Niveli i jetesës: Krahasimi i Shqipërisë me rajonin

Sa nevojiten për të paguar të gjitha shpenzimet e një muaji dhe në raport janë ato shpenzime me të ardhurat e një familjeje. Ky raport përcakton nivelin e jetesës i cili gjithsesi është një e dhënë e mesatarizuar. Numbeo.com, një faqe ueb e specializuar për krahasimin e këtyre të dhënave për qytete e vende të të gjithë botës sjell një pamje të situatës edhe për vendin tonë. Ajo që bie në sy duke u krahasuar me vendet fqinje është se në Shqipëri niveli i pagës është më i ulëti, ndërkohë që çmimet e mallrave e të shërbimeve janë në nivele të krahasueshme, herë më shtrenjtë e herë më lirë. Kjo e bën të dukshëm faktin se niveli i jetesës në vendin tonë është më i ulëti në rajon.

Krahasimi i pagave

Paga mesatare në Shqipëri është më e ulëta në rajon me vetëm 280 euro. Në nivel të krahasueshëm me vendin tonë është vetëm paga që marrin maqedonasit, të cilët sipas Numbeo paguhen mesatarisht me 283 euro në muaj, pra vetëm 3 euro më shumë se paga mesatare e vendit tonë. Sipas të njëjtit burim, pagat në Serbi e Kosovë kapërcejnë nivelin e treqind eurove duke qenë përkatësisht 323 dhe 381 euro në muaj. Nga vendet fqinje vetëm në Malin e Zi paga kapërcen 442 euro në muaj. Ndërkohë Italia dhe Greqia si vende të BE kanë standard shumë më të lartë pagash se vendet e tjera të rajonit që shkojnë dy deri në katër herë më shumë se në vendin tonë. Në Itali paga mesatare mujore është 1460 euro, ndërsa në Greqi paga mesatare mujore është 746 euro. Këto paga vihen përballë kostove të jetesës, apo shpenzimeve mujore për të përcaktuar më pas standardin e jetesës.

Krahasimi i shpenzimeve

Kosova, Maqedonia dhe më pas Shqipëria janë vendet që kanë çmime më të lira të produkteve ushqimore për pasojë edhe kosto më të ulët jetese në rajon. Më e lira është Kosova, me koston e jetesës 16.06% më të ulët se në Shqipëri. Por ndonëse ka çmime më të lira, qiraja në Kosovë është 27.43% më e lartë se në Shqipëri. Kostoja e jetesës në Maqedoni është 4.64% më e ulët se në Shqipëri. Qiraja në Maqedoni është 4.84% më e ulët se në Shqipëri. Kostoja e jetesës në Serbi është 4.85% më e lartë se në Shqipëri. Qiraja në Serbi është 15.79% më e lartë se në Shqipëri. Kosto e jetesës në Mal të Zi është 21.49% më e lartë se në Shqipëri. Qiraja në Mal të Zi është 53.14% më e lartë se në Shqipëri. Në shtetet e zhvilluara fqinje, kosto e jetesës është shumë më e lartë, por normalisht këto vende kanë dhe të ardhura shumë më të larta, që amortizojnë këto kosto. Sipas Numbeo, kosto e jetesës në Itali është 161.72% më e lartë se në Shqipëri, ndërsa kostoja e jetesës në Greqi është 73.45% më e lartë se në Shqipëri.

Kafe e restorante

Një drekë për dy persona, në një restorant mesatar, me tre pjata, mund ta konsumosh më lirë në Maqedoni me rreth 13 euro, në Kosovë 15 euro dhe në Shqipëri rreth 16 euro. Më e shtrenjta nga rajoni është Mali i Zi me 25 euro, ndërsa për një drekë me dy persona në Itali duhet të matesh mirë, pasi mund të shpenzosh mesatarisht 50 euro. Shqipëria e ka më të lirë birrën e importuar, në rreth 1.1 euro, ndërsa në Itali shkon deri në 4 euro. Një kapuçino është më e lirë në Kosovë, Maqedoni, Shqipëri (rreth 1 euro) dhe më e shtrenjtë në Greqi (gati 3 euro).

Supermarkete të shtrenjta

Qumështi dhe buka janë ndër më të shtrenjtat në rajon, në Shqipëri, sipas tabelave krahasuese. Buka është më e shtrenjtë vetëm në Mal të Zi. Nuk janë marrë në konsideratë këtu Italia dhe Greqia. Më të lira në tregjet shqiptare janë djathi, mishi i pulës, veza, por gjithsesi më e lira në vlerë absolute për këto produkte është Kosova. 1 kg banane është më e shtrenjtë në rajon në Shqipëri. Me 4.36 euro, një shishe verë mesatare, vlerësohet më e shtrenjta në rajon, ndërsa në Itali e Greqi është 6 euro. Cigarja (Marlboro) është më e lirë në Maqedoni, me 1.95 euro një paketë, ndërsa në vendet e tjera luhatet mes 2.2 dhe 2.4 euro. Më e shtrenjtë është në Itali, me 5.4 euro.

Transporti, na griu nafta

Shërbimi i transportit publik është më i lirë në Shqipëri, ndonëse cilësia e tij lë për të dëshiruar. Por, të shtrenjta janë taksitë, ku tarifa normale minimale është 2.2 euro (më e larta në rajon, duke përjashtuar Italinë e Greqinë), ndërsa në Maqedoni është 0.65 euro. Edhe për naftën, me 1.23 euro për litër, Shqipëria mban rekord në rajon. Taksat e larta bëjnë që shqiptarët të harxhojnë për karburante më shumë se në Maqedoni, Mal të Zi, Serbi e Kosovë, që paguajnë rreth 1 euro, ose dhe më pak për këtë produkt. Në krahasimin që Numbeo bën për makinat, për dy modelet e marra në konsideratë, Volkswagen Golf 1.4 dhe Toyota Corolla 1.6l, ato janë më të lira në Shqipëri dhe Kosovë.

Shtëpitë dhe qiratë

Të blesh një apartament në Shqipëri kushton ende më lirë në krahasim me vendet e tjera të rajonit, por jo në kryeqytet. Në Tiranë, çmimet po mbërrijnë mesataren e rajonit, me rreth 1200-1500 euro për metër katror (brenda qendrës). Më lirë është Maqedonia, ku çmimet janë ende nën 1000 euro. Më të shtrenjtat mbeten Italia (me rreth 5000 euro/m2 dhe Greqia, rreth 4000 euro).

Por, periferia në qytetet shqiptare, me rreth 500 euro për metër katror, është më e lira në rajon.

Qiratë luhaten mesatarisht nga 110-330 euro në varësi të numrit të dhomave dhe vendndodhjes, të krahasueshme me Maqedoninë, por më të lira se në Mal të Zi e në Serbi. Pagesa mujore për shërbimet bazë (ujë, drita e ngrohje për një apartament 85 m2) kushtojnë më lirë në Shqipëri, më pas vjen Kosova dhe më shtrenjtë iu kushton serbëve.

Veshjet

Nga të dhënat e Numbeo rezulton se të gjitha llojet e veshjeve të marra në krahasim (këpucë, fustan, xhinse, atlete) i gjen më lirë në Kosovë. Më pas renditen Maqedonia e Shqipëria.

Kujdesi për veten kushton shtrenjtë në Shqipëri, ku tarifa mujore në një qendër fitness-i është rreth 24 euro, ndërsa në Maqedoni 15 euro e në Serbi 20 euro. Vetëm në Mal të zi, kjo tarifë është rreth 28 euro.

SHKARKO APP