Ngrohja globale, veproni sa jeni në kohë!
Sikur ngrohja globale të mos ishte një kërcënim i mjaftueshëm, planifikimi i dobët dhe mungesa e subvencioneve i përkeqësojnë më shumë përmbytjet.
Shkalla e shkatërrimit do të bëhet e qartë vetëm kur ujërat e përmbytjeve të pakësohen, duke nxjerrë më në pah pasojat, të tilla si makina të shkatërruara, shtëpi të zhytura në baltë dhe më e keqja nga të gjitha, kufomat e të mbyturve.
Por sipas të dhënave të publikuara, teksa shiu i rrëmbyeshëm vazhdonte të binte mbi Teksasin jugor për ditën e gjashtë radhazi, Uragani Harvey po konsiderohej si përmbytja më e rëndë në Amerikë, shkruan The Economist.
Në Hjuston, ai përmbyti Harris County me mbi 4.5 trilionë litra ujë në vetëm 100 orë, reshje të mjaftueshme për të mbuluar një fëmijë tetëvjeçar.
Edhe pse në vëmendjen e mbarë botës, qyteti i katërt më i madh amerikan, në fund të ditës mbetet i vetëm në fatin e tij.
Në Indi, Bangladesh dhe Nepal, të paktën 1,200 njerëz vdiqën dhe miliona të tjerë kanë mbetur të pastrehë nga vërshimet e këtij viti.
Muajin e kaluar, shirat e rrëmbyer shkaktuan rrëshqitjen e një mase të madhe dheu në Sierra Leone, që mendohet se ka vrarë diku tek mbi 1,000 veta, edhe pse numri i saktë nuk dihet ende. Në të gjithë botën, qeveritë po përballen me kërcënimin e përmbytjeve dhe kjo padyshim që ka të bëjë me ndryshimin e kushteve klimatike.
Por në këtë drejtim, rëndësi dhe ndikim të veçantë ka edhe korrigjimi i politikës afatshkurtër dhe nismat jo të duhura që i përkeqësojnë më shumë përmbytjet.
Lajmi i mirë në të gjithë këtë situatë të keqe është se stuhitë dhe përmbytjet kanë shkaktuar shumë më pak vdekje në dekadat e fundit, krahasuar me periudhat e mëparshme dhe kjo falë sistemeve më të mira paralajmëruese, kanalizimeve më të sakta dhe teknikave më të mira në fushën e ndërtimit.
Ciklon që goditi Bangladeshin në vitin 1970 vrau 300,000-500,000 njerëz, ndërsa pas kësaj, përmbytja më e rëndë ka qenë ajo në vitin 2007 nga e cila humbën jetën 4,234 njerëz.
Lajmi i keq është se stuhitë dhe përmbytjet ende përbëjnë pothuajse tre të katërtat e fatkeqësive natyrore dhe se ky fenomen po bëhet gjithnjë e më i zakonshëm.
Sipas Munich Re, një kompani sigurimesh, numri i përmbytjeve në botë është rritur nga 200 në 1980 në mbi 600 gjatë vitit të kaluar. Harvey ishte stuhia e tretë që goditi Hjustonin që nga viti 1979.
Në të njëjtën kohë, kostot e përmbytjeve dhe stuhive po rriten gjithnjë e më shumë. Sipas një vlerësimi të fundit, numri i shtëpive që u kërcënuan nga uraganet në vitin 2010 ishte tre herë më i madh në krahasim me vitin 1970. Kjo shifër pritet të rritet edhe më shumë, sepse edhe numri i njerëzve që po zhvendoset drejt qyteteve bregdetare po rritet.
Sipas OKB-së, që nga 1995 e deri në 2010, stuhitë dhe përmbytjet shkaktuan 1.7 trilionë dëme, ndërsa sipas vlerësimeve të Organizatës Botërore të Shëndetit, kostoja globale e dëmeve të shkaktuara nga përmbytjet ka shënuar një rritje me 6% në vit.
Parashikohet që dëmet e shkaktuara nga përmbytjet në Europë do të pesëfishohen deri në vitin 2050.
Një nga arsyet është ngrohja globale. Frekuenca dhe ashpërsia e uraganeve ndryshojnë natyrshëm dhe fatmirësisht Amerika ka parë shumë pak gjatë dekadës së kaluar.
Detet më të ngrohta avullojnë më shpejt dhe ajri më i ngrohtë mund të mbajë më shumë avuj uji, që çliron energji kur ajo kondensohet, duke shkaktuar rritjen e forcës dhe intensitetit të stuhive. Rritja e nivelit të detit, që parashikohet të ndodhë veçanërisht në Gjirin e Meksikës, e përkeqëson situatën e rëndë të shkaktuar nga reshjet.
