Një darkë kineze për dy persona
Nga Chris Patten
Shumë ujë ka rrjedhur nëpër Ngushticën e Tajvanit në 70 vitet që kur lideri komunist i Kinës, Ma Ce Dun, takoi liderin e kundërshtarëve të tij nacionalist, Chiang Kai-shek. Ndaj takimi i fundit në Singapor mes pasardhësve të tyre presidentit Xi Jinping të Republikës Popullore dhe homologut të tij në Tajvan, Mao Ying-jeou, mund të përshkruhet si historik.
Negocimi diplomatik që parapriu takimin ishte shumë kompleks, duke saktësuar edhe se kush do të paguante darkën (ata e ndanë faturën përgjysmë). Por, pas një shkëmbimi të shpejtë të pikëpamjeve pas dyerve të mbyllura, nuk u lëshua deklaratë e përbashkët dhe vetëm një shpjegim sipërfaqësor u dha për mbledhjen në median shtetërore të Kinës.
Por përse ndodhi takimi dhe çfarë lajmëroi ai?
Që kur komunistët e Maos fituan luftën civile (që ishte takimi i fundit mes palëve, në 1945, ka pasur thirrje për përpjekje për t’u shmangur) dhe forcat Kuomintang të Chiang Kai-shek u tërhoqën në Tajvan, marrëdhëniet midis dy palëve janë bërë shkrumb e hi pa i rënë ende zjarri. Edhe pse nuk ka pasur ndonjë dashuri midis Shteteve dhe lidershipit Kuomintang, SHBA-ja i dha Tajvanit sigurinë e mbrojtjes ushtarake, gjë që kufizoi përpjekjet e Kinës për të bashkuar ishullin me tokën me anë të forcës.
Aventurat e Maos në gadishullin korean, ndihma e Veriut kundër Jugut dhe aleatëve perëndimorë, ndihmoi në çementimin e aksit Uashington-Taipei, i cili, falë nisjes së mirë diplomatike, i mbijetoi riafrimit të Niksonit me Kinën në fillim të viteve 1970.
Amerika i njohu komunistët në Pekin si qeverinë legjitime të Kinës, ndërsa ndihmonte Tajvanin të ruante sovranitetin dhe të praktikonte të qenët shtet. Ishulli drejtonte vetë çështjet e ti, duke u bërë një demokraci e rrëmujshme në vitet 1980, por nuk këmbënguli kurrë në njohjen ndërkombëtare si një shtet sovran me të drejta të plota.
Për qeveritarët e Kinës, Tajvani ishte një “provincë tradhtare” dhe kanë larguar anëtarët e komunitetit ndërkombëtar që janë përpjekur ta trajtojnë atë si diçka më shumë se kaq. Por ka pasur gjithashtu një njohje të realitetit – veçanërisht realitetit ekonomik – gjatë rrugës.
Njerëzit e kujtojnë vitin 1989 për vrasjet në Sheshin Iananmen. Por atë maj dhe qershor, ministra si unë fluturuan për në Pekin për atë që na dukej të gjithëve si një rast pozitiv dhe vërtet historik. Kina lejoi Tajvanin të merrte pjesë në takimin e përvitshëm të bordit të Bankës Aziatike për Zhvillim për herë të parë.
Disa vite më vonë, kur unë isha një komisioner i Bashkimi Europian, pasi kishim negociuar anëtarësimin në Organizatën Botërore të Tregtisë me Republikën Popullore dhe Tajvanin, ne donim të ngrinim një zyrë të BE në Taipei për të monitoruar zbatimin e rregullave të OBT në ishull. Përpara kësaj, argumentova te qeveria kineze se po hapnim një rregullator tregtar dhe jo një ambasadë.
