Një luftë që nuk e do askush
Gjermania dërgon ushtarë në Siri, për të neutralizuar terroristët e "Shtetit Islamik". Qeveria nuk e bën këtë nga bindja, por sepse është e detyruar nga jashtë, mendon Marcel Fürstenau.
13 nëntori 2015 është për Francën ajo që ishte 11 shtatori 2001 për Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Që hiqet kjo paralele është afërmendsh dhe legjitime. Si atëherë, ashtu edhe sot, Gjermania u premtoi aleatëve të sulmuar nga islamistët fanatikë solidaritet. Nga ana njerëzore dhe politike një gjest i vetëkuptueshëm – por a duhet që ky premtim të përmbajë detyrimisht të gjitha pjesëmarrjet e mundshme ushtarake? Përgjigja është: Jo! Sepse solidaritet pa kushte mund të çojë edhe në bindje të verbër.
Shembulli më frikësues për këtë lojë të pasimit pa reflektuar ishte lufta e Irakut në vitin 2003, në të cilën Gjermania për fat nuk mori pjesë. Dyshimet e qeverisë së atëhershme gjermane ushqeheshin nga argumentimi aventuror i SHBA, se gjoja regjimi i Sadam Husseinit zotëronte arsenale të pakufishme të armëve të shkatërrimit në masë. Një gënjeshtër e poshtër, siç rezultoi. Po për një gjë të tillë nuk mund të bëhet fjalë këtë herë. Kërcënimi nga "Shteti Islamik" është konkret dhe i dëshmueshëm.
Pse duhet të ketë sukses në Siri ajo që dështoi në Afganistan?
Askush nuk e kundërshton karakterin vrastar dhe përçmues ndaj njeriut që ka ky grup terrorist. Këtë e dinë të gjithë. Megjithatë, qeveria gjermane i dorëzohet iluzionit se "IS" mund të mundet me më shumë sulme ushtarake nga ajri. Por ka muaj që amerikanët dhe francezët bombardojnë pozicione të armikut, prej pak kohësh këtë e bëjnë edhe rusët dhe britanikët. E megjithatë, sfera e ndikimit dhe e sundimit të "Shtetit Islamik" nuk është rrudhur në mënyrë vendimtare.
Pse duhet të ndryshojë kjo gjendje, po të hyjnë në luftë edhe 1200 ushtarë gjermanë me disa avionë Tornado për zbulim? Ekspertë politikë dhe ushtarakë të pavarur nga qeveria kanë dyshime të mëdha në suksesin e një ndërmarrjeje të tillë. Edhe sikur të shkatërroheshin një ditë strukturat e rrjetit terrorist, kjo nuk do të ishte garanci për paqëtimin e rajonit. Lista e misioneve të dështuara ushtarake në këtë shekull të ri është e gjatë: Afganistani, Iraku, Libia – të gjitha shtete të shpërbëra, në tokën e të cilave rritej dhe rritet terror i ri.
Mënyra e pavendosur e trajtimit të Assadit është karakteristike
Kujt i kishte vajtur mendja që një kasap si Assadi do të merrej një ditë me të mirë nga Perëndimi? Vetë ky ndryshim qendrimi tregon se sa e hutuar dhe e dëshpëruar është mënyra e veprimit e Perëndimit dhe me të e Gjermanisë. Qeveria gjermane e ka futur veten në një rrugë pa krye. Ajo e di se angazhimi luftarak i vendosur tani shoqërohet me rreziqe të mëdha – për ushtarët jashtë dhe për popullin në Gjermani. Sepse natyrisht që rreziku i atentateve terroriste nga "IS" në Gjermani shtohet. Kjo bandë vrastare dhe luftëtarët e saj potencialë jetojnë mes nesh. Modeli mizor janë atentatet e Parisit, ku atentatorët kryesisht francezë me origjinë myslimane vranë sipas modelit të amokut.
Gjermania merr pjesë tani prej një solidariteti të ndershëm në një luftë, për të cilën nuk ka argumenta bindës politikë dhe ushtarakë. Qeveria dhe parlamentarët që votojnë nuk duan të dalin si frikacakë. Në këtë vendim, jo të lehtë për askënd, ndodhet edhe tragjikja njerëzore. Halli që kanë me ndërgjegjen mbështetësit e kësaj pjesëmarrjeje të Gjermanisë në luftë duhet të jetë për momentin më i madh se sa ai i kundërshtarëve të saj. Por këta të fundit nuk duhet të kundërshtojnë pa u menduar mirë. Sepse as ata nuk mund të ofrojnë një alternativë bindëse.
DWelle