Një deputet që konteston dhe “rrugaçi” i rrugores
Skënder Minxhozi /
Deputeti Erion Braçe nuk di t’i mbajë për vete mendimet e këqia. Është një nga anët më pozitive të tij. Qysh prej kohësh kur ishte në opozitë dhe kur nuk përtonte të kritikonte publikisht kryetarin e tij të partisë, apo të tjerë rreth tij, e deri më sot, kur i thotë “açik” të vërtetat që mendon. Kjo i ka kushtuar jo pak rrudhje buzësh brenda familjes politike ku militon, por i ka dhënë shumë më tepër simpati popullore, jashtë mureve të PS.
Këto orë Braçe ka kapur faqet e para të mediave, me një deklaratë të fortë kundër një zyrtari të policisë rrugore të Lushnjes, zonës ku është deputet. Ai ka thënë në një takim elektoral se ky polic është një “rrugaç, të cilin s’po e heq dot nga puna prej 6 muajsh”. Në një botë dixhitale, ku gjithçka regjistrohet, shprehjet e Braçes kanë përfunduar në rrjet dhe shqiptarët kanë njohur se Lushnja ka një shef të qarkullimit rrugor që konflikt me deputetin e shumicës.
Nuk e dimë nëse polici në fjalë, i cili quhet Julian Balliu, është me të vërtetë një rrugaç, siç e quan Erion Braçe. Sepse askush, jashtë kontekstit të vogël të Lushnjes, nuk e ka idenë sesi është ky zyrtar i policisë. Por qëndrimi i deputetit socialist është tashmë publik dhe si i tillë policia e shtetit nuk mund të qëndrojë në heshtje, përballë një deklarimi kaq të ashpër. Nëse një përfaqësues i Kuvendit të Shqipërisë u thotë zgjedhësve se kanë shef rrugoreje që është “rrugaç”, përtej problemeve subjektive që ai mund të ketë me të, tashmë problemi nuk është më vetëm mes Erion Braçes dhe Julian Balliut, por në mes është edhe opinioni publik vendas dhe kombëtar. Fakti që deputetë dhe politikanë demaskojnë persona, ngjarje dhe fakte publikisht, e nuk ndodh asgjë, është jonormal. Kultura e heshtjes për denoncimet publike, dëshmon pandjeshmërinë e shtetit. Dhe kjo është pikërisht ajo që nuk shkon në këtë vend prej më shumë se njëzet vjetësh.
Javanews.al