Nga lufta në Kroaci, tek mbërritja në Tiranë dhe rreshtimi në UÇK, jeta e “Shabanit” gjerman që vrau qindra serbë
Roland Bartetzko, ish-nënoficer i Bundswehrit gjerman, dy herë ka luftuar kundër serbëve – në Kroaci dhe në Kosovë. Për shkak të vrasjes së një koloneli serb, është dënuar me 16 vjet burg. Tani ai jeton në Prishtinë.
Në fillim ai nuk ka tepër besim. Në një restorant të Prishtinës pi ujë mineral dhe shpesh më duhet ta kujtoj për atë që shkruan gazeta “Der Spiegel”. Në këtë artikull të shkruar para gati 15 vitesh thuhet se ai është larguar nga Bundswehri (Ushtria gjermane).
“Në vitin 1988 ende ekzistonte detyrimi i shërbimit ushtarak, por unë kam shkuar atje para kohe. Pse? Diçka duhej bërë. Në Bundeswehr kam mbetur katër vite dhe si ushtar profesionist jam bërë nënoficer. Nuk ishte keq që si 17-vjeçar të kesh rrogë, të jetosh në kazermë dhe të kesh para. Tendosjet e Luftës së Ftohtë filluan të zhdukeshin ngadalë. Rënien e Murit dhe bashkimin e Gjermanisë i kam përjetuar në ushtri. Bundeswehri asokohe ende nuk shkonte në misione jashtë vendit. Njësia ime e parashutistëve ka shkuar për herë të parë në Somali në vitin 1993, por unë nuk isha më ushtar. Më pas erdhi Bosnja – edhe atje i kam takuar. Në fakt, i kam vizituar në Trogir të Kroacisë, kur kam pasur ndonjë fundjavë të lirë…
Nga Bundeswehri jam larguar në vitin 1991. Kam qenë ushtar profesionist, në fillim me kontratë të kufizuar tremujore, e më pas edhe një vit, dy vite… Gjithmonë ke pasur mundësinë të thuash: nuk dua të jem më ushtar. Nuk e kam idenë pse në Spiegel shkruan se jam larguar pa nderime. Diçka e tillë në Bundeswehr nuk ka ekzistuar juridikisht, sikur p.sh. në SHBA. Unë kam kërkuar të largohem nga Bundeswehri dhe kjo është pranuar.”
“Në pyetjen e të Majtës, qeveria gjermane (data: 21 qershor 2001) përgjigjet se R.B. është larguar nga ushtria në bazë të nenit 55 të Ligjit për pozitën juridike të ushtarëve ku thuhet: “Ushtari me kontratë të afatizuar mund të largohet nga ushtria në katër vitet e para pa ndonjë afat, nëse i shkel obligimet e veta zyrtare dhe nëse mbetja e tij cenon seriozisht rendin e autoritetin e Bundeswehrit”.
“Kemi ndjekur luftën në Jugosllavi. Kam dashur të shkoj edhe më herët, por është dashur të përfundojë maturën. Sllovenia ka përfunduar shpejt. Për Vukovarin kam dëgjuar nga radio-amatorët kroatë të cilët pyesnin: Pse nuk po na ndihmon askush? Do të shkoja edhe pa këtë thirrje, por kjo ishte vendimtare. Nuk e di nëse kam ndonjë shpjegim racional. Me siguri që atje nuk kam shkuar për shkak të qëndrimeve ndërkombëtare. Nuk ishte kjo vetvetiu kundër serbëve, por në mbështetje të pavarësisë së Kroacisë e më pas edhe të Bosnjës. Nëse lufton, ndonjëherë edhe gabon. Shikoni unë jam ushtar dhe ky ishte motivi im. Nuk mund t’i thuash vetes ushtar dhe të sorollatesh tërë ditën në kazermë, ndërkohë që vetëm disa orë më larg me makinë zhvillohet luftë. Gjërat kanë mundur të shkojnë edhe mbrapsht, por kjo ka mbetur një përvojë e madhe.”
