“Një sekondë më shumë”
Nga Mario Lamo Jimenez
Këto ditë, e vetmja gjë që duket në shtyp, janë lajmet e këqija. Mjafton të hapim gazetën dhe fjalët plot njolla gjaku na ndotin e na i shajtojnë edhe sillën.
Veç këtë mëngjes, dreqi e di pse, midis gjithë asaj supe farmak, ishte një lajm që më bëri të ndihem mirë. Njoftonin se për të kompensuar, nuk e di se çfarë por e di se kur, do t’i shtonin edhe një sekondë vitit.
E merrni dot me mend?! Edhe një sekondë më shumë në ekzistencën tonë, dhe pa e lypur hiç! Menjëherë iu futa punës për të bërë plane se qysh do ta përdorja këtë sekondë ekstra të jetës sime.
Ma kishte thënë e shkreta nënë: «Bir, në jetë nuk duhet të të shkojë dëm asnjë sekondë».
Kësisoj, i kalova nja pesë orë të mira, duke menduar se si do ta përdorja këtë sekondë që më kishte dhuruar fati, por sado llogari që bëja, nuk gjeja dot asgjë me vlerë që ta fusja në një sekondë të vetëm.
Mund të vrisja një mizë, mirëpo vrasja e një mize kërkon njëfarë përgatitje. Së pari duhet të armatosesh me një revistë të vjetër, duhet ta palosësh atë, duhet të lokalizosh mizën dhe pastaj t’i japësh goditjen me revistë. E prapëseprapë, nuk ke garanci se do ta vrasësh mizën dhe procesi të paktën do 30 sekonda, gjë që del me një deficit 29 sekonda.
Përfundimisht, jo, kjo puna e mizës është pesë me hiç. Sigurisht ky ishte një shembull për të mos e përdorur ashtu sekondën time ekstra. Dikush më këshilloi që gjatë asaj sekonde të përpëlitja një herë sytë. Po pse ta harxhoja sekondën time për diçka që unë, në mënyrë të pavetëdijshme, e bëj tërë kohës?
Kështu kaluan orët, duke bërë një listë gjërash që do të mund t’i kryeja gjatë asaj sekonde të çmuar, veç asnjë nuk ma mbushi syrin: mund të bëja një kërcim dhe, njëherazi, të nxirja edhe gjuhën apo të godisja me një domate fqinjën zevzeke matanë gardhit, mund t’i shkulja një qime maces apo të shikoja tek kalonte një zog duke fluturuar, mund të pëlcisja një flluskë apo të kapja pulitjen e një ylli; në fund, asgjë ku në të vërtetë t’i shtoja një sekondë të plotë ekzistencës sime.
Një miku im që vizitohej te mjeku për idiotësi më rekomandoi që të vrisja veten gjatë asaj sekonde, sepse, sipas tij, për të tërhequr këmbëzën mjaftonte vetëm një sekondë, gjë që e kundërshtova aty për aty: askush nuk të garanton që vetëvrasja do të përfundojë me sukses dhe, veç kësaj, objektivi im ishte ta gëzoja veten gjatë asaj sekonde dhe jo të vdisja. Më në fund, pasi e mendova thellë, vendosa ta ruaj atë sekondë, për ta përdorur kur të më nevojitej dhe jo ta harxhoja atë natë.
Kështu, në vend që ta prisja Vitin e Ri, si gjithë të tjerët, në dymbëdhjetë e një sekondë, do ta prisja një sekondë më përpara: në dymbëdhjetë fiks, siç e kisha pritur gjithmonë.
Njëzet vjet më vonë:
Në qetësi të plotë, isha ulur mbi një poltron dhe po gjerbja një gotë verë e po lexoja një libër interesant, kur dikush u ul pranë meje. Ishte një femër e bukur, nga ato që i shohim vetëm në filma, kishte një trup gjithë linja të buta por edhe të rrezikshme dhe me ca vështrime tejet tunduese. E pashë i befasuar dhe vetëm arrita ta pyes:
– Po ti, kush je?
