Nga kalaja deri në Gjinar, Elbasani në ritmin e festave
Elbasani, qyteti me histori dhe tradita të lashta, ka festuar gjithmonë Vitin e Ri me gëzim dhe atmosferë unike. Krishtlindjet, që dikur festoheshin brenda një rrethi të ngushtë familjar për shkak të regjimit komunist, sot janë shndërruar në një festë të madhe masive, duke sjellë gëzim e ngrohtësi për të gjithë.
Qyteti, i veshur me drita shumëngjyrëshe dhe dekorime mahnitëse, ndriçon që në rënien e muzgu. Qendra e tij, me muret e lashta të Elbasanit dhe portën madhështore të Kalasë, është shndërruar në një pikë tërheqëse për qytetarët dhe vizitorët. Hapësira mbushet me lodra për fëmijët, shtëpiza festive që ofrojnë pije e ëmbëlsira për të gjitha moshat, dhe një pemë e madhe e Vitit të Ri që ngrihet si simbol i kësaj feste, duke ftuar këdo të bashkohet në atmosferën e gëzueshme.
Festimet në Elbasan janë bërë gjithnjë e më madhështore me kalimin e viteve. Këngëtarë të njohur, DJ dhe grupe vallëzimi krijojnë një koncert të pandërprerë që mbush qytetin me muzikë dhe hare. Atmosfera e gjallëruese e bën qytetin të duket si një simfoni e vërtetë festive.
Një tjetër element i veçantë këtë vit janë lokalet, të cilat tashmë janë prenotuar plotësisht. Qytetarët elbasanas, nën ritmin e muzikës së këngëtarëve të ndryshëm, festojnë në lokale ku darkojnë me simbolin e Vitit të Ri, gjelin e detit. Këtë vit ka pasur një numër të madh kërkesash për prenotime edhe në lokalet në pikën turistike të Gjinarit, duke treguar interesin e madh për ta festuar ndryshe këtë ngjarje.
Nën kujdesin e veçantë të Kryetarit të Bashkisë, Elbasani është zbukuruar deri në detajin më të vogël. Aktivitete të shumta janë organizuar për fëmijët në qendrat e artit dhe në shkolla, ku këndohen këngë festive, recitohen poezi dhe krijohet një frymë dashurie për qytetin.
“Edhe këtë vit kemi nisur atmosferën festive që në fillim të dhjetorit. Janë organizuar shumë aktivitete për fëmijë dhe qytetarë të të gjitha moshave. Artistë vendas dhe të huaj kanë sjellë interpretime të veçanta në teatër dhe në sheshe, ndërsa dekoret e bukura kanë rrethuar çdo cep të qytetit. Cdo ditë qyteti gjallërohet më shumë, sidomos në mbrëmje. Ejani të festojmë të gjithë së bashku!”, u shpreh Kryetari i Bashkisë z. Gledian Llatja.
Elbasani është shndërruar në një shembull të shkëlqyer se si mund të ndërtohet një atmosferë festive që bashkon të gjithë qytetarët dhe vizitorët në një gëzim të përbashkët.
Miranda Sadiku