Tregimi thellohet ndërsa Bartetzko kujton të gjitha toponimet. Prindërve nuk u kishte treguar se po shkonte në Zagreb. I kishte thirrur edhe miqtë e tij, por asnjë prej tyre nuk kishte ardhur me të. Nga Ministria kroate e Mbrojtjes është dërguar në një zyrë dhe prej atje në Megjugorje deri tek Mostari, ku i është bashkuar forcave kroate (HVO). Atje kanë përfunduar shumica e vullnetarëve gjermanë, sipas të dhënave gjermane, rreth 100 prej tyre. Në dokument shkruhet se ata ishin “persona të paguar me sfond nga e djathta ekstreme”. Neonazistë.
Bartetzko pohon se ka pasur edhe të tillë, por pak dhe se ata kanë shkuar tek Forcat Mbrojtëse Kroate (HOS). Ai kishte përfunduar tek brigada e ideologut radikal kroat Ante Bruno Bushiç. Në vend të serbëve, në shënjestër kishte boshnjakët.
“Sinqerisht nuk kam ditur shumë për zhvillimet politike atje. Si kam mundur ta di se a jam në anën e drejtë? Nuk mund të jesh i sigurt. Në fakt ana e mirë dhe e keqe nuk dallojnë nga ajo se kush ka të drejtë politikisht apo juridikisht, por nga metodat që përdoren. Nëse njëra anë vret civilë dhe fëmijë, ajo është ana e keqe, pavarësisht nëse ka të drejtë sipas Kushtetutës jugosllave. Ka filluar në Vukovar, ku serbët sulmonin edhe spitale. Nëse përdor metoda të tilla, atëherë nuk je në anën e duhur. Nëse ti tani ma vjedh telefonin, nuk mund të të vras, sepse ky nuk do të ishte një reagim proporcional…”
Profesionalizmi dhe disiplina janë dy fjalët e tij magjike. Po Srebrenica? “Mungesë e profesionalizmit të Shtatmadhorisë.” Aushvici? “Oficerët e SS nuk kanë qenë ushtarë, por kriminelë ordinerë.” Ka pasur, siç thotë, edhe në HVO njësi gjysmë të dehura që kanë plaçkitur, djegur dhe vrarë. Por këto kanë qenë të rralla. Në portalin quora.com më shumë se 15.000 persona përcjellin se çfarë shkruan Bartetzko për luftën, taktikën guerile, shijimin e cigares pas luftimeve…
Për vdekjen, në veçanti procesin e vdekjes. Ai shkruan se pas luftës së parë në Mostar, nga 18 persona sa kanë qenë, kanë shpëtuar të gjallë vetëm shtatë prej tyre.
“Kjo ka qenë hera e parë që dikush ka qëlluar kundër meje, dhe kjo ka qenë situata më e rëndë në karrierën time. Mostari ka qenë asokohe si fronti lindor për gjermanët në Luftën e Dytë Botërore – më e keqja që ka mundur të ndodhë. Të gjitha janë zhvilluar shpejt, nuk ke kohë të mendosh për asgjë. Shkuarja më pas në Makarska dhe pushimi atje kanë qenë shumë të këqija, sepse ke pasur kohë të mendosh. Atje kemi qenë relativisht shpesh të dehur por nuk kam qenë i traumatizuar.”
Kalojmë tek faza e fundit të luftës në Kroaci, kur ka përfunduar Oluja, në kohën e operacionit Maestral 2, kur trupat serbe u larguan nga Bosanska Krupa e deri tek Donje Vakuf.
Pas tyre nuk ka mbetur asgjë, vetëm të vdekurit dhe të dëbuarit. Ka pasur edhe dënime ndaj pjesëtarëve të ushtrisë kroate për ekzekutimin e të zënëve rob në Halapiç dhe Mlinishtë. Bartetzko ka qenë në këtë rajon, por nuk ka dëgjuar për krime. Më e keqja që kanë bërë ai dhe shokët e tij, siç thotë, ishte marrja nga shtëpitë e boshatisura të pijeve dhe ushqimeve.
