Nishani: Përballje ligjore për krimet e komunizmit

 
Presidenti i republikës, Bujar Nishani ka kërkuar dje që bashkëpunëtorët e Sigurimit të Shtetit, të përballen me ligjin dhe të dënohen. Deklarata e Nishanit është bërë gjatë ceremonisë së hapjes nën kujdesin e tij të ekspozitës “Muzeu i Memories”, konceptuar si një muze virtual në prag të përkujtimit të Lëvizjes Studentore të Dhjetorit.“Krimet e kryera nga ish-Sigurimi i Shtetit janë konkrete, janë madje edhe në shkelje të rëndë të legjislacionit të kohës, të lirive themelore të njeriut dhe në dhunim të parimeve të humanizmit njerëzor. Unë besoj që përtej mekanizmit ideologjik që meriton gjykimin publik të shoqërisë, mekanizmat represivë, të cilët kanë kryer akte kriminale duhet të njohin përballje ligjore”,- u shpreh Presidenti Nishani. Kreu i shtetit shtoi se dënimi i krimeve të komunizmit nuk është revansh. “Kjo nuk është hakmarrje. Përkundrazi kjo përbën distancim dhe klasifikim të angazhimeve për të realizuar jo vetëm një platformë, por edhe një realitet të dhunshëm dhe kriminal”,- tha Nishani. Qëllimi i kësaj ekspozite lëvizëse, është përveç pasqyrimit të së kaluarës së errët diktatoriale të vendit tonë dhe bërjes së saj pjesë të projektit global të krimeve të komunizmit, të jetë e pranishme edhe për brezat e rinj duke u hapur më pas nëpër qytetet, gjimnazet kryesore dhe universitetet publike anembanë Shqipërisë. “Unë i besoj një parimi: Ne duhet ta memorizojmë të shkuarën, ta memorizojmë fort, të bëjmë pjesë të ndarjes së informacionit, në mënyrë të tillë që së paku të kemi shpirtin e qetë dhe mendjen e kthjellët, për të parë tek ajo që është më kryesorja për ne, tek e ardhmja, sepse edhe sot që jetojmë e punojmë, kemi detyrimin për të ndërtuar të ardhmen, por asesi dhe kurrë për të harruar të kaluarën. S’ka gjë më të mirë për një shoqëri dhe për individin e saj kur shpirtin e ka të pastër dhe mendjen e ka të kthjellët”,- u shpreh Presidenti. Në ceremoninë e hapjes së “Muzeut të Memories” ku ishin të pranishëm të përndjekur dhe të burgosur nga regjimi komunist, studiues, historianë, studentë të Universitetit të Tiranës dhe atij “Aleksandër Moisiu” të Durrësit, u diskutua mbi nevojën, jo vetëm të dënimit, por edhe të njohjes së opinionit me të gjitha krimet dhe vuajtjen e njerëzve gjatë regjimit komunist. 
 

SHKARKO APP