Ngjela: Paketa antishpifje, është skandal! Rama tenton që të shmang vëmendjen nga dëmet e tërmetit
Avokati i njohur Spartak Ngjela i ftuar në studion e rubrikës “Opinion” në “News 24” tha se asnjë nga politikanët e sotëm nuk do i shpëtojë reformës në drejtësi. Ngjela theksoi se edhe Rama ka nisur të ndjejë frikën e reformës, e prandaj ai bën ligjin antishpifje, me qëllim që të heqë vëmendjen nga tmerri që e ka pushtuar.
“Mendoj se goditja penale për rastin e tërmetit do të ecë. Mesa pashë unë gjykata la në burg të gjithë ata që kërkoi Prokuroria. Nuk mund të shkosh dot te rangjet e larta, sepse i kapshmi direkt është ai që është më i ulëti në shkallë. Kjo sepse gjykata merr përgjegjësinë direkt. Rama tenton që të shmang vëmendjen. Unë s’kam parë ndonjëherë kryeministër që të ecë nëpër rrugë, viziton fëmijët, sikur është kryetar pionerësh. Ikën këtej-andej, i bie kërkon të fshehë diçka.
Nëse tenton të fshehë diçka, nëse do të shmangë të vërtetën, atëherë të jap të dorëheqjen. Ramën e tremb e vërteta prandaj ka vendosur ligjin antishpifje. Këta nuk kanë perspektivë, janë të ndaluar të gjithë në karrierën e vet. SPAK ka bërë që Prokuroria të ecë valë-valë. Rama po tenton ta bëjë si Enver Hoxha, për të ndaluar zërin e mediave. Edi Rama ka humbur ekuilibrin dhe ka frikë. Frika është se në këto momente që Rama pësoi dëmin e madh. Edi Rama është vetë i implikuar me mafien dhe prandaj ka frikë”, deklaroi Ngjela.
Spartak Ngjela theksoi se antishpifja është një ligj skandaloz, kurse ka shtuar se ky projekt-ligj e kthen AMA-n praktikisht në një gjykatë. Spartak Ngjela nënvizoi se Ambasada Amerikane ka vendosur disa emra në listë, se këta persona kanë frikë nga reforma.