Ngjarja në Zvërnec, MEPJ: Mbrojtja e të drejtave të njeriut, vlerë themelore e demokracisë
Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme shprehu sot keqardhjen për situatën e krijuar dje në Zvërnec (Vlorë), ku ndodhi një përplasje fizike ndërmjet një grupi protestuesish dhe punonjësve të një shoqërie private sigurie të kontraktuar nga kompania që po kryen punime në zonë.
Në një deklaratë për shtyp MEPJ thekson se “Policia e Shtetit ka identifikuar dhe arrestoi punonjësin e shoqërisë së sigurisë, përgjegjës për dhunën e ushtruar ndaj një protestuesi me shtetësi shqiptare dhe greke, ndërsa dy punonjës të tjerë janë proceduar penalisht”.
“Njëkohësisht, është filluar një hetim disiplinor për të verifikuar rrethanat e ngjarjes dhe përgjegjësitë institucionale përkatëse. Mbrojtja dhe promovimi i të drejtave të njeriut mbeten vlera themelore të demokracisë dhe shtetit të së drejtës në Shqipëri”, thuhet në deklaratën e MEPJ-së.
Lidhur me këtë çështje, MEPJ sqaron se “autoritetet e të dy vendeve, Shqipërisë dhe Greqisë kanë qenë në kontakt të vazhdueshëm, në nivele të ndryshme”.
“Shqipëria mbetet plotësisht e përkushtuar për forcimin e mëtejshëm të marrëdhënieve me Greqinë, të bazuara në respektin e ndërsjellë, dialogun e hapur dhe vlerat e përbashkëta evropiane”, theksohet në deklaratën e MEPJ-së.
ATSH
KOHA JONË SONDAZH

