Një burim i ri i rritjes ekonomike

 

Nga Alfred Peza

Në 11 shtatorin e 2001, pas një takimi bankierësh, ndërsa po udhëtonte nga Zyrihu për në Nju Jork, Alen Greenspan, shefi i rezervave federale amerikane të asaj kohe mësoi lajmin rreth sulmeve terroriste në SHBA. Presidenti Xhorxh W. Bush e telefonoi dhe i kërkoi një këshillë, për mesazhin me të cilin duhej ti drejtohej amerikanëve dhe botës, mbi rrënojat e dy kullave binjake. Greenspan i’u përgjigj: Duhet të jepni jo një, por tri mesazhe. E ato janë: Konsumoni. Konsumoni. Konsumoni.

Pas goditjes më të rëndë që SHBA kishte pësuar prej nga Lufta II Botërore, vetëm nëpërmjet rikthimit tek jeta normale, mund të rikthehej optimizmi tek njerëzit, optimizmi tek tregjet dhe optimizmi tek ekonomia. Vetëm kështu do të vazhdonin investimet, do të hapeshin vendet e reja të punës dhe do të ringrihej kombi.   

Sepse, siç shpjegon ai më vonë në kujtimet e tij, “është efekti psikologjik që i shpie njerëzit në gjendjen e panikut dhe të rënies ekonomike. Një goditje si kjo që pësuam mund të shkaktonte një tërheqje masive nga veprimtaria ekonomike dhe një krizë të madhe. Mjerimi mund të shumëfishohej”..

Në Shqipëri as sot, as disa ditë më parë dhe as në dy vitet e fundit, nuk ka ndodhur ndonjë sulm terrorist si ai i 11 shtatorit. As ndonjë luftë. As ndonjë krizë ekonomike. As ndonjë fatkeqësi natyrore me pasoja shkatërrimtare. Shyqyr Zotit, as ndonjë epidemi apo luftë civile, që mund të krijonin një efekt psikologjik frike e paniku tek qytetarët. Të cilët do të detyroheshin që të ulnin ndjeshëm konsumin dhe të tërhiqeshin masivisht nga veprimtaria ekonomike. Apo që të detyrohej biznesi të largohej masivisht nga Shqipëria,- siç në mënyrë të padëgjuar ndonjëherë,- Berisha i bëri thirrje këtë javë nga foltorja e Kuvendit.

Veç e veç ose sëbashku, ngjarje të tilla, mund të provokonin të shumëdëshiruarën nga opozita jonë: Një krizë të thellë ekonomike, për të provokuar një krizë politike.

Është kjo dhe vetëm kjo, arsyeja se përse prej shumë e shumë muajsh, politikanët dhe liderët e opozitës, mediat pranë tyre dhe një pjesë e rrjeteve sociale, në mënyrë titanike po bëjnë gjithçka, po sajojnë gjithçka, po shpifin e po trillojnë për gjithçka, që të krijojnë idenë se në këtë vend gjerat po shkojnë keq e më keq. Duke e paraqitur reformën në energjitikë, si një aksion kundër qytetarëve. Duke e paraqitur reformën në arsim, si një aksion kundër nxënësve e studentëve. Duke e paraqitur reformën e pensioneve si një masë kundër moshës së tretë. Duke e paraqitur reformën në fushën e tatimeve, si një masë kundër biznesit. Duke e paraqitur reformën në fushën e informalitetit, si një goditje kundër kapitalit.

Opozita po kërkon të krijojë efektin e përgjithshëm psikologjik, që do ti çonte qytetarët e këtij vendi, në situatën e panikut. Duke i shtyrë ata,- siç Berisha ka qejf ta quaj,- drejt “revolucionit demokratik”.

Krijimi I klimës së panikut, është rruga që çon drejt frenimit të rritjes ekonomike. Pasi qytetarët, të bombarduar nga debate si ato të dy ditëve të fundit në Parlament, frenohen në shpenzimet e përditshme, në konsumin masiv të mallrave, në investime, në shpenzimet e luksit, në udhëtime a pushime. Nuk bëjnë plane afatmesme e afatgjata, nuk marrin kredi dhe bien në stanjacion.

Jeta nën diktaturën virtuale të pasigurisë, e tremb kapitalin, e tremb paranë dhe i tremb burimet e rritjes ekonomike. Për rrjedhojë, të gjithë qëndrojnë në pritje të ditëve më të mira, më të qeta dhe më optimiste. Ose shohin me dylbitë e shpresës, se një ditë, edhe në këtë vend, nga liderët e tyre politikë në mazhorancë dhe opozitë, nga e majta, qendra dhe e djathta, do tu kërkohet publikisht e me zë të lartë që që të ndjekin tri këshilla: Të konsumojnë. Të konsumojnë. Të konsumojnë.    

Optimizmi, realizmi dhe pozitivizmi krijojnë klimën e duhur dhe një psikozë kolektive relaksuese në opinionin publik. Duke u bërë në këtë mënyrë, një premisë për rritjen më të shpejtë dhe më të madhe ekonomike të vendit. Duke u shndërruar në një gjenerator, në një burim të ri për rritjen ekonomike të Shqipërisë. Teoritë më të rëndësishme ekonomike e pranojnë se optimzmi I njerëzve dhe I tregjeve, ndikon me disa përqind në rritjen ekonomike të një vendi, ose të ekonomisë globale. 

