Një gjegje të shkurtër Pse-s së padër Zef Pllumit
Nga Ilir Levonja
1) Në hyrjen e librit Rrno vetëm për me tregue, frati i kuvendit françeskan të Gjuhadolit në Shkodër, thotë. ”Ngjarjet që ktu tregohen nuk janë fantazi, as trillime a shpifje të njaj propogande politike, por përshkrime të zbehta të atij realiteti t’idhun historik që u zhvillue në Shqipni për gati 50 vjet. Vendi im nuk është në fundin e botës o diku në skajin e saj, por në Europë, ku farkëtohen fatet e qytetnimit perëndimor. Ngjarjet që tregohen ktu janë tepër të vështira me u shkrue, prandaj autori u kërkon të falun mbasi nuk është shkrimtar dhe me dashamirësi ju këshillon që të reflektoni shumë mbi këto ngjarje dhe të kërkoni shkakun e vërtetë se pse ndodhën ato… Pse?”
Eh padër…, thua a kemi xën?!
2) Plot 32 vite më pare u nda nga jeta Enver Hoxha. Lideri suprem i diktaturës së proletariatit dhe i luftës së klasave.
T’i falemi diabetit se ne as kishim ndërmend ta rrëzonim.
Persekutori i klerit katolik shqiptar. I At Zef Pllumit.
Një epokë e nisur me suport sllav. Aq sa edhe sot e ka bërë nostalgjik një president të porsazgjedhur si ai i Serbisë.
Nga një sua njerëzish që veç armikut të huaj. U dukej më zi kundërshtari politik prej gjaku. Ca më tepër kur edhe mospasja kthehej nga një zili në revolucion.
Mjafton që një poet të shkruante se, një bote e re po ngrihet gërmadhash. Dhe e drejta për të qënë revolucionar është pronë e lirë. Kështu që, ai Dul Bazhdari (bazhdar quheshin ata qe kishin nga një kandar e u peshonin mallin njerëzve në pazar), e kishte me hak të spostohej në syrin vigjilent të partisë. Si të tha kur të torturonte me pyetje, kontrolle, sajime provash etj. ”Un e kam profesion rrenën se, sikur mos të rrejshem me kandar un do të delshem filuz. Un ishem I përbuzun prej gjithkujt; dikush më thirrte Dul Qorri e dikush Dul Rrena. Ndërsa Partia më ka ba njeri të nderuem: Më sheh? I veshun e mbathun si krajl, ha e pi shka më do qefi: e atëhere si mos të punoj për Partinë.”
3)Po të kërkosh sot në internet… shqiptarët ditët e prillit 1985 kanë qarë me oiiii. Kanë qënë në rresht përgjatë gjithë bulevardit. Kanë mbushur stendat e emulacionit me dedikime zemre, pasi i druheshin si dreqi një fantazme pushtimi. Aq sa sajimet e sigurimit të shtetit me desantime grupesh. Siç qe rasti i Xhevdet Mustafës. Ngjanin kaq reale sa me të drejtë njeriu i thjesht e shikonte armikun e klasës si burim paniku.
Ne kemi besuar vërtet në ekzistencën e armikut të klasës.
Kemi besuar vërtet se feja është opium për popujt. Ndaj nuk kemi reshtur së ndërkryeri klerin e cilit do lloj besimi.
Më kujtohet nga fëmijëria ime, kur vdisnin të ngacmonin një hoxhë. E kam shkruar. Një njëri I urtë që vetëm me veten fliste. Por ne e shikonim si reaksionar. Pavarsisht se ngacmimeve tona ai u përgjigjej me vështrime të ngrohta.
Pastaj në ato ditë prillit, kur morëm lajmin e kobshëm. Që ”komandanti” legjendar mbaroi. Kemi ulëritur…
Si sot më kujtohet. Kam qënë në vitin e pare.
Nga 150 veta që ishim aty, vetëm 1 mund të mos ketë qarë. Por edhe ky, për karshillëk ndaj nesh. Shkurt kemi besuar si dreqi. Mirëpo tanimë, kjo kultura e antenveristave është bërë e modës. Të gjithë na pëlqen të tregohemi antienverista.
I kemi bërë baballarët tanë, bijtë e kazmës, lopatës, të punës vullnetare. Heronj të heshtur të demokracisë.
Tregojmë ngjarje, kujtime, si antienverista. Pa e kuptuar kurrë se, kjo që bëjmë nuk është distancim nga diktatura. Përkundrazi është devijim nga progresi kaq i domosdoshëm për shoqërinë tone. Hapja e barkut. Ndjesa. Pajtimi kombëtar.
4) Sot tek ne monosistemi ka pjellur monoparti dhe mono mendje. Pavarsisht antienverizmit. Ka sjellë edhe monogrupe që besojnë verbërisht ashtu si ne dikur…, që e konsideronim socialimperialzmin një kalbëzim. Atëhere një i ri që kërkonte të arratisej, vritej nga ne. Sot të vret po nuk e ndihmove të arratiset. Nuk e diskutoj, ty me siguri duhet të kujtohet më mire… pas luftës, kishte një marri kolektive për tu treguar antifashist, anti nazist e anti kulakëri. Kishte një marrëzi kolektive për tu shpallur shtëpi dëshmori, a bazë e luftës. Mjerë vertetimet çfarë kanë hequr. Sot është po kjo marrimania kolektive për tu treguar antienverista.
Shkurt e njëjta frymë ekstreme. Kësisoj…ngjan më se normale edhe puna e votimit monoparti pushtet.
Dhe një populli të tërë as që I bën përpshtypje fare. Edhe pse çirren për antienverizëm. Sikur ta kenë vdekur këta Enverin, jo diabeti.
Falna vuajtjet që të shkaktuam. Falna në marrëzinë tonë kolektive. Pasi jemi bërë me kohë për tu mëshiruar.
Dhe lutu që Ai lart bëftë ndonjë mrekulli e të na fusi në shina.
Po Enverin, e deshëm me të vërtetë. Madje shumë më tepër këta, që sot, hiqen, antienver. Këta monoenveristët, fara më keqje.