Një doracak seriozisht gazmor për Stambollin

 

Nga Enver Robelli*

Çfarë i bie në sy në Stamboll një gazetari, pasi ka kaluar gati një dekadë në Kinë? Përtypja e farave të lulediellit, dashuria për potere, rruga e vockël në të cilën dhjetë dyqane shesin të njëjtat burma. Këto janë vetëm përshtypjet e para të Kai Strittmatterit pas shpërnguljes në Stamboll, ku sërish gati një dekadë punoi si korrespondent për gazetat "Süddeutsche Zeitung" (München) dhe "Tages Anzeiger" (Zürich). "Stambolli është Turqia. Stambolli është miniaturë e vendit. Gati çdo i katërti turk jeton këtu.

Praktikisht çdo qytet turk dhe çdo fshat turk e ka një filial në Stamboll", shkruan ai në librin e tij të mrekullueshëm "Doracak për Stambollin".
Habia fillon me shifra: sa milionë njerëz jetojnë në Stamboll? Trembëdhjetë, katërmbëdhjetë, pesëmbëdhjetë, shtatëmbëdhjetë. Në fakt këtë nuk e di askush. Në 50 vjetët e fundit miliona njerëz kanë ardhur nga provinca në Stamboll, gati të gjithë me mendimin se nëse fabrikat dhe paratë nuk vijnë në Anadoll, atëherë vijmë ne te fabrikat dhe te paratë. Më shumë se gjysma e eksporteve të Turqisë prodhohen në Stamboll e rrethinë. Zhvillimi, mirëqenia, lulëzimi ekonomik kanë një çmim: shtrirjen e pakontrollueshme të qytetit, planifikimin shpesh të keq urban, kaosin.

Nuk janë vetëm këto tema për të cilat interesohet Strittmatter. Duke qenë një vrojtues symprehtë i përditshmërisë ai përshkruan fenomene e ngjarje, zakone e marrëzi turke që lexuesin herë e bëjnë të qeshin, herë të tundë kokën. Strittmatter është sinolog dhe mendon se kinezishtja është ndër gjuhët më të lehta për t'i mësuar. Me këtë bindje ai sapo arrin në Stamboll hidhet në aventurën e re: të mësojë turqisht. Dhe zbulon fjalën e tij më të dashur: "Gürültülü". Ndoshta nuk ka fjalë tjetër në këtë botë që ta gudulisë më shumë gojën gjatë shqiptimit. Domethënia e kësaj fjale nuk është aq e bukur: "zhurmshëm", "zëmadh/e", "poteremadh/e".

Strittmatter konsulton një ekspert se përse ia vlen të mësosh turqisht. Ai quhet Christoph Neumann, përkthyes i romanit "Bora" të Orhan Pamukut. Neumann: "Nëse ti do të mësosh një gjuhë ekzotike, por ajo duhet të jetë e shkruar me shkronja latine? Urdhëro, të lutem: ti mund të zgjedhësh mes shqipes, gjuhës baske, malteze – dhe turqishtes". Turqishtja, sipas autorit, pa të drejtë gëzon një imazh të keq – si gjuhë e zorshme që të terrorizon folësit me shkronja si "ö" dhe "ü", me të tjera të ngarkuara me gjysmëhënë dhe bishta të çuditshëm.

Por se çfarë përparësie do të keni si i huaj nëse dini turqisht në Stamboll, ta zëmë, do ta vëreni më së voni kur të filloni të lexoni menynë në një restorant: aty s'shkruan "patëllxhan i mbushur", por "Imamit i ka rënë të fikët". Turqit edhe sot e kësaj dite nuk janë të sigurt nëse imami që ka ngrënë këtë gjellë ishte i tronditur nga vaji i shtrenjtë i ullirit apo nga shija tepër e mirë. Nëse dini turqisht do ta kuptoni edhe fjalën "Şakamaka" (shakamaka), që sipas leksikonit domethënë: "Ta lëmë anash humorin" – dhe do të vëreni numrin e madh të fjalëve franceze që kanë vërshuar këtë gjuhë: "sürpriz", "Kuzen" (kusheri), "Asansör" (ashensor), "Kuaför" (floktar/e). Këtu duhet pasur kujdes: "Kuaför" ua qeth flokët vetëm grave, burrat në Turqi duhet të shkojnë te berberi.

