Një cirk patriotik
Ceremonia e varrimit të eshtrave të Isa Boletinit iu shërbeu politikanëve për dalldisje patriotike, ashtu siç i shërbeu Shpend Ahmetit Dita e Çlirimit të Prishtinës. Një cirk që dëshmon mendësinë e shtetbërjes së atyre që na udhëheqin. Të atyre që për shtetin punojnë pak dhe gjithçka përpiqen ta mbulojnë me pallavra folklorike kuq e zi.
Nga Imer Mushkolaj
Një cirk i llojit të vet ishte gjithë organizimi i varrosjes së eshtrave të Isa Boletinit. Politikanë nga Kosova e Shqipëria ngarendën të bëjnë pak biznes me eshtrat e heroit dhe në dalldinë patriotike të mbledhin sa më shumë poenë politikë. Finalja e rrugëtimit bizar të eshtrave të Boletinit ishte moment i përshtatshëm për të shfrytëzuar sa më shumë rastin për promovime personale e shfryrje folklorike.
Fort maskarallëk dukej akti i puthjes së flamurit kuq e zi nga Agim Bahtiri e Lulzim Basha, dy kryetarë që nuk njihen për farë kontributi në menaxhimin dhe zhvillimin e qyteteve që i udhëheqin, Mitrovicës së Jugut e Tiranës.
E për të qenë maskarallëku edhe më i madh, në orët e mbrëmjes, shpejt e shpejt, Basha u shpall edhe “qytetar nderi” i komunës veriore. Se cili është kontributi i tij për Mitrovicën dhe mitrovicasit mbase edhe mund ta dinë ata që e nderuan me këtë titull. Por nga ajo që u pa, gjithçka nuk ishte gjë tjetër veç biznes patriotizëm.
Është fort e pabesueshme që në vlugun e fushatës parazgjedhore në vendin e tij, Basha ta konsiderojë më të rëndësishme ardhjen në Mitrovicë. Ai e bëri këtë jo se i bënte fort për Isa Boletinin dhe varrimin e eshtrave të tij, por hallin e kishte te karriera e tij politike. Vetëm në rastet si ky ai, ashtu si dhe ish-kolegu i tij në qeverinë e Sali Berishës, Bujar Nishani, mund të shfaqen plot patriotizëm e të krekosen me fjalë të mëdha. Njësoj edhe politikanët kosovarë. Por, nëse sheh se çfarë vërtet kanë bërë ata për qytetarët e tyre, për qytetin dhe shtetin e tyre, të pushton zhgënjimi.
Karrierën politike të Bashës ende e mbajnë peng dyshimet për keqpërdorime financiare të Rrugës së Kombit, ndërkohë që katërvjeçari i kryetarllëkut në Tiranë është shquar për apati kronike e mosrealizim të premtimeve. Për Agim Bahtirin as që ia vlen të flitet këtu. Ashtu siç nuk ia vlen as për udhëheqës institucionesh qendrore kosovare të cilët gojën e kanë plot Mitrovicë e sovranitet, por FSK-ja nuk guxon të shfaqet në Veri, atje ku pushtetin e kanë serbët. Ndërkohë që këta nuk përtojnë të shfaqen me fjalë të mëdha që shkojnë deri në histeri, duke na treguar broçkulla që veç historia shqiptare i duron. Eshtrat e Boletinit u varrosën dhe cirku mbaroi. Deri në rrugëtim eshtrash tjerë, deri në një maskaradë tjetër.
* * *
Një ditë pas histerisë që sigurisht do të hyjë në histori, një cirk tjetër zuri vend në Prishtinë. Për 11 Qershorin – Ditën e Çlirimit, kryeqyteti u stolis me flamuj gjithandej. Me flamuj kuq e zi, por jo edhe me flamuj të Kosovës.
Në këtë mënyrë, sikurse edhe të tjera herë, udhëheqja e Prishtinës vazhdon t’i fyejë qytetarët që ua kanë dhënë votën dhe vazhdon të shkelë Kushtetutën e vendit, ndërkohë që drejtuesit e lëvizjes Vetëvendosje na shurdhojnë veshët duke e përmendur Kushtetutën e Republikën.
E kjo republika që nuk e lëshojnë nga goja i ka simbolet e veta, të cilat ata vazhdojnë t’i injorojnë, ndërkohë që nuk i injorojnë postet e privilegjet që ua jep po kjo republikë, po ky shtet që e ka një flamur i cili, nëse nuk vendoset në ngjarje si këto, nuk di se kur mund të vendoset tjetërherë.
Askush nuk po thotë që në festa zyrtare të mos zë vend edhe flamuri kombëtar, por së pari duhet të respektohet ai i Kosovës. Kosova është shtet, Prishtina është kryeqyteti i këtij shteti dhe duhet të stoliset me flamuj shtetërorë. Simbolet e shtetit duhet respektuar, pavarësisht se mund të mos na pëlqejnë. Derisa të vendoset ndryshe.
Lëvizja Vetëvendosje na mban leksione patriotizmi e atdhedashurie, por injorimi dhe mosrespektimi i simboleve shtetërore është shkelje ligji e kushtetute, është akt i ndëshkueshëm. Nëse VV dëshiron të vazhdojë biznesin patriotik me flamuj, do të ishte mirë që të kishte konkurruar në zgjedhjet lokale në Shqipëri dhe atje do të mund të shpaloste flamuj kuq e zi gjithandej, sipas ligjeve e kushtetutës së atij shteti. Por është poshtërsi të flasësh për shtet, ligje e kushtetutë, e të mos respektosh ligjet e kushtetutën e shtetit në të cilin jeton.
* * *
Është poshtërsi, po ashtu, të flasësh e të bërtasësh me plot dalldi folklorike e patriotike, duke bërë fare pak për shtetin. Para se të citojnë pjesë nga kuazihistoria kuq e zi, Isa Mustafa e Kadri Veseli duhet të punojnë për të jetësuar sovranitetin dhe shtetësinë e vendit. Patriotizëm për Mustafën është që t’u sigurojë qytetarëve punë e mirëqenie.
Shpend Ahmeti nuk bëhet më patriot duke injoruar flamurin e Kosovës. Patriotizëm për të është që qytetarëve të Prishtinës t’u sigurojë jetë normale në qytetin e tyre, ujë, pastërti e rregull.
Agim Bahtiri duhet të jetësojë premtimet e tij megalomane, nëse dëshiron të njihet edhe si menaxher i mirë, e jo veç si pjesëtar i cirkut. Bujar Nishani e Lulzim Basha kanë shumë punë për të bërë në Shqipëri. Nuk kemi nevojë për doza të shtuara patriotizmi nga ta.
Cirku patriotik i ditëve të fundit vetëm sa dëshmon për mendësinë e shtetbërjes, mendësinë tribale të atyre që na udhëheqin. Logjika e biznes patriotizmit nuk na çon akund, veç sa na vërtit në një rreth vicioz që nuk premton të ardhme më të mirë. Kësaj duhet dhënë fund. Sa më parë, aq më mirë.