Një dhjetor për shumë kauza…
Nga Entela Binjaku
Aftësia e kufizuar është një temë për të cilën shoqëria flet rrallë dhe ka vështirësi të diskutojë hapur. Është vetëm njëra nga temat, sepse të tilla ka shumë…megjithatë, nga çasti kur vendi angazhohet edhe ndërkombëtarisht për të respektuar ditët botërore kushtuar kauzave të ndryshme, këto tema për shkak se institucionalizohen, hyjnë më thjeshtë në fjalorin publik.
Në mënyrë tradicionale për individët që jetonin me aftësinë e kufizuar apo për gjendjen e familjeve që sakrifikonin çdo ditë duke bashkëjetuar me kufizimin, vështirë të dihej në komunitetin ku ishin pjesë, duke trashëguar dhe përcjellë edhe më tej modelin e një mentaliteti të kompleksuar. Arsyet për këtë mund të gjenden në disa drejtime që lidhen: me turpin për të pranuar se një pjesëtar i familjes ka një “cen” siç e quan populli, stigmën e shprehur ose frikën prej stigmës së presupozuar, stepjes se të tjerët do të të mënjanonin, krenarisë për të mos pranuar mëshirimin etj.. Ndihma e pamjaftueshme dhe e pandjeshme institucionale ka bërë që shpesh këto jetë qytetarësh të mos përmirësoheshin asnjëherë në atë shkallë sa të zhvillonin një jetë të pavarësuar apo aktive dhe familja të merrte disi frymë nga vështirësitë e të zhvillonte më tej pavarësimin e saj.
Në ditë të veçanta në mënyrë të institucionalizuar shoqëria kryen disa aktivitete, të cilat duke u përqendruar në kryeqytet dhe me pjesëmarrjen e aktorëve nga politika mediatizohen duke dhe përcillen tek opinioni i gjerë. Por ka të tjera nisma që vijnë kryesisht nga disa prej agjencive shoqërizuese siç janë grupet e bashkëmoshatarëve dhe shkollat, të cilat kur mbështeten edhe nga media kanë mundësinë të përçojnë kontributin e kryer dhe të sensibilizojnë shoqërinë mbi jetën e individëve me aftësi të kufizuar dhe nevojën e tyre për të qenë të integruar në shoqëri.
Gjatë javës që shkoi mbarë bota nderoi në një ditë individët më aftësi të kufizuar. 3 Dhjetori është Dita Botërore e Personave me Aftësi të Kufizuar. Në shkollën speciale “Luigj Gurakuqi” në kryeqytet u organizua një ekspozitë me punimet e nxënësve që vuajnë prej çrregullimeve të spektrit autik apo sindromës dovvn. E veçanta e kësaj dite, lidhej me autorësinë e nismës e ndërmarrë nga një studente e drejtësisë Rovalda Mema, e cila së bashku me bashkëmoshatarët e saj ndihmuan fëmijët të vizatonin duke çelur në këtë ditë një ekspozitë me vizatimet e 12 prej tyre. Kjo ekspozitë ishte njëra nga hallkat e një nisme nën moton “Unë dhuroj” përmes së cilës organizatorja synonte mbledhjen e sa më shumë librave. Në këtë ekspozitë u organizua edhe një ndarje simbolike çmimesh dhe medaljesh për të gjithë fëmijët pjesëmarrës ku juria prej 4 anëtarësh vendosi që me çmim të parë të vlerësonte “burrin prej bore” të Melsonit dhe me çmimet e dyta dhe të treta vizatimet e Dajanës dhe Albinës, të cilat shprehnin gjithashtu, atmosferën e kësaj periudhe festash. Ky aktivitet, një nismë tërësisht individuale e Rovaldës me mbështetjen e Juxhinit, Silvit, Denisës, Xhenit, Iglit e Sonilës ktheu në vëmendje solidaritetin me kategoritë e brishta shoqërore, vullnetarizmin si vlerë e rëndësishme për shoqërinë, aktivizmin rinor si energji e pashtershme ndryshimesh.
Puna me fëmijët me aftësi të kufizuar shpreh mbështetje edhe për familjet e tyre, të cilat ndjehen të përkrahura dhe jo të vetmuara në betejën e përditshme që ka vështirësia që kufizimi sjell. Por kur kjo punë i bashkëngjitet asaj që kryen shkolla ajo tregon një bashkim forcash duke përgjysmuar vështirësitë. Vullnetarizmi si domosdoshmëri për edukimin e shoqërisë është i çmuar veçanërisht kur ka në qendër aktivizimin rinor si një energji të nevojshme për të lëvizur gjithë ingranazhin apatik shoqëror.
Ndërkohë që shkolla si baza e edukimit të shoqërisë kur bashkëpunon me të tjera agjenci e rrit mundësinë e efektivitetit të saj, shoqëria përmes vullnetarizmit zgjeron mundësinë për ndryshim. Shkolla speciale “Luigj Gurakuqi” ka rreth 96 nxënës, të cilët të ndarë në klasa kalojnë në mjediset e saj gjysmën e ditës deri në moshën 19 vjeç, moshë pas së cilës për këta individë kujdeset vetëm familja, e cila në shumicën e rasteve mbetet e vetme… Në mënyrë që shoqëria të përcjellë një sinjal të ndryshimit, të edukojë brezat me solidaritetin, të nxisë vullnetarizmin si vlerë të shoqërive mendjehapura, ajo duhet t’i përkrahë nisma të tilla dhe t’i përçojë ato kudo ku ka nevojë, ku ka kufizim, ku ka shpërfillje ndaj më të brishtëve. Në këtë aktivitet unë kisha mundësinë të isha pjesëtare e jurisë që ndau vlerësimet, e cila ishte menduar nga organizatorët si një mënyrë simbolike për të përcjellë mesazhin e të barabartëve edhe pse të ndryshëm. Ndërkohë që sot më 5 dhjetor nderohet Dita Ndërkombëtare e Vullnetarizmit, sërish aktivitetet janë të përqendruara në kryeqytet, a thua se pjesa tjetër e Shqipërisë nuk ka nevojë për të, nuk ka njerëz që kanë dëshirë të organizohen, a thua se nuk ka kauza të tjera për t’u përkrahur.