Lexuesit me origjinë nga vilajetet e dikurshme osmane në Ballkan nuk do t'i duken të panjohura edhe disa thirrje në komunikimin e përditshëm mes turqve – thirrje që aty-këtu përdoren edhe në kasabatë ballkanike: "Abla", "Abi", "Teyze", "Amca", "Baba" etj. Vetëm "Atatürk" është thirrje e rezervuar – për "babanë e turqve", Mustafa Kemalin, themeluesin e Turqisë moderne. Sa u përket emrave duhet ditur një gjë: deri më 21 qershor 1934 turqit nuk kishin mbiemra. Atë ditë, në kuadër të fushatës për modernizimin e Turqisë, Ataturku dhe parlamenti i tij miratuan ligjin për mbiemra.

Dhe njerëzit krijuan mbiemra nga fantazia. Vajza e adoptuar nga Ataturku, Sabiha, u quajt Gökcen – "gök" domethënë qiell dhe me këtë mbiemër Sabiha aludonte në profesionin e saj: ajo ishte pilotja e parë luftarake e Turqisë. Të tjerët krijuan mbiemra nga emri i babait apo profesioni i babait. Jo rastësisht shumë mbiemra turq mbarojnë me rrokjen "oğlu" (i biri): Kahvecioğlu (i biri i kafexhiut) ose Sarıibrahimoğlu (i biri i Ibrahimit biond). Turqve u pëlqejnë emrat luftarakë: Ateş (zjarr), Cengiz (Xhengiz nga luftëtari i famshëm mongol Xhengiz Kan), Çelik, Demir (hekur), Özdemir (tamam hekur). Më romantikë janë emrat Gül (trëndafil), Ay (hënë), Yıldız (yll).

Të pazakonshëm ose gazmorë tingëllojnë emrat: Deli (i hallakaturi, i çmenduri), Kızmaz (ai që kurrë nuk hidhërohet) ose Balyemez (atij që nuk i pëlqen mjalti). Jo pak kurdë bartin mbiemra si Türk (turk), Öztürk (turk i vërtetë) ose Türksever (ai që i do turqit) – me gjasë këta emra kurdëve u janë imponuar nga qeveritë turke që nga koha e Mustafa Kemalit.

Grekët edhe sot e quajnë Stambollin – Poli. Që domethënë: qytet. I vetmi. I vetmi që e meriton këtë emër. "Me një çelës ai i hap dhe mbyll dy botë dhe dy dete". Kështu shkruante udhëtari francez Pierre Gilles për Stambollin. Para 500 vjetësh. Qyteti u themelua nga fisi i dorianëve rreth vitit 660 para erës së re me emrin Bizantio/Bizantis. Këtë koloni helene perandori romak Konstantini e shpalli më 11 mars 330 si Romë të Re, si Nova Roma Constantinopolitana dhe kështu e bëri krishterimin fe të perandorisë së tij (rrjedhimisht të Europës) dhe e themeloi Romën për së dyti – në Lindje. Konfliktet mes katolikëve dhe ortodoksëve të krishterë i hapën rrugë pushtimit osman.

Atëbotë qarkullonte shprehja: "Më mirë turbani turk se mitra greke!" Deri në vitet 30-të të shekullit të 20-të, pra deri pas shpërbërjes së Perandorisë Osmane, qyteti u quajt Kostandinopojë, por kishte turq që u pengonte ky emër që lidhej me perandorin kristian, andaj e përdornin toponimin Dersadet – "Porta e Lumturimit" ose Islambol – "i përmbushur nga Islami". Dikur u etablua toponimi Stamboll, i cili nuk ka prejardhje turke. Emri vjen nga greqishtja: is tin polin, që domethënë: "në qytet".

