Një letër nga Tirana: Saga e Postkomunizmit

Nga PAUL HOLLANDER*

Shqipëria është një vend i vogël, gati sa Massachusetts-i, me 3.6 milionë njerëz të mbledhur në një cep të Europës që nuk është, për të thënë më të paktën, një destinacion turistik popullor për amerikanët. Është një nga ato vende që rrallë del në lajme nëse gjaku nuk shkon deri në gjuhë ose, në rastin e Shqipërisë, nëse një skemë e madhe piramidale nuk zhbëhet papritmas, siç ndodhi në famëkeqen Kryengritja e Lotarisë në 1997. Në 1991, me rënien e qeverisë më të çuditshme komuniste dhe kufizimeve të saj për udhëtimet, qindra mijëra shqiptarë u larguan menjëherë për në Itali, Gjermani, Greqi e të tjera vende europiane.

Gjithmonë kam dashur ta vizitoj Shqipërinë për disa arsye. Karakteri i çuditshëm i të kaluarës së saj komuniste më bënte kurioz. Doja të dija nëse personaliteti i Enver Hoxhës, udhëheqësi i madh i edukuar në Francë, ishte përgjegjës për veçoritë e atij sistemi, apo ndoshta kishte diçka në historinë dhe shoqërinë shqiptare që e bënte atë sistem të ndryshëm (dhe më të keq) se të tjerët me të njëjtat karakteristika themelore? Kuriozitetin ma zgjonte edhe fakti se për shumë vite gati asgjë nuk dihej mbi këtë vend. Në njëfarë mënyre, Shqipëria ishte versioni ballkanik i Koresë së Veriut. Dhe kur papritmas mora një ftesë nga një sociolog i njohur shqiptar për të marrë pjesë në një konferencë në Universitetin Europian të Tiranës (UET), e pranova me dëshirë. Ajo pak çka dija mbi Shqipërinë përpara se të nisesha në maj 2010, ishte se dikur qe një ndër vendet më të varfra në Europë dhe më egërsisht i shtypur ndër të gjithë vendet europiane komuniste. Hoxha, që sundoi si ‘Udhëheqësi i madh’ për më shumë se dyzet vite, ishte një tiran paranojak, kulti i personalitetit i të cilit rivalizonte ato të Stalinit dhe Maos. Megalomania e tij reflektohej jo vetëm në faktin se koleksioni i shkrimeve të tij përmblidhej në 65 volume, por vetë Hoxha ishte një lexues i zjarrtë i shkrimeve të tij. Në 1989, autori britanik Anthony Daniels, duke vizituar Muzeun Enver Hoxha (nuk ekziston më), pa një video që tregonte Hoxhën “duke ju afruar një rafti librash në studion e tij. Ai i sheh librat me radhë, qartazi duke kërkuar për diçka të mirë për të lexuar. Më në fund, pas një të menduari të mirë, arrin të gjejë diçka të përshtatshme: volumi i gjashtë i koleksionit të shkrimeve të veta. I kënaqur, ulet për ta lexuar.”

Gjatë Luftës së Ftohtë, Hoxha ja kaloi Tito-s dhe Ceausescu-t në distancimin e vendit të vet nga blloku sovjetik. Pas reformave destalinizuese të Krushchev-it, ai u prish me Bashkimin Sovjetik, dhe arriti në përfundimin se vetë Kina e Maos ishte mjaftueshëm revolucionare për shijet e tij. Dhe prapë se prapë, me këtë të fundit i prishi marrëdhëniet nga fundi i viteve ‘70. Hoxha kishte një talent për të bërë armiq të fuqishëm, dhe ndihej i ngujuar ashtu siç ndihen udhëheqësit totalitarë. Mes kontributeve të tij dalluese për ndërtimin e socializmit ishin rreth 500.000-750.000 bunkerë betoni që shohin tutje nga Shqipëria në të gjitha drejtimet. Hoxha priste që Shqipëria të sulmohej nga çdo pikë e busullës.