“Tërë ditën pret të vrasësh dikë, e më pas duhet të mendosh nga aspekti moral nëse është në rregull të marrësh një shishe verë nga ndonjë banesë e lënë bosh? Natyrisht që ka pasur edhe përfitues të luftës. Por kur je në front, nuk ke fare të bësh me gjëra të tilla. Më kujtohet Shipova… kur jemi futur ka qenë një qytezë normale. Nuk ka pasur shkatërrime të mëdha, sepse serbët janë tërhequr shpejt. Atje kemi bujtur një natë dhe kemi vazhduar ditën e nesërme. Pas dy-tre javësh kemi kaluar prapë andej. Shipova ishte e shkatërruar, por jo nga lufta. Atje ishte marrë gjithçka ka qenë e mundur. Keq është kur për këtë akuzohen ushtarët.
Në fund kam qenë në veri të Mrkonjic Grad, në drejtim të Banjallukës. Fronti u stabilizua dhe e kemi ditur se nuk do të shkojmë më larg, ndonëse kroatët kanë mundur ta marrin Banjallukën. Komandanti tha se është arritur armëpushimi. Të gjithë qeshnin, sepse ky ishte mbase armëpushimi i 100-të.”
***
Fundi i luftës ishte edhe fillimi i monotonisë për Roland Bartetzko. Zyra Kundër Kriminalitetit ishte pas tij, por nuk kishte asgjë konkrete në duar – përveç pjesëmarrjes në luftë. Në këtë shërbim nuk japin të dhëna për rastin. Nëse mund t’i besohet shkrimeve të Spiegel, “’desperadoja ballkanike’ kishte mbetur pa para, dhe kishte përfunduar në burgun Stadelheim afër Munihut”, sepse i kishte vjedhur çantën një femre. Në burg nuk japin të dhënat për të burgosurit. Thonë se të dhënat duhet të kërkohen në kadastër, ndërsa atje për DË thonë se ata nuk kanë marrë të dhëna nga burgu në vitet 90-të. Bartetzko nuk është njohur kurrë në ndonjë adresë burgu, ndërsa vendparaqitja e tij ishte në Virselen, në veri të vendit.
Më vonë së bashku me një shok ka shkuar në një kasolle në Pirinijet franceze. Me paratë e kursyera – nuk tregon se si ka ardhur tek paratë – ka menduar të shkojë në Tajlandë. Por asokohe filloi të ziejë në Kosovë dhe kjo sfidë ishte më e madhe se shkuarja në ndonjë plazh apo striptizë në Bankok. Në Tiranë ka mbërritur në vitin 1998, përmes Italisë. Dhe vendosi t’i bashkohet Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK).
“Kjo ishte një luftë tjetër, guerile. Në Bosnje për shembull, ishte normale të kesh një linjë fronti prej dy kilometrash – energji, ushqim, vendstrehim, kemi mundur të shkojmë edhe në det. Në Kosovë nuk ka pasur asgjë. Kjo ishte sfidë. Gjithmonë kemi qenë në ndonjë grup të vogël, nuk kemi pasur komandantë. Vetë kemi vendosur se çfarë aksionesh luftarake do të ndërmarrim. Njësitë e vogla kanë mundur të vendosin për shembull që tërë ditën të rrinë në ndonjë kafene dhe të mos bëjnë asgjë. E centralizuar ka qenë logjistika, kryesisht nga Shqipëria, për furnizim me armë dhe municion.
Më kujtohet një fshat afër Mitrovicës. Kemi pyetur si është e mundur që këtej të kalojnë serbët dhe që fshati të mos digjet siç ishte zakon? Më pas kemi gjetur një letër të një ushtari… Ai ishte nga Beogradi dhe shkruante se ishte i detyruar të luftojë. Pra nuk ishin të gjithë të njëjtë. Ata janë sjellë normalisht. Ishte i frustruar dhe u shkruante shokëve në Beograd që të pinin ndonjë gotë në emër të tij.