Më buzëqeshi dinakërisht dhe m’u përgjigj:
– Huvenal, erdha të të marr, të ka ardhur ora.
– Mos më thuaj se je vdekja, – u hodha përpjetë nga habia dhe frika. – Ajo vjen si një plakë e vjetër veshur me të zeza dhe me një kosë në krah, apo jo?
– Kohët kanë ndryshuar, Huvenal. Edhe vdekja duhet të modernizohet. Hë, a je gati?
Më erdhi keq që nuk arrita ta mbaroj romanin me mistere, që po lexoja. A thua të ishte Filipi vrasësi? Dhe isha gati të dorëzohesha e të më merrte ajo gjasme femër, kur fap u kujtova për sekondën e bekuar ekstra.
– Një moment, – i thashë. – A ju kujtohet ajo sekonda ekstra e jetës, të cilën nuk e kam harxhuar në 31 dhjetor, qysh nga një mijë e nëntë qind e gjashtëdhjetë e…
– Sigurisht qëmë kujtohet, – tha, duke shtrembëruar turinjtë, dhe fytyra e saj u ashpërsua aq shumë sa gjithë ajo bukuri që pati shkoi e vajti. – Hajde, përdore menjëherë dhe eja të ikim.
– Sigurisht, nuk do të vonohem. Por nuk duhet të harroni se një sekondë për çdo vit, që nga vitet gjashtëdhjetë, tani është bërë shumë dhe, po t’i shtojmë kësaj edhe taksën e interesit që normalisht merr Fondi Monetar apo Banka Botërore, na del që…, – thashë, dhe nxora nga xhepi makinën llogaritëse, – që kjo sekondë tani është baras me 236 milionë e 520 mijë sekonda, ose, për të qenë më të saktë, shtatë vjet e gjashtë muaj…
Vdekja u tërbua nga inati; femrës së bukur tashmë i kishte dalë fare boja dhe unë atëherë pashë fytyrën e vërtetë të saj: një plakë me kosën e përhershme, më e shëmtuar se asnjëherë, që ishte gati të më hidhej në fyt. Por, duke qenë se nuk ka vdekje që t’ia dalë matematikës dhe interesit të përbërë, e pashë të largohej duke turfulluar, dhe në dalje, nga xhindosja, me kosën që mbante në dorë, gati ia hoqi kokën maces.
Dhe ja ku jam ulur, duke bërë një listë të gjatë për gjithë gjërat që mendoj të bëj gjatë këtyre shtatë vjetëve e gjysmë ekstra që më kanë mbetur nga jeta, dhe e vërteta është se nuk kam për të çuar dëm asnjë sekondë.
Shënim: Ja biografia e Mario Lamo Himenes, siç e tregon ai vetë:
Jiménez lindi në Kolumbi, më 11 shkurt, në një natë pa hënë të plotë. E ëma na siguron se do të kishte lindur më 10, po të mos kishte qenë një eklips që futi hundët në lindje, pa e ftuar njeri. Lindja e tij qe bërë nën kujdesin e Dr. Rikardo Mehijas, dy tezeve të papërshtatshme dhe një qeni, i cili nuk pushoi së lehuri ndaj doktorit gjatë tetë orëve.
Mario ka shkruar romane, vepra teatrale, tregime dhe letra në gazeta, ku ka sharë politikanët e radhës. Ka bashkëpunuar me çdo gazetë në spanjisht që ka guxuar të botonte atë që shkruante ai.
Artikujt e tij janë botuar në revistën Cambio 16 të Kolumbisë, në gazetën El Latino të Uashingtonit dhe në atë Horizontes të San Franciskos. Nganjëherë hidhet te poeti dhe shkruan poezi për fëmijë apo për të rritur, gjithmonë dhe kur të jenë subversive.
Mario Lamo Himenes jeton në Sakramento, në Kaliforni.
Në kohën e lirë (domethënë, përherë) koleksionon yje dhe dallgë deti.
Përktheu nga origjinali spanjisht Bajram Karabolli