Një tjetër fakt të çuditshëm që dija për Shqipërinë para vizitës sime ishte se në kohën e komunizmit autoritetet refuzonin të lejonin turistët me mjekër të hynin në vend. Një dëshmitar okular më tregoi se gjatë një vizite të rrallë të turistëve perëndimorë, të gjithë pasagjerëve në kufi iu desh të zbrisnin nga autobusi i tyre, dhe atyre me mjekër iu desh ta rruanin atë përpara se të lejoheshin që të hynin në Shqipëri. Ky rregull ishte e kundërta e këmbënguljes islamike për të rritur dhe për të mbajtur mjekra të gjata për të përmbushur detyrimet morale-fetare. Këto bindje fortësisht të kundërta janë kujtesa të aftësisë gati të pakufi njerëzore për të marrë pozita të palëkundshme morale apo filozofike për çështje të parëndësishme. Gjithashtu, ka mundësi që Hoxha t’i lidhte mjekrat me hippi-të dhe të tjera manifestime të shthurjes perëndimore, ose që, me shumë gjasa, kundërvënia e tij ndaj mjekrave ishte pjesë e fushatës së tij për të çrrënjosur traditat islamike.

Islami erdhi në Shqipëri në shekullin 14 me sundimin osman dhe në pjesët qendrore dhe jugore të vendit, shqiptarët e shtresave të larta adoptuan traditat sunite të turqve, ashtu siç bën edhe vendasit në Bosnje, Kosovë dhe kudo tjetër. Me kalimin e kohës, megjithatë, disa prej shqiptarëve adoptuan një formë bektashizmi, një urdhër fetar mistik Sufi, që e sollën në Shqipëri jeniçerët shqiptarë që kishin shërbyer në ushtrinë osmane. Meqenëse Suni Islamik në historinë shqiptare lidhej me  strukturën klasore të vendit, dhe meqenëse marksistët nuk toleronin asnjë formë misticizmi përveç të tyres, Hoxhës nuk i hynte  në punë asnjëra prej varieteteve. Sot janë të pakta gjurmët e mbijetesës së ndjenjave apo praktikave fetare myslimane, me shumë gjasa si rrjedhojë e fushatave komuniste antifetare të së kaluarës dhe modernizimit të shpejtë që nga fillimet e viteve ‘90. U përballa për herë të parë me modernizimin shqiptar kur mbërrita nga Budapesti në aeroportin e ri dhe tërheqës të Tiranës, i cili ofronte kënaqësitë e zakonshme të aeroporteve perëndimore. Krejt ndryshe, nga përshkrimi i Daniels-it në 1989:

Në aeroportin e Tiranës, lë pas një kontinent me dekada të tëra. Nuk ka biznesmenë që nxitojnë…askush nuk nxiton të blejë një orë apo aparat fotografik… Njerëzit lëvizin ngadalë… Avioni nga ka zbritur qëndron në lavdi të vetmuar. Para përmbylljes së formaliteteve për hyrjen në vend, avioni është nisur për botën tjetër, dhe papritmas realiteti i izolimit të tmerrshëm të Shqipërisë zbulohet.

Një paralele përshtypjelënëse e modernizimit fizik ishte autostrada dhe tuneli në veri, të përfunduar së fundmi, që lidhnin Shqipërinë me shtetin e ri të Kosovës, me policë kufitarë të vetët dhe pika të kontrollit të pasaportave.

