrë në mënyrë të menjëhershme.
KOHA JONË SONDAZH