Në Bosnje kam mësuar të përdor mjetet shpërthyese dhe ato i përdor më lehtë se telefonin. Nga teknika kemi pasur vetëm një shkrepës mbushës dhe një mjet kontrolli me të cilin shkaktohet shpërthimi. I gjithë arti ishte që të jesh efikas. E unë kam qenë efikas.”
Atij i kishin vënë emrin Shaban, që është muaji i tetë i kalendarit islam, muaji para Ramazanit. “Si Shaban Shauliçi. Më pas kam marrë vesh se ky ishte një emër fshatarësh, i vjetër. Edhe sot disa më thërrasin Shabi.” Ai pohon se ka lëvizur në zonat ku ka qenë rreziku më i madh – Mitrovicë, Drenicë, Leposaviq, Zveçan, Skenderaj, Vuçitërn. Në portalin “Quora” shkruan për llogaritë e thjeshta të luftës – sa më shumë armiq vret, aq më mirë.
“Besoj se kam vrarë ushtarë të armikut. Nuk ua kam matur pulsin, por natyrisht… ndonjëherë kemi qenë shumë afër me njeri-tjetrin, p.sh. sa tek ajo karrigia atje (katër – pesë metra më larg). Më e mira është që të mos vrasësh askënd, që armiku të ikë vet. Në kokë kam një numër të njerëzve të vrarë, por nuk e them. Është primitive të flasësh ashtu, nuk është për ushtarë.
Krimet e UÇK? Jo, në zonën time nuk ka pasur krime… nuk do t’i toleroja unë. Nuk e di për zonat tjera. E di që do të më pyesësh, si gazetar serb, për këtë, por gjërat duhet të dallohen. Mendoj se UÇK-ja në parim ka qenë e pastër, por gjithmonë ka raste të mungesës së profesionalizmit dhe disiplinës (prapë fjalët e tij magjike). Pas luftës vetëm në rajonin tonë janë zhdukur mbi 1000 serbë. Jam fort mirë i sigurt se të gjithë janë vrarë, por kush i ka vrarë? Unë tani jam jurist dhe më duhet të them se gjërat duhet të dëshmohen një nga një. Të shohim se çfarë do të dalë nga kjo gjykata e re për UÇK.”
***
Edhe fundi i kësaj lufte kërcënonte që Bartetzkos t’i sjellë monotoni. Por ai nuk donte të kthehej në Gjermani. Fillimisht pastronte terrenin nga minat e më pas deshi të themelonte një agjenci për siguri. Në Spiegel shkruan se kjo ishte vetëm maskë për “punët e pista” në shërbim të zotërinjve të luftës, klasës së re të kriminelëve. Bartetzko thotë se agjenci të tilla janë marrë me rekrutim, por jo edhe ajo e tij. Në fakt, agjencia e tij ka ekzistuar vetëm në letër, sepse ende pa e regjistruar ka përfunduar në burg.
Ka qenë e mërkurë, 18 prill 2001. Rreth orës 14:55 në rrugën e dikurshme Mostarska, në qendër të Prishtinës, kthehet një Pasat me ngjyrë të errët me nëpunësit e Njësisë për Pasaporta nga Komiteti Jugosllav për bashkëpunim me UNMIK-un. Afër makinës, tek një shtëpi e boshatisur, shpërtheu një bombë dhe u vra koloneli serb i MUP-it Aleksandar Petrovic, ndërsa katër persona u plagosën. Shtetasi gjerman Roland Bartetzko për këtë vrasje, tentativë vrasje dhe terrorizëm dënohet një vit më vonë me 23 vjet heqje lirie nga Gjykata Ndërkombëtare e qarkut në Prishtinë, me pjesëmarrjen e gjykatësve gjermanë dhe sipas ligjeve jugosllave. Gjykata supreme në Kosovë nuk i është përgjigjur kërkesës së DË që t’ia japë kopjen e këtij dënimi, i cili më vonë është zbutur në 20 vjet heqje lirie. Roland Bartetzko nuk e ka pranuar në këtë gjykim, por as tani në këtë intervistë me DË, se ai e ka vendosur bombën.