Nuk kisha ndonjë pritshmëri specifike për atë çka do të gjeja në Shqipëri, përveç gjeografisë interesante, një peizazhi natyror të paprekur dhe disa kulla të mesjetës. Dhe siç zbulova, Shqipëria, gati si çdo tjetër ish-vend komunist, ka përfituar shumë nga mungesa e zhvillimit socialist. Në ato kohëra kishte pak tregti; pak restorante, hotele, resorte të shpërndara nëpër vend. Vetëm zyrtarët e lartë kishin shtëpi të dyta (apo resorte për festa). Pallatet e shëmtuara të pëlqyera nga këto shtete zinin shumë më pak vend se periferitë e stilit perëndimor. Kishte disa makina-në Shqipëri gati asnjë, përveç atyre të zyrtarëve të lartë që numëroheshin me gishtat e një dore- kështu që e pakët ishte nevoja për vende parkimi, garazhe, apo pika karburanti dhe e vogël ishte shtysa për të ndërtuar rrugë të reja apo për të zgjeruar ato ekzistuese. Qendrat tregtare ishin të panjohura meqenëse të pakta ishin të mirat materiale që prodhoheshin apo importoheshin. Është gjithashtu e vërtetë se në vendet komuniste autoritetet nuk hezitonin të prishnin apo shëmtonin mjedisin duke ndërtuar fabrika dhe miniera të stërmëdha, legjendare për paefektshmërinë e tyre. Edhe Shqipëria i ka të tilla monumente të braktisura të planifikimit dhe industrializimit të dështuar socialist, por në anën tjetër peizazhi natyror dhe mjedisi përfituan nga mungesat e theksuara. Pavarësisht përmasave të saj të vogla, Shqipëria ka një topografi të pasur dhe shpeshherë spektakolare, shumica është malore, por vendi është i bekuar edhe me një vijë bregdetare të thyer përgjatë deteve Adriatik dhe Jon, lumenj të bollshëm dhe tre liqene të mëdhenj, një që e ndan me Malin e Zi dhe dy me Maqedoninë. Gati 90 për qind e energjisë elektrike gjenerohet nga hidrocentralet, një e treta e vendit është e pyllëzuar dhe malet e saj mbyten në të jeshiltë. Ashtu si edhe Bullgaria, Shqipëria ka mundësinë për t’u bërë qendra e ekoturizmit, duke ofruar hiking, ski, kayaking, vëzhgime zogjsh dhe të tjera gjallesash të egra.

Për fat të keq, vendi mund të mos jetë i papërlyer edhe për shumë gjatë. Tentakulat e kapitalizmit, në dukje i parregullt, po përhapen shpejtë dhe në mënyrë eficiente. Në qytetin bregdetar të Lezhës, në veri të Tiranës, një valë zhvillimi tashmë ka lënë pallate dhe hotele të reja, të ndërtuar ngjitur-e-ngjitur, të ngucura në breg të detit.  Kudo ka shenja të një aktiviteti ekonomik intensiv; askund nuk kam parë më shumë ndërtim se sa në këtë vend që ka një rritje të dallueshme prej 6 për qind. Një zonë e tërë me parqe industriale dhe ndërtesa për zyra ka shpërthyer midis aeroportit dhe Tiranës, ndërse vetë qytetit ka pafund pallate e zyra, dyqane, filiale dyqanesh, restorante, hotele dhe pika karburanti. Rrugët janë mbytur nga makina në shumicën e rasteve të reja (japoneze dhe europiane), dhe nuk ka parkim me matës. Nga shumica e dritareve, ballkoneve dhe tarracave të apartamenteve kanë çelur ‘saçet’. Për vizitorin e ditëve të sotme është e vështirë të imagjinohet skena njëzet vite më parë; siç vërente Daniels-i, Nuk ka trafik në Tiranë dhe jetë komerciale…njerëz që zvarrisin këmbët mbi trotuare… të mbështjellë në monotoni…errësira shpohet nga drita pashije neoni që deklarojnë argëtime vulgare. Njerëzit në Tiranë shkojnë në shtëpi herët.

