Ngjarja në Vuno, Berisha në mbrojtje të Arjan Konomit: Dënoj dhunën dhe arrestimin brutal
Sali Berisha ka reaguar për ngjarjen në Vuno, ku gazetari dhe publicisti Arjan Konomi u shoqërua në Komisariatin e Policisë së Himarës, pas një përplasjeje me eskortën e kryeministrit Edi Rama.
Në një reagim të tij, Berisha e cilëson Konomin si një gazetar “të mirënjohur dhe guximtar” dhe akuzon kryeministrin Edi Rama për përgjegjësi në ngjarjen e ndodhur. “Pse e arrestoi Edi Rama publicistin dhe gazetarin e mirënjohur dhe guximtar Arjan Konomi, i cili në krye të detyrës i tha se kryeministri duhet të zbatojë ligjin?”, shkruan Berisha.
Ai shprehet se dënon atë që e cilëson si dhunë dhe arrestim brutal ndaj gazetarit, ndërsa u bën thirrje organizatave ndërkombëtare të mbrojtjes së medias që të reagojnë ndaj rastit.
“Dënoj me forcën më të madhe dhunën dhe arrestimin brutal të z. Konomi. Ftoj organizatat ndërkombëtare të mbrojtjes së mediave të dënojnë këtë akt kriminal ndaj gazetarit dhe lirisë së tij”, vijon reagimi i Berishës.
Incidenti ndodhi në Vuno, ku sipas rrëfimit të publikuar nga Konomi, ai kishte filmuar automjetet e eskortës së kryeministrit, duke pretenduar se ishin parkuar në një zonë ku ndalohej parkimi. Konomi ka deklaruar gjithashtu se më pas është përplasur me truprojat dhe se telefoni i tij është marrë dhe videot janë fshirë.
KOHA JONË SONDAZH