Uragani Harvey ishte jashtëzakonisht shkatërrues por si pasojë edhe e një planifikimi të dobët nga qeveria mbi lejet e tokës për ndërtim, që ka edhe një pjesë të konsiderueshme faji, ky uragan është shembulli ekstrem i asaj që mund të shkojë keq.
Edhe pse autoritetet vendase treguan kujdes të veçantë për akomodimin e popullsisë, e cila që nga viti 2000 ka shënuar një rritje me 1.8 milionë banorë më shumë, një numër i madh i këtyre njerëzve janë vendosur pranë bregdetit të qytetit, duke e shndërruar në beton, atë pjesë toke e cila shërbente për të përthithur shiun në raste ekstreme.
Sipas Tribunës së Teksasit dhe ProPublica, një organizatë bamirëse që financon gazetarinë investigative, që nga viti 2010, Qarku i Harris ka lejuar që më shumë se 8,600 ndërtesa të vendosen brenda fushave të përmbytura në këto 100 vite, ku probabiliteti që të ndodhin përmbytje është 1% në çdo vit.
Zhvilluesit duhet të kishin ndërtuar pellgje të cilat supozoheshin që do të mbanin sasinë e madhe të ujit në raste të tillë, por mesa duket rregullat po zbatohen në mënyrën më të keqe. Edhe hartat nuk po përditësohen në bazë të zhvillimeve të fundit dhe pronat që supozohen se janë jashtë zonës së përmbytjeve 100-vjeçare po përmbyten vazhdimisht.
Dështimi i qeverisë e rrit më shumë dëmin e shkaktuar.
Vendet në zhvillim nuk kanë sigurimin e duhur ndaj fatkeqësive natyrore. Një kompani sigurimesh, Swiss Re, shprehet se nga 50 miliardë dollarë humbje të shkaktuara si pasojë e dëmeve nga përmbytjet, ciklonet dhe fatkeqësitë e tjera në Azi gjatë vitit 2014, vetëm 8% ishin të mbuluara nga kompanitë e sigurimeve.
Banka e Marrëveshjeve Ndërkombëtare llogariti që katastrofat më të rënda natyrore zakonisht ulin PBB-në e vendit të mjeruar me pothuajse 2%.
Ndërsa Amerika ka një problem tjetër, qeveria federale subvencionon primet e sigurimit të shtëpive të rrezikuara.
Programi Kombëtar i Sigurimit të Përmbytjeve është detyruar të marrë hua sepse nuk arrin të mbulojë kostot e këtyre dëmeve. Si pasojë e neglizhencës lejohet ndërtimi i shtëpive të reja në zona të cilat nuk duhet të ndërtohet në asnjë mënyrë.
Sipas Agjencisë Federale të Menaxhimit të Emergjencave, numri i shtëpive që përmbyten rritet nga viti në vit.
Pesë shtete, me Teksasin në mesin e tyre janë ndër më të rrezikuarat, me mbi 10,000 familje në qiell të hapur si pasojë e përmbytjeve të shtëpive, ndërsa në mbarë vendin, numri i tyre është rritur me rreth 5,000 çdo vit.
Veproni sa jeni në kohë
Çfarë duhet të bëni?
Përmbytjet kanë pasoja negative në minimizimin e faktorëve që ndikojnë në ndryshimin e kushteve klimatike, duke e rritur lagështinë në nivele më të larta dhe duke i bërë stuhitë më të fuqishme.
Për këtë arsye, politikanët duhet të nxjerrin një mësim të mirë nga Hjustoni.
Qytetet duhet të rrisin gatishmërinë dhe mbrojtjen për zonat ujëmbledhëse, të tilla si ligatinat rreth Kolkatës dhe liqeneve në Pokhara në Nepal, vlera e të cilave po bëhet gjithnjë e më e qartë. Hartat e përmbytjeve duhet të jenë sa më të përditësuara. Inxhinierët civilë, të uritur për të përfituar sa më shumë nga fondet që marrin, duhet të ndërtojnë dhe të përforcojnë sigurinë e digave dhe rezervuarëve sa më parë, përpara se të jetë tepër vonë.
Agjencia Federale e Menaxhimit të Emergjencave duhet të fillojë të paguajë primet e tregut dhe vendet në zhvillim duhet të shesin obligacionet. E gjithë kjo është një provë e qeverisë, e parashikimit dhe e aftësisë për të përballuar lobimin e pronarëve të shtëpive dhe zhvilluesve. Por politikanët dhe zyrtarët që do të dështojnë, do ta kuptojnë se herët a vonë, ata do të zgjohen sërish në mes të një uragani tjetër si ai i Harvey-t. /Monitor/