Kapitalizmi dhe konsumizmi shqiptar përfitojnë nga taksa shumë të ulëta (10 për qind është maksimumi i taksës mbi të ardhurat) dhe shpirti i dukshëm prej sipërmarrësi i shqiptarëve. Me të shumtat makina të reja, për shembull, kanë ardhur edhe pikat e lavazhit, të kudogjendura përgjatë shumë autostradave, që përbëhen vetëm nga një zorrë dhe ujë që rrjedh prej saj. Huqet e ngarjes së makinës në mënyrë agresive dhe të rrezikshëm mbizotërojnë, dhe një përbuzje e thellë për rregullat e rrugës është e dukshme. (Megjithëse, kjo është diçka që haset edhe në vendet e tjera të Mesdheut.) Ka me shumicë borie që bien dhe ‘për pak u përplasëm’ ndërsa makinat shkëmbehen me njëra tjetrën. Ashtu si edhe në Greqi, autostradat janë të mbushura me përkujtimore të vogla për ata që kanë humbur jetën në aksidente. Megjithëse përdorimi i gjerë i makinave ka më pak se 20 vite, pashë një numër të madh varrezash makinash, të mbushura me mjete në gjendje të ndryshme mjerimi, -ndoshta një trashëgimi e reputacionit të Shqipërisë si një punishte për zbërthimin e makinave-që në vende si Kuba do të riparoheshin dhe përdoreshin me dashuri. Para 20 viteve Tirana kishte një popullsi prej 200.000 banorësh; sot gati një milion. Ndërkohë, infrastruktura nuk ka ecur me të njëjtin hap. Në asnjë mënyrë është Tirana e bukur, apo edhe origjinale. Nuk ka lagje apo ndërtesa të vjetra, përveç një xhamie të shekullit 18. Është, në fund të fundit, një qytet që para shekullit 20 me zor ekzistonte. Është e lehtë, megjithatë, të dallosh ndërtesat e vjetra socialiste nga ato post-komuniste të ndërtuara së fundmi: të parat janë të rrënuara, me plot kuptimin e fjalës duke u rrëzuar; të rejat janë, si të ketë një rregull për këtë, shpesh të lyera me bojëra të ndryshme për të lehtësuar uniformitetin e tyre. Sidoqoftë, jeta në Tiranë është e shpaguar nga energjia aktive. Turmat gjallërojnë rrugët, edhe natën vonë. Kafenetë dhe lokalet në trotuare janë të shumta dhe gjithmonë plot. Dyqane të vogla dhe tregtarët e trotuareve janë të shkathët në biznes, duke shitur lloje të ndryshme mallrash, sidomos fruta dhe perime të freskëta. Gjithashtu ka edhe shumë filiale të dyqaneve perëndimore, të cilët, për mirë apo për keq, gjenden gjithandej. Fëmijët luajnë përjashta deri në orët e vona dhe njerëzit kudo tregojnë se Shqipëria, si pjesa tjetër e Europës, është e zhytur kokë e këmbë në kulturën e celularëve.

Ndoshta më e pabesueshme, Shqipëria është një përqasje demokracie. Ditën e mbërritjes sime, rrugët e Tiranës ishin gjallëruar edhe më shumë nga protestat politike. Një demonstratë e madhe dhe e zhurmshme antiqeveritare, e kompletuar me banderola dhe fortafolës, kundra manipulimit të pretenduar të zgjedhjeve të qershorit 2009 nga ana e partisë në pushtet. Gjithashtu, të rrethuar nga protestuesit, ishin tenda të mëdha, të cilat strehonin nja 200 grevistë. Vendi akoma nuk ka parti politike të pjekura dhe me një bazë të gjerë, dhe lojalitetet klanore ngadalësojnë zhvillimin e besimit social objektiv. Por ka OJQ me njerëz të rinj e shumë të motivuar, një prej të cilave e takova në qytetin e vogël të Kukësit. Të gjitha tranzicionet për në shtetin modern duhet të fillojnë diku, dhe shqiptarët kanë bërë një fillim premtues.