Paratë sigurisht që bëjnë punë për Kinën dhe Tajvanin, ku ekonomitë e tyre janë ngushtësisht të lidhur, dhe ku një numër i madh i popullsisë së Tajvanit punojnë dhe jetojnë në Kinë (veçanërisht në Shangai) dhe investime të mëdha tajvaneze ndodhen në prodhimin kinez. Foxconn-i i Tajvanit, prodhuesi më i madh botëror i elektronikave (përfshirë Blackberry, iPhone dhe Kindle), ka 12 fabrika në Kinë, përfshirë një në Shenzhen që punëson qindra mijëra punëtorë.
Por, megjithëse politika e Tajvanit është kryesisht e dominuar nga marrëdhëniet e ishullit me tokën, realiteti i lidhjeve të thella tregtare mes Kinës dhe Tajvanit nuk ka ekuivalente diplomatike. Kuomintang (e quajtur ndryshe Partia Nacionaliste Kineze) do të përmirësojë marrëdhëniet pa u dorëzuar ndaj pavarësisë së Tajvanit. Kundërshtarët e saj, Partia Progresive Demokratike, do të marrë një qëndrim më autonom, megjithëse nëse do të bëhet realitet më tej se një shikim i shtrembër nga ana e Kinës, kjo është e dyshimtë.
Një sondazh tre vite më parë sugjeroi se 80 për qind e 25 milionë njerëzve të Tajvanit do të mbështesnin një deklaratë formale të pavarësisë, me kushtin që të mos nxiste një pushtim kinez. Ky është një kusht i madh. Kina e paralajmëron rregullisht Tajvanin kundër veprimeve të tilla të papërgjegjshme dhe SHBA-ja i neutralizon liderët e ishullit kur ata duket se po bëhen shumë mendjemëdhenj ndaj Kinës.
Duket se ka dy arsye përse Xi dhe Ma u takuan. Së pari, ata ishin dukshëm të shqetësuar se Koumintang, që humbi zgjedhjet vendore të vitit të shkuar, do të humbasë zgjedhjet e përgjithshme në janar po ashtu. Të dy shpresojnë se paraqitja sikur Kina dhe Tajvani po shkojnë mirë pa pasur shumë telashe do të sjellë përfitime elektorale për Nacionalistët.
Përkundrazi, në një kohë kur ekonomia kineze po ngadalëson dhe tensionet në rajon po rriten për shkak të tregimit të muskujve nga ana e Kinës në Detin Jugor dhe Lindor të Kinës, Xi dukej i etur për të rrezatuar amicie paqedashëse. Duke trazuar shumë nga fqinjët e tij, jo vetëm amerikanët, vizita e tij e ardhshme në Vietnam dhe vizita e kryeministrit të tij Li Keqiang në Korenë e Jugut, janë njëlloj me diplomacinë e tij të darkimit me Ma.
Qëllimet reale dhe afatgjata të Kinës nuk janë krejt të dukshme dhe ndoshta kjo është pjesë e strategjisë së saj: sinjalet e paqarta luajnë një rol të rëndësishëm në diplomaci. Por dy gjëra janë të qarta.
Së pari, iniciativa e Xi, tregon shtrirjen në të cilën ai dominon politikën kineze. Një lider i dobët nuk do të merrte një hap të tillë ambicioz, që përfaqëson një thyerje reale me bindjet komuniste të së shkuarës.
Së dyti, ribashkimi paqësor i kontinentit me Tajvanin mbetet shumë i pagjasë, – vetëm në rast se ndodh – siç vazhdon Kina të premtojë – në bazë të “një vend, dy sisteme”. Por populli i Tajvanit nuk mund të jetë shumë i sigurt nga ajo që sheh të ndodhë sot në Hong Kong, që u premtua edhe në vitin 1997.
Sistemi i Tajvanit është demokratik; i Kinës nuk është. Ç’ka sugjeron shembulli i Hong Kongut është që Kina do të duhej ta detyronte Tajvanin të hiqte dorë nga demokracia dhe sundimi i ligjit – ose t’i përqafonte të dyja – përpara se të mirëpresë “provincën tradhtare” në gjirin e vet.
Project Syndicate-BIRN