Por si është në fakt, realiteti ekonomik i Shqipërisë, i parë në kontekstin e debatit që sapo u zhvillua, e ku u vlerësua në parim projektligji “për buxhetin e shtetit për vitin 2016”?

Eshtë aq rozë sa kërkon që ta shfaqi përshembull Kryeministri, ministri ynë i financave dhe ai i ekonomisë? Apo është sterr? Zi e më zi,- siç ka qejf në stilin e tij prej “Tersi Pojani” ta quajë ish Kryeministri Berisha?

Për këtë, nuk po i referohem as pasqyrës së mazhorancës, por as anës së pasme të saj, që paraqet opozita. Po i referohem një burime tjetër, krejt të besueshëm. Progres Raportit të fundit të Bashkimit Europian për Shqipërinë, i cili për ecurinë e ekonomisë sonë thotë:

“Shqipëria e ka ruajtur stabilitetin makroekonomik dhe është përgatitur në mënyrë të moderuar për të zhvilluar një ekonomi tregu funksionale. Është arritur progres në përmirësimin e stabilitetit makroekonomik, perspektivat e zhvillimit janë përmirësuar dhe ka nisur reforma e menaxhimit të financave publike. Megjithatë, ende mbeten sfida të mëdha. Shqipëria duhet të synojë veçanërisht konsolidimin fiscal, të përmirësojë kuadrin e menaxhimit të buxhetit, të trajtojë nivelin e lartë të huave joperformuese (ose siç njihen ndryshe “kreditë e këqia”) dhe të përmirësojë mjedisin e biznesit duke forcuar shtetin ligjor”.

Pra, situate reale është krejt tjetër nga ajo që paraqet opozita jonë. Ndaj, ne sot kemi dy Shqipëri: Shqipërinë reale të mazhorancës dhe Shqipërinë virtuale të opozitës.

Eshtë BE dhe jo Edi Rama që thotë se Shqipëria ka stabilitet makroekonomik. Ka shtrat të duhur për një ekonomi tregu funksional, ku është përmirësuar ndjeshëm stabiliteti makroekonomik. Janë përmirësuar prespektivat e zhvillimit të qëndrueshëm dhe ka nisur reforma e thellë strukturore për menaxhimin e financave publike.

Forcimi I shtetit ligjor mbetet kryesfida jonë. Një reformë që ka nisur me një sërë masash në çdo sektor të rëndësishëm të jetës së vendit, e cila pritet të kulmojë me reformën në Drejtësi. Pa drejtësi, pa shtetin e së drejtës, pa forcimin e shtetit ligjor, nuk ka rritje ekonomike.

Adam Smith, në librin e tij “Pasuria e kombeve”, e konsideruar si një nga arritjet më të mëdha në historinë e intelektit njerëzor, thotë se: “Akumulimi i kapitalit, tregtia e lire, roli i duhur por i kufizuar i qeverisë si dhe zbatimi i ligjit, janë çelësi i lulëzimit ekonomik të një kombi”. 

Më shumë se për çdo gjë tjetër, Shqipëria sot ka nevojë për një kulturë të re, një marrëdhënie të re, një epokë të re, në raportet e qytetarit dhe të biznesit me ligjin, me ligjshmërinë dhe me zbatimin e ligjit. Sepse gati gjysma e ekonomisë sonë është ilegale, në të zezë. Që do të thotë se një në çdo dy biznese nuk është i regjistruar, nuk paguan tatime, taksa e as sigurime shoqërore për punonjësit.

Po të dëgjosh me kujdes ligjërimin politik të të dyja palëve të politikës në Parlament dhe në debatet e tjera publike, duket sikur njëra mbron legalitetin, legjitimitetin, ligjin e të gjithë ata qytetarë dhe biznese të ndershme që paguajnë faturat, liçensat, taksat dhe doganat.

Kemi dhe një palë tjetër, opozita, që mbron të gjithë ata që identifikohen me antishtetin, me antiligjin dhe me të gjitha antirregullat e vendosura apo që po kërkohet të vendosen në këtë vend.

“Për kalimin e një vendi nga shkalla e pazhvilluar, në nivelin më të lartë të mirëqenies, s’duhet shumë: Duhet paqe sociale, duhen paguar taksat dhe duhet drejtësi. Gjithë të tjerat vijnë vetë, në mënyrë të natyrshme”.

Ajo çfarë qytetarët kanë parë në vijimësi nga ligjërimi politik publik është krejt e kundërta e asaj që ata presin nga përfaqësuesit e tyre. Është e kundërta e asaj që do na çonte drejt një niveli më të lartë mirëqenie, drejt një standardi të ri social- ekonomik dhe drejt të të bërit, një vend normal. Me ekonomi tregu të lirë e konkurrues, me shtet të së drejtës dhe me qytetarë që konsumojnë, konsumojnë, konsumojnë.  

Në një kishë në Edinburg, mbi një pllakë varri është gdhendur mbishkrimi: “Këtu janë varrosur eshtrat e Adam Smithit. Autor i teorisë së ndjenjave morale dhe i pasurisë së kombeve”.

Në Shqipëri, nëse do vazhdojmë të sillemi si opozita jonë që vetëm lyen me bojë të zezë gjithçka në këtë vend, nuk është çudi që një ditë, në atë pjesë të godinës së Parlamentit të gdhendet ky epitaf: “Këtu janë varrosur ëndrrat e shqiptarëve, nga autorët e ndjenjave imorale dhe varfërimit të këtij kombi”.

 Fjala e mbajtur në Kuvend

SHKARKO APP