Rrugët e Tiranës janë plot me vajza të reja, të veshura e të krehura mirë e me kujdes, që më kujtojnë një fenomen të ngjashëm post-komunist në Shën Petërburgun e mesit të viteve ‘90. Në Tiranë sot, si atëherë në Shën Petërburg, vajzat duket se i kushtojnë më shumë vëmendje pamjes së tyre së jashtme se sa moshataret e tyre në Shtetet e Bashkuara. Siç duket, vajzat shqiptare ndihen të çliruara nga zymtësia e imponuar dhe skarciteti i kohës komuniste, kur pak vajza mund të gjenin apo kishin mundësitë financiare për të blerë rroba të këndshme apo kozmetikë dhe autoritetet rrudheshin para bukurisë fizike. Preokupimi i tanishëm me pamjen e jashtme me shumë gjasa ka të bëjë me dobësimin e ideve feministe. Shqipëria ka qenë, dhe në disa aspekte vazhdon ende të jetë, një kulturë më tradicionale se çdo vend tjetër në Europë. Tentativat e autoriteteve komuniste për të shkatërruar mendimet tradicionaliste korrën suksese në disa aspekte, si edhe me besimin, por edhe mundësitë më të mëdha për arsimim dhe karrierë për femrat të promovuara nga sistemi komunist i ndryshuan shumë mendimet tradicionaliste, rolet sociale dhe modelin e sjelljes midis meshkujve dhe femrave. Feminizmi ka bërë një progres të kufizuar në Shqipëri (ashtu si edhe në të tjera shoqëri post-komuniste) edhe për arsye se ka një interes të ulët për preokupimin feminist me viktimizimin dhe shtypjen e femrave. Në fund të fundit, kjo është një shoqëri ku të gjithë kanë provuar një shtypje politike të rëndë. E krahasuar me këtë, diskriminimi ndaj femrave mbetet një ankesë e vogël dhe burim i një indinjate morale të kufizuar.

Pro-amerikanizmi i Shqipërisë bie në sy po aq sa edhe vajzat e saj. Shpesh nëpër pika karburanti dhe hotele, flamuri amerikan valëvitet krah për krah me atë shqiptar. Statuja e Lirisë zbukuron disa hotele, përfshi këtu edhe një të quajtur “Amerika”, ku qëndrova gjatë vizitës sime në Kukës, një qytet në kufi me Kosovën. Kur mësuan se unë, pavarësisht një theksi të mbetur europiano-qendror, isha nga Shtetet e Bashkuara, shumë shqiptarë shprehën përzemërsi dhe kuriozitet dhe disa nisën të flisnin anglisht pasi kishin folur shqip me mikpritësin apo guidën time. Qëndrimi pro-amerikan ka disa arsye historike. Në 1919, Shtetet e Bashkuara, Woodrow Wilson në veçanti, mbështeti krijimin e shtetit të pavarur shqiptar. Gjatë Luftës së Dytë Botërore, Shtetet e Bashkuara ishin gjithashtu në luftë me Italinë, pushtuesin e Shqipërisë. Dhe më së fundmi, Shtetet e Bashkuara mbajtën një qëndrim të fortë pro-shqiptar (përfshi edhe asistencë ushtarake nëpërmjet NATO-s) në lidhje me çështjen e Kosovës, dhe që nga lufta e 1999 Washington-i ka qenë një nga mbështetësit kryesorë të pavarësisë së Kosovës.

Një tjetër burim i pro-amerikanizmit shqiptar mund të jetë edhe fakti që kapitalizmi all americansigurisht që i ka ndihmuar shqiptarët të përmirësojnë standardet e tyre të jetesës. Që kjo gjithashtu mund të ketë krijuar pabarazi të reja e të mëdha dhe shfaqjen e problemeve të para mjedisore, ende nuk ka rënë në sy. Në fakt, modernizimi i Shqipërisë ka qenë kaq i shpejtë, sa anët e errëta të procesit nuk bien shumë në sy-përveç maleve me plehra të pambledhura që gjenden nëpër rrugë dhe përgjatë autostradave. Ndoshta ndihmon edhe fakti  se disa qëndrime tradicionaliste stabilizuese dhe siguruese janë ende të vlefshme. Ashtu si edhe në Itali, që gjatë viteve ka patur një ndikim kulturor të madh mbi Shqipërinë, familjet e mëdha mbrëmjeve bëjnë një paradë nëpër rrugët e qytetit. Njerëzit shoqërohen në vende publike, trokasin gotat për të shprehur dashamirësi. Mikpritja, sidomos ndaj të huajve, është me të vërtetë e papërmbajtur. Shqiptarët shprehin opinione të forta; rezervimi social dhe vetëpërmbajtja e tipit perëndimor, akoma nuk përdoren në masë. Edhe policët reflektojnë disa prej këtyre sjelljeve. Njëri që ndaloi mikpritësin tim për tejkalim shpejtësie jo vetëm që dështoi në lëshimin e një gjobe por, nuk e di se si, përfundoi me një shtrëngim të ngrohtë duarsh (dhe pa marrjen e një ryshfeti).