“Shiko, gjurmët i kanë gjetur në një shirit të bombës tjetër, e cila nuk ka shpërthyer. Aty ka pasur me qindra gjurmë dhe asnjë prej tyre nuk ka qenë e imja. Ata kanë gjetur vetëm një gjurmë, e cila sipas tyre ka qenë e qartë, në një vulë. Dhe kjo ishte sipas tyre gjurmë e gishtërinjve të mi. Befasuese. Më kanë ndaluar para hotelit Grand dhe më kanë arrestuar. Mi kanë kontrolluar duart nga gjurmët e eksplozivit dhe nuk kanë gjetur asgjë. Menjëherë më kanë liruar, por më kanë arrestuar pas dy ditësh. Në banesë kanë gjetur një shirit, por shirita të tillë kanë pasur të gjithë. Mendoj se mi kanë manipuluar këto gjurmë.”
Kush i ka vendosur? “UNMIK-u”. Po pse? “Ai ishte kundër UÇK.” UNMIK-u, siç beson ai, i ka treguar edhe Spiegelit të gjitha ato që shkruan në këtë tekst. Bartetzko i dënuar mbi bazën e të dhënave të besueshme për terrorizëm nuk ndalon të kërkojë dëshmi që do ta lirojnë nga kjo fajësi. Kështu thotë ai. Në mediat serbe ai është shpallur fajtor edhe për sulme të tjera me bomba. Dënimin e ka vuajtur në bazën amerikane Bondstil, e më pas edhe në Mitrovicë dhe Dubravë të Pejës. Nga burgu është liruar me kusht para dy vitesh. Në burg e ka arritur edhe një diplomë të një fakulteti privat juridik. Tema e punimit të diplomës: Radikalizmi islamik në burgjet e Kosovës. Tani punon si jurist për disa firma në Prishtinë.
Gruaja e tij shqiptare e ka pritur tërë kohën. Shqip flet rrjedhshëm, kam përshtypjen se flet me theksin nga vendlindja e tij afër Rinit. Po serbisht? “Nga pak, e kam harruar”, thotë në gjuhën serbe. Ai është i kënaqur që në portalin “Quora” vlerësohet mendimi i tij për çështjet ushtarake. Ai shkruan shumë, ndonjëherë nga disa tekste në ditë. Kohët e fundit shkruan edhe për portalin e njohur “Global Risk Insights”, një portal i një shkolle ekonomike në Londër. “Atje shkruajnë edhe persona që kanë këshilluar presidentin amerikan për çështje të sigurisë. Tani kam kontakt me ta dhe kjo është diçka.”
***
Për herë të fundit opinioni kosovar është interesuar për Bartetzkon në fillim të vitit të kaluar, kur është nisur peticioni për largimin nga Kosova të ambasadorit amerikan Greg Delawi, sepse “mbështeste një regjim, i cili e ka humbur besimin e popullit”. Ky ishte një skandal i madh në Prishtinë dhe për këtë janë deklaruar edhe Thaçi, Mustafa dhe Jahjaga. Ky ishte një sulm i tmerrshëm ndaj partnerëve, vlerësuan ata. Bartetzko mbeti disi i vetmuar.
“Këtu të gjitha idetë vlerësohen vetëm nga një perspektivë: çfarë do të thonë amerikanët për këtë? Ndërsa politikanët merren me gjëra të parëndësishme. Nuk kemi ujë, rrymë, Prishtina është shndërruar në ‘depo plehrash’. Ka ditë kur Prishtina është qyteti më i ndotur në botë, më keq se në Kinë apo Indi, papunësia është tepër e madhe. E ata merren me rezoluta për ndërprerjen e bisedimeve me Serbinë dhe ushtrinë… Shtrohet pyetja – pse njerëzit mbështesin politikanë të tillë? Përgjigja është: sepse mendojnë se ata kanë mbështetjen e Perëndimit. Ndaj mendoj se kjo duhet të ndërpritet nga Perëndimi. Nuk e besoj që nënshtrimi ndaj amerikanëve ka qenë kuptimi i luftës…”. /DW/