Një ceremoni, dy ngërdheshje dhe 35 të vrarë…

Nga Ardit Rada

Fotografia e mësipërme është shpërndarë në rrjetet sociale mbrëmjen e 20 janarit si një sukses i opozitës shqiptare me pjesëmarrjen e saj në ceremoninë e inaugurimit të presidentin amerikan Donald Trump. Ajo zgjatet poshtë kopsës së parë të Lulzim Bashës dhe mbi gjunjtë e Fatmir Mediut, por ishte qëllimi im që t’u tregoja vetëm fytyrat.

Poza në fjalë vjen vetëm pak orë para përvjetorit të gjashtë të vrasjeve të “21 Janarit” dhe 1 muaj e pak para masakrës së Gërdecit. Ajo që gjykata e thotë dhe media s’e shet është fakti se dy tragjeditë nuk u mbyllën me aq viktima. Sikurse 21 Janari që u pasua me vetëvrasjen e djalit të Faik Myrtajt, Tushe Osmani i dha fund jetës sepse humbi në shpërthimin e Gërdecit vajzën e saj, Resmijen.

Swiss Digital Desktop Reklama

Sot, në këtë vit, Shqipëria shënon plot 35 të vrarë shtetërore dhe mbi 500 të plagosur në tre vite, 2008-2011. Pa llogaritur këtu shtëpitë e rrafshuara nga shpërthimi i Gërdecit dhe gropat e tjera që ka hapur 21 Janari në katër dyert e zisë së përjetshme.

Swiss Digital Mobile Reklama

Lulzim Basha dhe Fatmir Mediu kanë marrë dje pjesë në ceremoninë e inaugurimit të Donald Trump. Janë dy figurat e politikës shqiptarë që pavarësisht se Drejtësisë me apo pa Vetting i shpëtuan, ata buzëqeshin lirshëm sikur të mos kish ndodhur asgjë. Asnjë falje publike apo përgjigje para atij farë gjyqi që u është bërë vrasjeve në fjalë. Të dy janë specialistët e shmangies së gjyqeve; njëri përmes raporteve mjekësore dhe tjetri nëpërmjet rifitmit të imunitetit si deputet.

Fotografia e mësipërme është bërë në Uashington ndërsa dy fytyrat e mësipërme nuk thanë kurrë një gjysmë fjale për Donald Trump gjatë fushatës zgjedhore në SHBA. Heshtja e tyre ishte e barabartë me atë që pasoi tragjeditë që ata vetë krijuan apo urdhëruan.

Poza në fjalë tregon përtej një ngërdheshje frymën që karakterizon ish-ministrat e Sali Berishës, që sot kërkojnë të na shfaqen si alternativë. Janë më tepër sesa një ironi se: “Ja! Ne gëzojmë në SHBA si aleatë të Trump, ndërsa i vdekuri me të vdekurin dhe i gjalli me të patreturin”.

Sot është 21 Janar dhe Lulzim Basha ndodhet ende në Uashington në morinë e politikanit të rëndësishëm të Shqipërisë, që me ndihmën e lobeve duhet te krijojë agjendën e tij për të përbërë lajm së paku për tri ditët në vijim. Fatmir Mediu në krah të bashkë-aleatit do të prodhojë lajmet e tija në prag të fushatës zgjedhore, pavarësisht se mes një ceremonie në SHBA dhe dy fytyrave të ngërdheshura na ndajnë 35 viktima.

Lulzim Basha dhe Fatmir Mediu nga sot e disa ditë në vijim do të zgjohen ne hotelin ku qëndrojnë, nën biseda dekriminalizmi dhe kurthesh; Pazaresh për të futur e presionesh që i vogli të futet sërish në listën e të madhit, që të rifitojë një mandat me apo pa imunitet.
Ana, Renato, Geraldo dhe të tjerë nuk do të gdhihen me të njëjtën buzëqeshje. As paratë nuk i kanë mbledhur dot për të thurur një buqetë lulesh për familjarët e tyre në këto përvjetore.

Fotografia e Bashës dhe e Mediut ua pështiros dhe ia shton barrën më shumë padrejtësisë ndër vite.

Sot është 21 Janar dhe nesër Gërdeci!

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

Mendoni se Berisha do ta bllokojë kryeministrin me turma popullore?