Për vizitorët e rastësishëm, këto janë kohë të arta për të vizituar Shqipërinë, një periudhë e rrallë dhe ndoshta fluturake. Makthi i jetës komuniste të stilit Hoxha ka ikur, por shkatërrimi i modernizimit kapitalist akoma nuk është shfaqur plotësisht. Në këtë periudhë tranzicioni, nëse kjo është një e tillë, metodat tradicionale kanë akoma një dorë të fortë. Në Shqipëri njëri mund të shijojë edhe një shkëmbim të thjeshtë tregtar midis një shitësi dhe një blerësi. Peshkatarët e shesin peshkun e sapokapur në liqenin e Ohrit në rrugën që kalon aty afër. Në një tjetër rrugë, fëmijë dhe të rritur shesin qershi dhe të tjera produkte të freskëta. Askush nuk llogarit taksën apo të jep një faturë. Në Massachusetts-in perëndimor, ku unë jetoj, stendat me produkte të freskëta në anë të rrugës nuk më ngjallin të njëjtat reflektime sentimentale për mbetjet e jetës tradicionaliste. Nëse Shqipëria do të bëhet anëtare e Bashkimit Europian, një tregti kaq e lirshme me shumë gjasa do të eliminohet për shkak të standardeve higjienike të dyshimta.

Në analizën finale, aspekti më i mrekullueshëm i modernizimit shqiptar është shpejtësia dhe gjithëpërfshirja e dukshme e saj. Një sistem mbytës, i amullt dhe plotë me mungesa ra, dhe papritur, për mrekulli, shqiptarët u bënë bletë punëtore, çliruan energjitë e tyre dhe i kanalizuan në një mori projektesh dhe aktivitetesh. Në 1998, shumë i respektueshmi z. Daniels pyeste veten se çfarë kalonte nëpër ato mendjet shqiptare, pas atyre fytyrave pasive e të rreshkura prej fshatari. Gënjeshtrat, nga ripërsëritja e shpeshtë, mos vallë ishin kthyer në të vërteta? Apo ishin bërë ‘zhurmë e bardhë’ brenda një repertori përpjekjesh për të ruajtur mendtë e kokës? Çfarë efekti, nëse ka patur ndonjë, kishte mbi psikozën njerëzore pranimi pasiv i të pavërtetave sistematike?

Me aq sa arrita të shoh, çfarëdo lloj dëmi që një sistem komunist totalitar gjysmëshekullor mund të ketë shkaktuar, po shërohet. Psikoza njerëzore ka një aftësi befasuese për ta rimarrë veten nga gati çdo dëm jofatal. Megjithatë, është e vështirë të kuptosh plotësisht se si një shoqëri aq e shtypur dhe e ndrydhur si Shqipëria mund të modernizohet kaq shpejt dhe të mbajë një pjesë të mirë të vlerave dhe virtyteve tradicionaliste. Sigurisht, përqafimi i përzemërt i kapitalizmit dhe demokracisë politike nga Shqipëria është një përgjigje e papritur për dhimbjen dhe humbjet e së kaluarës, dhe sugjeron se demokracia e tregut mund të lindi vetvetiu edhe në vendet më të paimagjinueshme. Tani, nëse zgjat vetëm pak, unë dua ta vizitoj prapë, pa kaluar shumë.

SHKARKO APP