Nis puna për bypassin e Elbasanit, ministri Karakaçi: Do të lehtësojë trafikun dhe do të lidhë korridoret kryesore
Ka nisur puna për ndërtimin e bypassit të Elbasanit, një projekt që synon të lehtësojë trafikun në aksin Tiranë-Elbasan dhe të përmirësojë lidhjen me korridorin Elbasan-Qafë Thanë. Ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Enea Karakaçi, bëri me dije se punimet kanë nisur në segmentin e parë të bypassit, aty ku përfundon aktualisht rruga Tiranë-Elbasan. Sipas tij, rruga do të ndërtohet si autostradë e kategorisë A, duke respektuar të njëjtat standarde me aksin ekzistues Tiranë-Elbasan.
“Punimet kanë filluar në bypassin e Elbasanit. Është pjesa ku fillon hinka e autostradës Tiranë–Elbasan. Do jetë autostradë e kategorisë A, sipas të njëjtave standardeve që është aktualisht sot rruga Tiranë–Elbasan”, deklaroi Karakaçi. Sipas ministrit, projekti pritet të sjellë një zgjidhje për trafikun e rënduar, veçanërisht gjatë sezonit turistik. Dy kontratat për ndërtimin e segmentit janë lidhur tashmë nga Autoriteti Rrugor Shqiptar, ndërsa punimet në pjesën e parë kanë nisur.
Faza aktuale përfshin rreth 3 kilometrat e parë, të cilat do të shtrihen deri pranë Kombinatit Metalurgjik të Elbasanit. Karakaçi theksoi se punimet po ecin me ritme të mira, edhe për shkak të përfundimit më herët të procedurave të shpronësimeve, çka ka bërë të mundur hapjen e kantierit. Ministri e cilësoi bypassin e Elbasanit një projekt me rëndësi për integrimin e rrjetit rrugor kombëtar. Sipas tij, rruga do të krijojë një lidhje të drejtpërdrejtë mes autostradës Tiranë-Elbasan, bypassit të Elbasanit dhe korridorit Elbasan-Qafë Thanë.
“Bëjmë ndarjen e trafikut ndërmjet pjesës juglindore të Shqipërisë dhe pjesës jugore të Shqipërisë, por po ashtu bëjmë ndërlidhjen ndërmjet autostradës Tiranë–Elbasan, bypassit të Elbasanit, si dhe dalim në vazhdimin e korridorit Elbasan–Qafë Thanë”, u shpreh Karakaçi.
KOHA JONË SONDAZH