Çfarë u binte në sy gjermanëve në këtë qytet? Helmuth von Moltke, më vonë ushtarak i rangut të lartë të ushtrisë së Prusisë, i cili ishte këshilltar ushtarak i trupave osmane mes viteve 1836 dhe 1839, në letrat e tij nga Turqia e përshkruante prirjen e turqve për të bërë qejf: "Një ndër punët më të rëndësishme të turqve të ndershëm është ajo që ata e quajnë 'Kief etmek', fjalë për fjalë: të bësh qejf, domethënë të pish kafe e duhan në një vend të rehatshëm". Një deputet i Reichstagut gjerman në vitin 1876 shkruante me përçmim: "Käff-i (kiefi, qejfi, v.j.) është një dembelizëm metodik dhe i vetëdijshëm – i formësuar sipas parimeve shkencore deri në përsosmërinë më të lartë". Prusiani thoshte "Käff" dhe mendonte "Keyf", siç thonë turqit edhe sot – ose qe(j)f në gjuhën shqipe.

Turku duket se ka nge, sepse turqishtja nuk njeh fjalë të vetën për kohën. "Zaman" dhe "vakit" janë fjalë të importuara nga arabishtja. Nuk e thotë turku pa qëllim: "Kahve bahane, muhabbet şahane" – në përkthim të lirë: kafeja është veç sebep, krejt lavdia i përket muhabetit. Ataturku e pinte kafenë sade, krejt të zezë, ai ishte një kafepirës i pasionuar, thuhet se gjatë ditës i zbrazte deri në njëzet filxhanë. Pikërisht në zamanin e Mustafa Kemalit nisi të fundoset kultura e kafesë në Turqi: provincat e dikurshme osmane si Jemeni nuk ishin më burim i kokrrave të kafesë me çmim të lirë. Ishin rusët ata që i joshën turqit të mbjellin çaj. Këtë fillimisht e bënë bujqit në bregun e Detit të Zi, pastaj edhe gjetiu në Turqi. Me gjasë kështu edhe nisi të flitej për çajin e rusit – madje edhe në viset shqiptare.

Në librin e tij Strittmatter merret jo vetëm me kulturën e çajit – çaji më i mirë është ai që nën dritën e diellit shkëlqen si gjak lepuri, thonë turqit – dhe të kafesë, por edhe me atë të rakisë (a nuk thotë një poet i madh turk: ah, sikur të isha peshk në shishe të rakisë), e cila nuk u ndalua plotësisht madje as në kohën e sundimit të sulltanëve më radikalë fetarë, aq më pak rakia u ndalua në kohën e sundimit të Ataturkut.

Ai vetë ishte pirës i madh dhe vdiq pasi alkooli ia kishte dëmtuar rëndë mëlçinë. As rakia, as vera në Stamboll nuk shkon pa meze, pa peshk (gati krejt emrat e peshqve janë përvetësuar nga grekët, banorët e hershëm të qytetit). Mijëra mejhane janë të hapura 24 orë për banorët e Stambollit dhe turistët nga mbarë bota. Impresive në librin "Doracak për Stambollin" janë përshkrimet e hollësishme të lloj-lloj ëmbëlsirave nga kuzhina turke.

Dashuria e turkut për veturën është e madhe – po aq e madhe si dikur ndaj shalës së kalit. Një histori tjetër është mënyra se si shoferët në Stamboll drejtojnë automjetet dhe ku semaforët shpesh shihen vetëm si stoli e panevojshme e trafikut. Një kapitull të gjatë Strittmatter ia kushton edhe kulturës së "dollmushit", atij furgonit të famshëm që transporton udhëtarët në çdo cep të Stambollit dhe po qe nevoja ndalet edhe në midis të autostradës. Në "dollmush" u popullarizua edhe muzika e stilit arabesk – e njohur sidomos nga zëri i Ibrahim Tatlises, aq i popullarizuar edhe në disa shtresa të shoqërisë shqiptare në ish-Jugosllavi. Pasi televizioni shtetëror turk nuk emetonte muzikë të tillë që shihej si e prapambetur, kasetat e Tatlises gjenin vend në magnetofonat e shoferëve të "dollmushëve".

