Niveli i arsimit në zonat veriore
Niveli mësimor në arsimin parauniversitar vazhdon të ketë tendencë rënieje në rajonin verilindor të vendit, pavarësisht testimeve që kanë nisur të kryhen me synim thithjen e kuadrit më të specializuar. Pak ditë më parë u krye një testim, rezultatet dolën, por tashmë gjithçka ka rënë në heshtje. “E keqja është se ata mësues që kanë marrë minimum pikësh, apo zero pikë vazhdojnë të jenë në punë, pasi janë të afërm deputetësh, prefektësh, apo të drejtuesve të partisë në pushtet”,- thotë Remzi Seferi, mësues prej 28 vjetësh, pjesëmarrës në testim, pasi nuk jepte lëndën për të cilën ishte diplomuar.
Testimi kryhet në muajin dhjetor, kur ka përfunduar emërimi në vendet vakante, vende të zëna nga miqtë deputetësh, apo prefektësh. Tashmë janë vetë drejtuesit e arsimit në qarkun e Kukësit që pohojnë se, “vende të lira për punë nuk ka. Por testimin e kemi kryer se kështu na e kërkoi Ministria”.
Si nuk ndodh ndoshta askund tjetër në qarkun e Kukësit, çdo lloj emërimi, jo vetëm në sektorin e arsimit, por edhe në administratë, kryhet përmes vëzhgimit e vendimmarrjes së rreptë të G-5 (grupi i të gjashtëve). Në qendër të këtij grupi është emërimi në vendet e reja të punës përmes vendimmarrjes familjare, apo pagesës së shumave të parave. Aq sa tashmë kjo mënyrë punësimi ka nisur të ngjallë edhe reagimin e komunitetit. Kjo ka sjellë që mjaft specialist të mos regjistrohen në testime, pasi e dinë se rezultati është i paracaktuar.
Ndërsa mungesat e shumta të infrastrukturës shkollore janë të shtrira në çdo shkollë. Në këtë drejtim, ndikim negativ po jep edhe pushteti vendor, pasi eliminimi i mangësive në një masë të madhe është në dorën e tij. Në shkollat e arsimit parauniversitar të rrethit të Kukësit,, në 40 për qind të tyre mungon uji i pijshëm, ndërsa në 70 për qind mungojnë banjat.
Shumë premtime janë kryer gjatë viteve të fundit për zhvillimin e lëndës së informatikës. Paradoksi është se kjo lëndë kryhet në një pjesë të madhe të shkollave nga mësues të CU. Ndërsa vetë mësuesit me shaka thonë se, “kjo lëndë është një mundësi më shumë për të punësuar një të afërm, pasi kjo lëndë as nuk zhvillohet. Kjo edhe për faktin se në rreth 40 për qind të shkollave të këtij rrethi nuk ka patur ndonjë herë furnizim me energji elektrike, fenomen i njohur nga të gjithë”. Fenomeni njihet, ndërsa në Drejtorinë rajonale të Arsimit na thonë se, “Shtrirja e linjës për furnizimin e shkollave me energji elektrike e ka pushteti vendor”. Por nuk bëjnë të ditur pse pohojnë se në këto shkolla zhvillohet lënda e informatikës, apo se shkollat janë të lidhur me internet.
Mangësi të tillë ndikojnë jo pak në cilësinë e mësimdhënies. Veçanërisht në shkollat e zonës rurale, ku ende një numër mësuesish janë pa arsimin përkatës, dukuri që vështirë se mund të eliminohet deri sa punësimi kryhet përmes G-5, apo pagesës së parave.
Në këto kushte, ende kërkohet punë për eliminimin e pasojave negative në sektorin e arsimit. Për këtë kërkohet një bashkëpunim me komunitetin. Edhe pse të gjitha palët kësisoj e dinë se po shkelin ligjin. Po askujt nuk i bëhet vonë, përderisa realizon synimet e tij.
Letër e dërguar në redaksi nga Artur Zeneli