Nisin ethet e edicionit të 53-të të Festivalit të Këngës në RTSH

Profesionistët e muzikës dhe drejtuesit e këtij eventi madhështor në një konferencë për shtyp gjatë ditës së djeshme bënë me dije emrat që arritën të kualifikohen për në këtë edicion, ku mes tyre spikasnin edhe elementë surprizë, siç ishte ai i aktorit Enver Petrovci dhe rikthimi i Elhaida Danit, fitueses së “The Voice of Italy”. Kështu, janë 28 këngët që do të garojnë sivjet në festivalin traditë të muzikës së lehtë, i cili do të mbahet më datë 26-27 dhe 28 dhjetor në Pallatin e Kongreseve.

Përpara gazetarëve, ndër të tjera drejtori i Përgjithshëm i RTSH-së, Martin Leka prezantoi formulën dhe listën e këngëtarëve fitues që do të garojnë sivjet për çmimin e parë. Bashkë me drejtorin artistik të festivalit për këtë vit, Shpëtim Saraçin dhe skenaristen Mira Tuci, drejtori i RTSH-së deklaroi se formula e këtij viti do të jetë që 28 këngët do të këndohen në dy netët e para të festivalit, ndërsa në finale do të këndohen 18 këngë të përzgjedhura gjatë dy netëve të para. Por ky edicion vjen ndryshe jo vetëm për nga konceptimi, elementët e rinj skenikë, prurjet interesante dhe rikthimi i emrave BIG në skenë. Drejtuesit kanë menduar që në këtë edicion, pas çdo nate festivali të ketë edhe Post-Festival, një ide kjo mjaft e sinqertë nga ana e tyre, ku do të ndahen opinione mes organizatorëve, kritikëve të artit, gazetarëve dhe pjesëmarrësve të ndryshëm. 

“Pas çdo nate të festivalit këtë vit do të ketë edhe Post-Festival ku do të diskutohen të gjitha detajet e eventit nga kritikë, gazetarë dhe pjesëmarrës. Ftoj të gjitha mediat të jenë të pranishme, pjesëmarrëse me të gjithë protagonistët e festivalit përballë” u shpreh Leka, duke lënë të kuptohej që mirëpresin edhe kritikat e shëndosha.

Ndërsa Edmond Zhulali ka bërë me dije se për të marrë pjesë në Festival, pas njoftimit nëpërmjet medieve janë paraqitur më shumë se 50 artistë. “Këtë vit janë paraqitur mbi 50 artistë, por bashkë me pjesëtarët e tjerë të grupit organizator, Shpëtim Saraçin dhe Alfred Kaçinarin bëmë seleksionimet dhe dy ditë më parë vendosëm për 28 këngë, ku përfshihen artistë të rinj, por edhe shumë emra të njohur të muzikës shqiptare”. Siç kanë shpjeguar organizatorët, praktika e përvitshme është që secilit prej këngëtarëve fitues dhe pjesëmarrës në Eurovizion vitet e mëparshme u bëhet ftesë për pjesëmarrje. “Ka shumë raste kur festivalin e Këngës e lidhin me Eurovizionin”, ka thënë drejtori, Martin Leka. “por kolegët, artistët që e drejtojnë këtë festival nuk e shohin kështu, sepse Festivali i Këngës është tradita jonë, e shkuara dhe e ardhmja, prandaj dhe në plan të parë është cilësia dhe vlerat që ky festival përçon tek publiku”.

Edhe në këtë edicion gjykimi do të bëhet nga një juri profesioniste, emrat e së cilës do të bëhen publike në ditët në vijim. Ndërsa sa i takon prezantuesve të sivjetëm nuk janë bërë të ditur emrat e tyre dhe gjithashtu është hedhur poshtë lajmi që qarkullonte këto ditë nëpër portale, që Arbana Osmani do të jetë njëra prej tyre.  Më poshtë do të njiheni me listën e konkurrentëve të edicionit të 53-të të Festivalit në Radio Televizionin Shqiptar.

Pjesëmarrësit e Festivalit të 53-të në RTSH

Bojken Lako Band

Gjergj Leka

Marsela Cibukaj

Lindita Halimi

Rezarta Smaja

Mjellma Berisha

Revolt Klan

Julian Gjojdeshi

Erga Halilaj

Jozefina Simoni

Kozma Dushi

Enxhi & Xhejn Kumrija

Ana Gramo

Agim Poshka

Florent Abrashi & Sigi Bastri

Kelly

Venera Lumani

Emi Bogdo

Klajdi Musabelliu

Besjana Mehmeti & Shkodran Tolaj

Andos Sinani

Gr.Offchestra

Elhaida Dani

Saimir Braho

Altin Goci

Gr.Aurora

Enver Petrovci

Besa Krasniqi

 

SHKARKO APP