Kundër kësaj kulture anadollake, të ardhur në Stamboll nga "turqit e zinj", një kohë të gjatë kishin protestuar "turqit e bardhë" – vendasit që e konsiderojnë veten të kulturuar, aristokratë në krahasim me ardhacakët që pështyjnë vend e pa vend, që hedhin bërllokun kudo, që therin qengja në rrugë, që përdorin si parfum "ujin e Kolonjës", një lloj parfumi për katundari. Në televizionin "Kanal 24" një moderatore tha: "Mysafirët më të tmerrshëm për mua janë ata që bartin 'ujë Kolonje' me aromë limoni". Pas këtyre fjalëve ajo u përjashtua nga puna. Sepse televizioni ku punonte është i afërt me qarqet konservatore.

Ndërkohë elitat republikane që identifikohen me Ataturkun kanë humbur ndikimin (bashkë me ushtrinë e ushtruar për puçe), në pushtet para më shumë se një dekade kanë ardhur ata që quhen provincialë të zellshëm dhe besimtarë të devotshëm dhe që përfaqësohen nga aradhja e mustakoçëve si Rexhep Taip Erdogani. Në Stamboll është rritur numri i te ardhurve nga pjesët rurale derisa numri i pakicave – armenëve, grekëve, hebrenjve – ka rënë në mënyrë drastike, së pari pas marrëveshjes mes Turqisë dhe Greqisë në vitin 1923 për shkëmbimin e popullsive dhe pastaj përmes fushatave diskriminuese të qeverive turke ndaj pakicave.

Strittmatter i përshkruan turqit si një shoqëri që përherë beson se bota nuk ka punë tjetër përveçse të merret me komplote kundër Turqisë, andaj fëmijët që nga çerdhja duhet të bërtasin "Ne mutlu Türküm diyene" – "I lumtur është ai që e quan veten turk". Përkundër përbetimeve patriotike dhe demonstrimit të atdhedashurisë në çdo anketë ndërkombëtare turqit renditen nga fundi sa i përket lumturisë. Ka disa arsye për këtë: lufta shumëvjeçare kundër kurdëve (me 40 mijë viktima), pabarazia sociale, dhuna në përditshmëri, në familje, shkolla, në ushtri dhe në stadiume futbolli, refuzimi kategorik për t'i quajtur krimet masive osmane kundër armenëve para një shekulli më emrin e vërtetë: gjenocid, shtypja e individit, mungesa e besimit, dashurisë dhe tolerancës. Të gjitha këto konstatime Strittmatter i bën duke u bazuar në fjalët e intelektualëve eminentë turq, njëri prej tyre madje thotë: "Vendi ynë vuan nga një psikozë nacionale", tjetri: "Këtij vendi i duhet një psikiatër".

Profesori Murat Belge nga Universiteti liberal Bilgi thotë: "Shumica e vendeve kanë problem me njerëz të paarsimuar. Problemi ynë këtu janë të arsimuarit. Këtë e përjetojmë çdo ditë në Universitet. Ata vijnë te ne prej shkollave dhe puna e parë që duhet të bëjmë është: t'i çarsimojmë". Kjo domethënë: t'ua kthejmë trurin që të mendojnë vetë.
Disave u kthehet truri, të tjerët heqin mustaqet. Dikur s'mund të paramendohej një turk tamam pa mustaqe. Të gjithë dukej se e imitonin Sulltan Selimin I., mustakoçin më të pushtetshëm të historisë osmane. Kur në vitet 90-të u zgjodh kryeministre Tansu Çiller leshi mes buzëve dhe hundës mori një goditje të rëndë: Çiller urdhëroi deputetët e partisë së saj të rruhen e të kruhen mirë e mirë. Së fundi firma e autobusëve "Metro Turizm" i urdhëroi shoferët të heqin mustaqet. Një shofer refuzoi: "Më parë e heq kokën se mustaqet".

Kështu disi është Stambolli.
Për fat të keq një faqe gazetë s'mjafton për t'i prezantuar të gjitha hollësitë e librit të Kai Strittmatter. (Për të gjithë ata që lexojnë e kuptojnë gjuhën gjermane – ja detajet e librit: "Gebrauchsanweisung für Istanbul", botoi: Piper).

*Koha Ditore

SHKARKO APP